Kronika

Bombat me celular, zbardhen përgjimet: Vendosim C4 ku të duash ti

Zbardhen përgjimet e dosjes në ngarkim të katër personave të arrestuar pak ditë më parë në Durrës, të dyshuar si pjesë e një grupi që prodhonin mina me celular.

krimet-e-rendaGjatë një komunikimi të regjistruar, i dyshuari Dritan (Febjus) Dauti ka garantuar një person tjetër, se ai me 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksploziv me porosi në automjete, komisariat policie, shtylla tensioni të lartë apo kudo tjetër.

E vetmja kërkesë e tyre ka qenë korrektesa në pagesë. I dyshuari Dauti nuk ka ditur se personi me të cilin po fliste ishte një agjent i infiltruar i policisë. “Nga ana e Policisë Gjyqësore është bërë i mundur regjistrimi i një bisede ndërmjet një agjenti të infiltruar dhe shtetasit Febjus Dauti, ku ky i fundit thotë se ai bashkë me 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozive me porosi në vende të ndryshme si makina, në komisariatin e policisë, shtylla të tensionit të lartë apo kudo, që të bëhen porosi kundrejt shpërblimit me para.

Ky shtetas thekson vetëm që pjesa e shpërblimit me para të jetë korrekte dhe në kohë, pasi kur e ka bërë edhe herë të tjera këtë punë, persona që e kanë porositur i kanë mbetur borxh një shumë prej 16 mijë eurosh”, zbardhej përmbajtja e përgjimit në dosjen e organit të akuzës. Me tej, sipas prokurorisë, i dyshuari Dauti i ka thënë agjentit të infiltruar: “Mjafton të thotë se ku e dëshiron që të vendoset lënda eksplozive dhe ai do t’i thotë çmimin dhe më pas e vendos atë. Gjithashtu mund ta vendos lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar nga distanca”.

Katër të arrestuarit e kësaj dosjeje, Dritan (Febjus) Dauti, Dashnor Dumani, Asllan Plaku dhe Bledar Plaku, u paraqitën dje në Gjykatën për Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi ndaj të katërve masën e sigurisë “arrest në burg”. Burime pranë gjykatës bënë me dije se vetëm Dauti ka pranuar të jetë përfshirë veprimtari të jashtëligjshme me lëndë plasëse, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë i kanë mohuar akuzat. Sipas prokurorisë, ata janë të dyshuar për akuzën e “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”

Masat e sigurise

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 4 shtetas, të dyshuar se kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”.

Pas arrestimit të 4 personave në flagrancë pak ditë më parë, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit në zonën e Shën Vlashit, në Durrës, prokuroria kërkon masën arrest me burg për shtetasit, Dritan (Febjus) Dauti, Dashnor Dumani, Asllan Plaku dhe Bledar Plaku.

Sipas prokurorisë, shtetasi Dritan (Febjus) Dauti në bashkëpunim me shtetas të tjerë dyshohet se ka vendosur edhe herë të tjera lëndë plasëse në zonën e Fushë – Krujës dhe Krujës në objekte të ndryshme. Ky shtetas thotë prokuroria, ka ndërruar e emrit nga Dritan në Febjus.

“Pas regjistrimit të procedimit penal nga ana e Prokurorisë, në bashkëpunim me Policinë është vijuar hetimi për personat e dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Nga ana e Policisë gjyqësore është bërë i mundur sigurimi i informacionit, në bazë të të cilit Febius Dauti dhe 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, vende publike apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para. Sipas informacionit të përftuar, këta shtetas synonin që porositësit e tyre të ishin korrekt në pagesa për kryerjen e veprimeve të tyre”,-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Po ashtu sqarohet se janë siguruar të dhëna se këta shtetas dyshohet se mund ta vendosnin lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar shpërthimin nga distanca.

“Në vijim të hetimit ka rezultuar se: Në datë 17.01.2015 në orën 16.20 në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësor në Shën Vlash, u konstatuan shtetasi Fabjus ( Dritan) Dauti, një person tjetër rreth moshës 30 vjec, i cili mbante në dorë një qese të kuqe. Në këto moment kanë ndërhyrë oficerët e policisë, të cilët kapën në duart e tij tre kallëpe, në trajtë cilindrike, me përmasa të ndryshme, të mbështjellë me natriban të zi, me dy fije të dala nga pjesa e trupit. Këto material dyshohet se janë lëndë shpërthyese e llojit eksploziv C4. Në momentet e këmbimit të lëndës plasëse kanë qenë të pranishëm dhe janë kapur nga policia edhe shtetasit e dyshuar Dashnor Dumani, Bledar Plaku e Asllan Plaku. Sa më sipër është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” parashikuar nga neni 282/a/2 i K.Penal”,-deklaron Prokuroria për Krimet e Rënda.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button