Blushi: Unë ministër? Nuk joshem nga kaq pak
“Charlie Hebdo”, më i prekur islami. Edhe krishterët vranë shkencëtarë, por ndryshuan
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, i ftuar në emisionin “E Diell” në “Top Channel”, shprehet se duhet të ketë një arsye tepër të fortë për t’u rikthyer në postin e ministrit. “Nuk e mendoj fare, por nuk më thotë ndonjë gjë të madhe, janë faza të kapërcyera në jetën time… duhet të kem motiv shumë të fortë për t’u rikthyer. Nëse e kam këtë ofertë, një gjë që e kam bërë… Jeta ka më shumë magnet se kaq pak dhe unë kam filluar të gjej arsye të tjera për të jetuar më mirë, që janë letërsia, është leximi, dalja në natyrë, njohja e botës në përgjithësi, nuk besoj të kem arsye të joshem nga kaq pak”, – u shpreh Blushi. Socialisti komentoi në këtë mënyrë mundësinë e ndonjë ftese nga Kryeministri Rama për t’u bërë pjesë e kabinetit qeverisës. Në intervistën tek e “E Diell”, Blushi u fokusua te ngjarjet që tronditën botën, në Francë, ku 12 persona, mes tyre dhe gazetarë, u vranë nga terroristët islamikë. “Ka qenë shumë më fanatike Europa e krishterë. Ka qenë dhe Europa dikur në këtë fazë, por njerëzimi ndryshon. Ndryshon koncepti që ke për fenë dhe besoj që islami…. sidomos mbas ‘Charlie Hebdo’, se nëse ka një fe që është goditur më shumë, është feja islame. Ka marrë një damkë shumë të madhe në sytë e botës. E gjithë bota po pret që ajo të ndryshojë dhe të mos t’i krijojë botës kaq shumë tension dhe kaq shumë konflikte të panevojshme”, – u shpreh Blushi. Pas këtyre ngjarjeve, socialisti shprehet se ka ardhur koha që feja islame duhet të ndryshojë, ashtu siç ndryshoi ajo kristiane. “Ka shumë njerëz që e pretendojnë këtë, duke menduar që islami, duke mos garantuar barazinë gjinore, se ky është thelbi i kësaj, në fakt- sjell deformimet që ne i njohim dhe nuk është shumë kompatibël, shumë i përputhshëm me demokracinë, sepse të gjithë njerëzit që e bëjnë këtë i kanë këto pikëpyetje në kokë, shkojnë një për një te vendet ku dominon islami dhe gjejnë që demokracia aty nuk është shumë e zhvilluar – përfshi dhe Turqinë po të duash. Është vendi më demokratik i kësaj bote po themi, po prapë nuk është shumë demokratike, se themi Turqia dhe Zvicra nuk kanë të njëjtën cilësi demokracie. Po prapë unë them ky është një proces emancipimi, pra nëse shikojmë historinë e feve të tjera, hebreje dhe krishtere, fetë monoteiste, sidomos kanë pasur dhe ato ciklet e veta, feja krishtere ka vrarë me dhjetëra shkrimtarë, gjatë kohës së inkuizicionit apo më pas, apo artistë apo shkencëtarë, po të ishin kursyer ndoshta do të kishim më shpejt evolucion, mund të kishim pasur Steve Jobs para 100 vjetësh – nëse në kohën e inkuizicionit nuk do të kishim vrarë kaq shumë mendje të ndritura… ja pra të gjitha fetë kanë kaluar në një proces emancipimi kulturor. Edhe islami kam përshtypjen është në këtë rrugë dhe dyshoj që mund të jetë kështu përjetësisht. Pra dyshoj që përjetësisht, islami nuk mund të jetë kompatibël si doktrinë hyjnore dhe fetare me nevojën e njerëzve për të qenë praktikë. Se çfarë po bën sot dogma? Po pengon qytetarët e vet, ata të cilëve u shërben të jenë më praktikë dhe më të pajtueshëm me pjesën tjetër të botës. Unë nuk besoj kështu. Besoj se dhe ngjarjet e ‘Charlie Hebdo’ janë një pikë kthese që islami mund ta shfrytëzojë më mirë se kushdo tjetër”, thekson Blushi.