Maqedonia

“Bomba” e re Zaevit, Gruevski përgjoi mbi dhjetë OJQ

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, vazhdon me shpalosjen e bisedave telefonike në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë”, projekt i cili, siç pretendon ai, synon demaskimin e pushtetit të kriminalizuar.

Në konferencën e djeshme për shtyp, të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë tema e të ashtuquajturave “bomba” u referohej organizatave joqeveritare, transmeton AA. Zaev në fillim të konferencës për shtyp tha se më shumë se dhjetë organizatë joqeveritare janë përgjuar nga ana e kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski dhe nga ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.

Zaev këtë herë nuk shpalosi biseda të përgjuara telefonike, mirëpo theksoi se numri i bisedave të përgjuara është shumë i madh dhe materialet do t’u dorëzohen përfaqësuesve të organizatave joqeveritare. Siç tha ai, persona të ndryshëm dhe shumë aktivistë janë të përgjuar. “Numri i materialeve të përgjuara është shumë i madh dhe materialet do t’u dorëzohen përfaqësuesve të organizatave. Maqedonia përsëri do të jetë shtet demokratik, qytetarët e Maqedonisë përsëri do të jetojnë në demokraci”, u shpreh ai.

Në pyetjen e gazetarëve se cila qeveri do t’i organizojë zgjedhjet e ardhshme, Zaev u përgjigj se qëndrimi i tyre ngelet i njëjtë dhe i qartë, si dhe nëse nuk pajtohen me atë qëndrim, atëherë asgjë në takimin me eurokomisionerin Hahn në Bruksel nuk do të zbatohet. Sipas tij, opozita në bisedime ndodhet në kushte të pabarabarta dhe të padrejta, mirëpo vazhdon të negociojë, sepse siç thotë ai, beson se ekziston një mundësi për të gjetur një zgjidhje pa dhunë dhe në mënyrë paqësore.

“Për ne është e papranueshme që Qeveria e udhëhequr nga Nikolla Gruevski të udhëheqë këto zgjedhje. Kështu të marrë peng do të duhet të jetojnë qytetarët e Maqedonisë, qytetarët nuk e meritojnë këtë lloj të jetesës. Regjimi duhet të largohet. Hapi i parë në këtë drejtim do të jetë largimi i Nikolla Gruevskit nga kjo ndërtesës qeveritare dhe kjo e keqe kurrë të mos të përsëritet”, deklaroi Zaev.

Ndërsa i pyetur në lidhje me spekulimet se LSDM dhe BDI janë dakorduar për një marrëveshje, Zaev tha se tashmë janë shpalosur përgjime për krimet e BDI-së, ndërsa më tej hodhi poshtë të gjitha mundësitë për ndonjë marrëveshje dhe shtoi se BDI është pjesëmarrës në qeverinë e Nikolla Gruevskit. “BDI nuk duhet të pres që Gruevski të veprojë, le të tregojnë se nuk janë pjesëmarrës, le të largohen nga qeveria dhe Gruevski menjëherë do të bjerë”, u shpreh Zaev.

Lideri Zaev deklaroi se nuk do të ndalojë me shpalosjen e përgjimeve, por materialet që do të shpalosen do të zgjidhen me kujdes, në mënyrë që mos të rrezikojnë procesin e negociatave. Sipas tij, ai ndjehet i obliguar të vazhdojë me projektin “E vërteta për Maqedonisë”, sepse qytetarët duhet të dinë të vërtetën në lidhje me shpërdorimet që kryhen nga ana e pushtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button