Opinion

Blushi , si individ apo si fenomen ?

Zilie  Feçi

Zhurma politike e ditëve të fundit, përjashtuar debatin e dukshëm me protagonistë politikanët, të enjteve në seancat plenare, lidhet vetëm me Partinë Socialiste. Ethet e një gare, që askush nuk mund të thotë në këtë moment nëse do të jetë e tillë apo jo, kanë mbërthyer emrat e vetë Kryeministrit Rama dhe kritikut të përhershëm të politikës Ben Blushi. Përtej të gjitha ambicieve të tij, Blushi herë shfaqet si parimor, herë si qytetar, që kërkon të përçojë gjithkund shqetësimet e shqiptarëve dhe herë, të paktën sipas meje, vetëm si një individualist që nuk mund të shkelmojë karrierën e tij.

Në përpjekjen për të qenë kandidat për kreun e Partisë Socialiste, Blushi nuk duket fort i qartë në qëndrimin e tij. Kjo e komprometon lëvizjen (nëse mund të quhet e tillë) brenda vetë radhëve të Partisë Socialiste. Më shumë besohet se Blushi është një prej atyre që mban gjallë frymën e demokracisë dhe të mendimit ndryshe në Partinë Socialiste, sesa një prej atyre që kërkon të marrë drejtimin e socialistëve. Shumë syresh mendojnë se Blushi është duke bërë lojën e radhës. Rama e ka “zgjedhur” Blushin për të luajtur pikërisht rolin e “individit ndryshe” në PS, si shenjë se në Shqipëri, socialistët kanë demokraci të brendshme, krejt ndryshe nga demokratët. Edhe vetë Blushi e di që nuk mund të bëhet kryetar i partisë. Kjo, jo se nuk përmbush ato kritere që janë përcaktuar në statutin e kësaj partie, porse votuesit e kanë ndarë mendjen për të votuar Ramën e duke e konsideruar atë si personin që riktheu të majtën në pushtet. E nëse vërtet do të ketë një garë për të zgjedhur kryetarin e partisë, atëherë, i bie që Blushi të plotësojë thjesht një emër në fletën e votimit, për të mos e lënë Ramën krejt të vetëm.

Sa për “kaubojin”, votat nuk kanë asnjë kuptim dhe madje as vetë Eduart Ndocaj nuk e di se çfarë kërkon. Mjafton, që doli në media si kandidat, që nuk dihet nëse pranoi të vetëpërdoret, apo media e riktheu në qendër të vëmendjes, për ta përdorur aq sa deshi. Në sytë e publikut, Blushi është prej atyre që nuk mund të përdoret kurrsesi kaq lehtësisht, por karriera e Blushit është më e rëndësishme. Askush nuk do ta mendonte që Blushi të kërkonte një karrige, krejt të vështirë për ta marrë, e që pas përfundimit të këtij mandati deputeti, të rikthehej në fushën që zor se e konkurron njeri; atë të shkrimtarit. Por, a ka mbështetës Ben Blushi? Sigurisht, dhe shumë madje. Por ata që janë me Blushin, më shumë kërkojnë që ai të bëjë kritizerin, në emër të demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste, sesa të jetë kryetar partie dhe të mungojë përgjithmonë zëri ndryshe. Por a mund të votojnë Blushin ata që e mbështesin? Absolutisht që jo. Kjo, jo për të diskutuar meritat e tij në Partinë Socialiste, as për vlerat që ka treguar atëherë, kur ka qenë anëtar kabineti në qeverinë e majtë. Por, për faktin e thjeshtë se Blushi i duhet Partisë Socialiste ashtu si tani; deputet nga më të mirët dhe tejet i respektueshëm, që sipas votuesve të thjeshtë socialistë nuk ka asnjë “cen” që mund ta kapësh.

Në fakt, politikës shqiptare përjashto rastin e ish-kryetarit socialist Fatos Nano gjatë mbledhjes së famshme të KPD-së, i ka munguar ajo demokraci, që duhet të ishte si model zhvillimi brenda partive, por edhe politikës në tërësi. Dhe mbi të gjitha këto, Blushi nuk është shpallur armik, as kur tentoi lëvizjen e mendimit ndryshe brenda Partisë Socialiste, as kur akuzoi Ramën dhe disa prej ministrave të tij. Kongresi socialist ka ende kohë. Duhet edhe më shumë se një muaj, ndonëse të vetëshpallurit kandidatë kanë nisur fushatën, nëse do quhet e tillë. P.sh., deputeti Ndocaj ka gjetur një mënyrë për të qenë protagonist në fushatën për të marrë kreun e socialistëve. Ndonëse mund të jetë këshilluar keq, por Ndocaj protagonizmin e gjeti tek kërcënimet dhe një letër që i dërgoi ambasadorit amerikan Donald Lu. Por, me kërcënimet për të cilat nëse janë apo jo të vërteta duhet të ketë një deklaratë zyrtare nga autoritetet policore dhe hetimore, ka fituar studiot televizive, ku bën jo pak publicitet për veten. Ndërsa Blushi fushatën e ka gjetur te profesioni i tij i përhershëm; ai i shkrimtarit. Prezanton librin e fundit në qytete të ndryshme të vendit dhe aty kërkon të votohet si kryetar i ardhshëm. Edhe kjo është një rrethanë, që nuk të bind aspak se Blushi kërkon të jetë kryetar. Ndaj, pyetja që kërkon përgjigje lidhet me individin Blushi në Partinë Socialiste, apo për fenomenin “Blushi”, që politikës shqiptare i duhet domosdoshmërisht.

Related Articles

Nje koment

  1. Rikthimin e Partise Socialiste ne pushtet , nuk eshte e vertete ajo qe thot zonja se e solli Rama , por babezite qe i ka sjelle vendit qeverisja e mbrapshte e Sali Berishes me grupin e tij mafioz ne aleanca te fshehta me armiqe te jashtem e te brendeshem te shtetit shqiptar . Perkundrazi Edi Rama me aleancat e kualicionet e tij te pa kuptimta me Ilir Meten e grupime te tjera jo vetem qe nuk ja ka rritur vlerat dhe prestigjin qe pati krijuar ne popull me kundershtimin e qeverisjes se mbrapsht te PD , por shume simpatixante te meparshem te PS pas marreveshjes parazgjedhore Rama – Meta , votat e tyre i kane cuar diku tjeter tek forca e grupime te tjera . Pra Rama ne kete rast ka veprue gabim si politikan kudheheqes !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button