Kryeartikull

Blushi, jo një i pakënaqur që do punë!

Ben Blushi nuk është një i pakënaqur që do punë brenda PS-së. Është një zë i fuqishëm brenda së majtës. Është një kapacitet artikulimi i së majtës së moderuar dhe së fundi zëri më kritik brenda PS-së së Edi Ramës. Kritikat e tij të përcjella në zhanrin e artikujve politikë, gjejnë shumë jehonë në opinionin publik dhe dominojnë shtypin e shkruar e më shumë, hapësirën online në shqip. Janë një qasje dhe një veprim politik së bashku. Një qasje kritike për qeverisjen e sidomos Kryeministrin Rama. Janë një qasje për raportet e qeverisë dhe qeverisjes me sfidat dhe vështirësitë e realitetit. Janë një qasje për projektin qeverisës dhe programin në implementim të Kryeministrit Rama.

Cikli i artikujve të deputetit socialist, Ben Blushi, dhe intervistat sqaruese të tij, të gjitha së bashku, janë platforma e mishëruar e një kritiku nga brenda së majtës. Ky deputet kritik, me rigorozitet po ekspozon pakënaqësinë e një të majti ndaj Partisë Socialiste që udhëheq Edi Rama dhe po krijon imazhin se ekziston tashmë një zë që pretendon se është më afër imazhit tradicional të partisë së tij, sesa udhëheqësi aktual i kësaj partie.

Këtë që po kryen Ben Blushi duhet ta gjykojmë si diçka më komplekse. Nuk është thjesht oponenca e ngritur në valencën e opozitarit të brendshëm në PS, e as rasti i protagonistit që po shfaqet si rival politik përballë Kryeministrit Edi Rama që njëherësh është edhe kryetari i PS-së. Ben Blushi po shfaqet në kohë, ndonëse kritikat e tij të këtyre ditëve gjykohen si në pakohë, për shkak të momentit elektoral në të cilin gjendet vendi dhe për rrjedhojë edhe PS. Deputeti Ben Blushi është një kalorës elegant i fjalës dhe sidomos i mendimit të lirë. Diçka e tillë si kjo që mbart e sjell Ben Blushi është bërë e rrallë e madje, shumë e munguar në skenën politike dhe sidomos, në mejdanet partiake të vendit.

Socialistët në këtë rast nuk kanë arsye të ndihen të sulmuar nga brenda e të zhurmojnë në ndarjen klasike mes partidashësve dhe blasfemistit të familjes politike. Mendimi kritik i Ben Blushit në PS është një far për të sjellë në vëmendje të komunitetit aq heterogjen të majtistëve të vendit se sa shumë pika reference dhe se sa peshë përkatësie është zhbërë në këta 15 vjetët e fundit të jetës politike të së majtës. Diferenca që krijon fjala dhe analiza e brendshme e Ben Blushit, shkakton mundësi për të parë diferencën në substancë dhe formim, në kulturë dhe profile, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, mes Erjon Veliajt dhe Pandeli Majkos, mes të ikurve që bëjnë hije dhe mes të heshturve që nuk po bëjnë asgjë për të ruajtur e lënë kujtimin e hijes në spektrin e udhëheqësisë së majtë. Kritikat e Ben Blushit, së paku i japin një mundësi shprehjeje, heshtanakësisë dhe pakënaqësisë që po u shton rrudha “burrave të së majtës” që kanë qenë gjer më 2003-2004 rojet e fundit të karakollit statutor në PS.

Ka edhe shumë arsye dhe merita të tjera liria e shfaqur dhe kritika në liri e deputetit Ben Blushi. Nuk është “një thikë pas shpine” për betejën aktuale elektorale të PS-së në 21 qershor. Absolutisht jo.(!) Një angazhim dhe keqtrajtim i tillë deformues e keqinterpretues i kumtit të artikujve të Ben Blushit, do ta ndëshkojë më shumë PS-në sesa vërshimi i kritikave dhe i vrerit të anonimëve në rrjetet sociale dhe në hapësirën shqip online.

Kritikët e kritikave të Ben Blushit janë shprehur në orët dhe ditët e fundit, se në artikujt e tij mungojnë tezat politike. Nuk janë teza të një rivali politik përballë Edi Ramës, sikundër as teza që rivalizojnë projektin dhe platformën qeverisëse të Kryeministrit. Ato kanë në masën më të madhe të tyre vlerën e oponencës dhe jo të diversionit të thellë politik. Kjo është arsyeja që Blushi nuk po hedh teza, por shton kritika.

Artikujt e zotit Blushi janë qasje kritike politike për kryeministrin-kryetar, i cili është në kohën e injorimit të afateve dhe respektimit statutor në PS. As Edi Rama nuk ka leverdi e kurrsesi frikë për të mos bërë zgjedhjet statutore në PS dhe as arsye nuk krijon dot për të mos mbledhur kryesinë apo forumin e madh, Asamblenë e PS-së sipas afateve të parashikuara në statut. Një kritikë e tillë e deputetit Blushi nuk shkakton premisë fraksioni e as shantazh të brendshëm për kryetarin-kryeministër. (!) Një kritikë e tillë, (fatkeqësisht e vetmja në PS), ekspozon përkeqësisht vetë udhëheqësinë e partisë sesa konformiste dëshmohet në kohë dhe për arsye për të cilat nuk ka nevojë as udhëheqësi.

Artikujt kritikë të deputetit Ben Blushi janë kritika të brendshme në Grupin Parlamentar të PS-së. Nuk janë rikthim në kohën e “telenovelave në PS”. Vërsulja kritike mbi kësi kritikash do të zvogëlojë së pari edhe më shumë imazhin për demokracinë e brendshme dhe sidomos për lirinë e mendimit dhe të fjalës në PS. Kryeministri Edi Rama ka arsye të kapet pas arsyes tjetër në reagimin që sugjeron apo atë që mund të bëjë vetjakisht. Mes tij dhe Ben Blushit nuk është më e mundshme të bëjë vend shkolla e vjetër e marrëdhënies politike, ajo e divorcit apo e përjashtimit, ajo e injorimit apo edhe e margjinalizimit. Mes tij dhe Ben Blushit vërsnikëria moshore, ka të gjitha mundësitë për t’u shfaqur edhe si vërsnikëri politike, ndonëse jo formimi dhe përkatësie.

Koha në të cilën po rigjenden në përballje kritike dy protagonistë kryesorë të politikëbërjes socialiste në PS dhe tek e majta, është kohë pa shumë komoditet. Më i privuar është Kryeministri, ndonëse ai është më i fuqishëm se kurrë. Dhe kjo për arsye që dihen e për rrethana që shtohen.

Deputeti Blushi është më i përkëdhelur në këtë fat-dite, por jo i justifikuar në krejt protagonizmin e tij. Pakënaqësia e tij në raport me PS-në dhe Kryeministrin Rama edhe pse nuk është pakënaqësi e një të papërfshiri, së paku shërben dhe u vlen gjithë të papërfshirëve në qeverisjen e së majtës heterogjene. Në këtë heterogjenësi përkatësie, koalicioni dhe administrimi të mandatit qeverisës, kryetari-kryeministër Edi Rama është i urdhëruar nga rrethanat të ndryshojë së paku tre elementë të realitetit dhe strategjisë aktuale politike që lidhen pashqitshmërisht me fatin e mëtejshëm qeverisës të tij:

Së pari, të paralajmërojë dhe rishqyrtojë rikompozimin e qeverisë dhe të përfaqësimit socialist në qeverisjen e dy viteve të ardhme.

Së dyti, të rikthejë dimensionin human të masave shtrënguese dhe reformave ligjzbatuese të qeverisjes së vet dhe të rishqyrtojë nevojat e kategorive dhe shtresave shoqërore që e kanë “thikën në palcë”.

Dhe së treti, të rikthejë në PS frymën e besimit mes asaj që mbart si projekt që finalizon mandati qeverisës dhe asaj që vjen pas kësaj për anëtarësinë e papërfshirë socialiste. Betejat e tij të drejta në jo pak raste janë mësymur me perceptime dhe imazhe shembëse, falë kundërshtarëve dhe të pakënaqurve brenda familjes politike. Këtë element të fundit është koha që Kryeministri dhe kryetari i së majtës me kaq shumë shtresa ta rendisë në krye të domosdoshmërive. Pas kësaj, kritikat e Ben Blushit dhe ato që shumë të tjerë nuk guxojnë për arsye karakteriale t’i shprehin publikisht, e bëjnë PS-në një parti që gjeneron histori moderne debatesh dhe lirie të brendshme, në të kundërt e çojnë në fatin zvogëlues dhe atë të përballjes me sfidën e qeverisjes që i shton problemet gjer te ndëshkimi elektoral.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button