Blushi: Çadrizmi po shkatërron Shqipërinë, kërkojnë patericën LSI
Kreu i LIBRA, Ben Blushi ka folur për protestën e Partisë Demokratike dhe bojkotin parlamentar në seancën kuvendore.
Blushi thotë se dy partitë e vjetra kanë aftësinë për të imituar dhe përsëritur njëra tjetrën, duke bërë ngjashmëri me atë të Partisë Socialiste në 2010.
“Aftësia perfekte që kanë dy partitë e vjetra të Shqipërisë për të imituar dhe përsëritur njëra-tjetrën. Besoj se kjo është e vetmja gjë që mund të bëjnë për së mbari. Nuk kam qënë dhe nuk do jem në asnjë nga këto dy çadra. Nuk isha në çadrën e vitit 2010- dhe tani. Koha më ka dhënë dhe do më japë të drejtë. Sepse në Shqipëri është kthyer në metodë çadrizmi, po ça është? Çadrizim është metodë për të shkatërruar Shqipërinë me ngadalë. Dua të shpjegoj kush janë ngjashmëritë mes dy çadrave, asaj në 2010 dhe sot në 2017. Në të dy rastet nuk ishte nevoja e popullit për më pak taksa e varfëri, koncesione, dhunë, për më shumë liri, demokraci, solidaritet. Ishte nevoja për karrierë, për më shumë karrierë, ishte në thelbin e asaj çadre të 2010 dhe kësaj në 2017. Atëherë ishte Sali Berisha në ballkon dhe Edi Rama poshtë ballkonit, sot është Edi Rama në ballkon Sali Berisha në çadër. Atëherë ishte nevoja për të bindur Sali Berishën të nxirrte Ilir Metën nga selia, sot për të bindur Ramën të fusë Metën në çadër”, tha Blushi.
Ai tha se të dyja partitë kërkojnë patericën e LSI, pasi asnjëra nuk vjen dot e vetme në pushtet.
“Asnjëra nga të dyja nuk vijnë në pushtet dhe të dyja kërkojnë patericën e LSI-së. Por paterica e ka një zakon, përdoret dhe kur pronari vdes. Dhe sot paterica e LSI është natën me protestën, ditën kundër protestës. Natën çon protestues ditën është kundër çadrës. Do vazhdojë ta bëjë këtë gjë paterica e LSI”, tha Blushi.