Blloku nuk përjashton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës
Liderët e Bllokut LDK-AAK-Nisma patën një takim me përfaqësuesit e të gjitha pakicave të përfaqësuara në Kuvend, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se edhe pakicat e kanë të njëjtin shqetësim me Bllokun, ndërkohë që tha se PDK-ja me vetëm 36 deputetë nuk mund të vazhdojë edhe më tutje të marrë vendime në Qeverinë e Kosovës dhe të operojë me buxhetin e shtetit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj i ka quajtur kriminale veprimet e Qeverisë, sidomos ato të fundit ku u bë alokimi i buxhetit, mes të cilave mjete ishin edhe rreth 4 milionë për fëmijët e sëmurë nga leukemia. Haradinaj tha se qeverisja në këtë mënyrë siç po bën qeveria, është akt kriminal, transmeton rtk.
“Atë që po bën sot PDK-ja është kriminale. Pra qeverisja në këtë mënyrë, operimi me buxhet në emër të 36 deputetëve është veprim kriminal. Domethënë çdo veprim që bëjnë më tutje bjen në kundërshtim me ligjin dhe normat me të cilat kanë qeverisur deri më tani”, tha Haradinaj.
Këto komente, i nominuari i Bllokut LDK-AAK-Nisma për kryeministër, i bëri pas takimit që liderët e Bllokut patën me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës. Me këtë rast, Haradinaj tha se është konkludim i përbashkët edhe me pakicat që duhet të qartësohen aspektet ligjore dhe kushtetuese të veprimeve të mëtejme. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që vetë Blloku do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me pikën 127 të vendimit të kësaj gjykate.
“Mund të ndodhë që presidentja vetë e vlerëson që t’i drejtohet gjykatës, por në të njëjtën kohë mund të ndodhë që edhe ne e vlerësojmë t’i drejtohemi vetë Gjykatës për të dhënë shpjegim si të dilet nga kjo gjendje”, tha Haradinaj.
E këtë shqetësim kanë edhe pakicat. Mahir Jagxhillar nga Grupi 6 plus tha se askush nga pakicat nuk dëshiron të ketë zgjedhje të reja.
“Opsioni i zgjedhjeve nuk është i pranueshëm dhe të shikojmë si është e mundur që të bëjmë një zgjidhje, ndoshta të kërkojmë një sqarim ose përmes presidentes ose drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese cilët hapa duhet t’i marrim që t’i shmangim zgjedhjet të krijojmë institucione dhe të shkojmë më tutje në krijimin e institucioneve”, tha ai.
Sa i përket mundësisë së mbajtjes së seancës, kreu i AAK-së, Haradinaj tha se përpjekja për qartësimin e situatës ligjore dhe kushtetuese është në vazhdën e veprimeve të Bllokut. Ai theksoi se PDK-ja duhet të reflektojë dhe ta kuptojë se dallimi i fuqisë parlamentare në Kuvend është shumë i madh mes saj dhe Bllokut.