Boris Groys: Po jetojmë në një kohë e ngjashme me atë para Luftës së Parë Botërore
Kur lexon esetë politike të Boris Groys ngushëllohesh se lexon shkrime që nisen nga përvoja si në vende socialiste dhe në kapitaliste. Për DW-në ai shpjegon problemet e të majtës në botë dhe përhapjen e të djathtës.
DW: A ju kanë pyetur ndonjëherë në SHBA për racën?
Boris Groys: Për çfarë?
DW: Çfarë race jeni?
Boris Groys: Mua personalisht?
DW: Po. Mbase nuk ju kanë pyetur?
Boris Groys: Jo. Nuk më kanë pyetur. Po në përgjithësi po. Në përgjithësi tema e racës është e rëndësishme në Amerikë.
DW: Kur vjen nga Evropa ke probleme kur të pyesin për racën.
Boris Groys: Kur vjen nga Evropa je i bardhë. Apo jo? Kështu që çështja mbyllet këtu.
DW: Domethënë është në rregull të pyetesh për racën?
Boris Groys: Jo, jo. Pyetja që të bëhet është çfarë race je. Nëse je evropian, atëherë thua: i bardhë. Dhe je për amerikanët, racë e bardhë.
DW: Unë kam një problem këtu kur futem në internet të aplikoj për një kurs gjuhe dhe shkolla më pyet për racën që kam. Regjistrohesh online për kursin dhe gjatë regjistrimit të shfaqet maska me pyetje të ndryshme identifikimi, një prej të cilave është çfarë race jeni. Kur u konfrontova me këtë pyetje, fillova të lexoj dhe mësova se në SHBA kjo pyetje bëhet edhe gjatë numërimit të popullsisë. Për mua nuk është në rregull t’i pyesësh njerëzit për racën. Apo jam unë e vetmja që kam një problem me këtë gjë? Mua m’u desh të lexoja për të mësuar çfarë kriteresh përdoren për të përcaktuar racën, për të qenë një racë e caktuar dhe jo një tjetër.
Boris Groys: Ju jeni e bardhë, jeni e racës së bardhë, kjo është e qartë. Kjo ka të bëjë me atë që në Amerikë ekzistojnë kuotat e pakicës. Ekzistojnë variante të ndryshme për taksat që varen nga pyetja a punëson apo njerëz të pakicës. Domethënë ky dallim luan një rol të madh në çështjet ekonomike, në çështjet e taksave, në çështjet sociale. Që do të thotë që gjithçka këtu organizohet rreth kësaj pyetjeje. Kjo pyetje është e rëndësishme për organizimin politik këtu.
DW: A është kjo e njëjtë me pyetjen që të bëhet në Evropë çfarë nacionaliteti, përkatësisht etnie je? A mund të bëhet krahasim?
Boris Groys: Jo, nuk mund të bëhet. Në Amerikë pavarësisht çfarë race je, ti je amerikan, pra nacionaliteti yt është amerikan. Që do të thotë se pyetja për racën është parimisht pyetje për të treguar nëse je pjesë e shumicës, dhe shumica është e bardhë, apo je pjesë e pakicës dhe kjo janë njerëzit me ngjyrë dhe latinot e kështu me radhë…
DW: Kur lexojmë gazetat sot, kudo shkruhet se të djathtët janë duke avancuar.
Boris Groys: Po, ashtu mendoj edhe unë.
DW: A është ky një rrezik prej të cilit duhet të kemi frikë dhe duhet të përgatitemi apo një rrezik që duhet vetëm ta mbajmë nën vëzhgim?
Boris Groys: As njërën as tjetrën… Unë mendoj se ne duhet të shohim se nacionalizmi dhe e djathta po forcohet. Dhe kjo ka të bëjë me atë që e majta është shumë e dobët. Unë nuk mendoj se problemi nuk është se e djathta është duke u forcuar. Unë mendoj se problemi është se e majta është e dobët. Dhe e vetmja mundësi për të vendosur sërish balancën në shoqëri është forcimi i së majtës.
DW: Po flasim për të një të majtë të re? Apo për postkomunistët?
Boris Groys: Duhet parë puna e formës së të majtës. Çfarë është e majtë dhe si formohet e majta, është një çështje e hapur. Megjithatë, tradita e të majtës, edhe e të majtës komuniste ka qenë internacionalizmi dhe e majta ka qenë gjithnjë rezistente kundër nacionalizmit ekstrem. Tani pozicioni i të majtës është dobësuar. Unë mendoj se kjo ka të bëjë me atë që klasa punëtore (nëse mund ta quash kështu) është dobësuar. Marrëdhëniet ndërkombëtare midis tyre, ose le të themi më mirë internacionalizmi i shtresave të dobta të popullsisë ka rënë. Nacionaliste janë duke u bërë kryesisht shtresat e varfra të shoqërisë. Ato kanë frikë nga konkurenca globale.
DW: Keni këtu parasysh Gjermaninë?
Boris Groys: Jo, mendoj se kjo ndodh gjithandej.
DW: Problemi me të cilin ne kemi sot vështirësi ëhtë se nuk jemi më në gjendje të kuptojmë kur kemi të bëjmë me populizëm të djaththë dhe ku kemi të bëjmë me ekstremizëm të djathtë. Kufijtë këtu janë fshirë, në Evropë por edhe këtu në SHBA. Si mund ta bëjmë më mirë dallimin?
Boris Groys: Unë nuk besoj se është e mundur. Unë mendoj se nuk ka kuptim të kërkosh kufirin këtu. Nëse pyetja juaj ka të bëjë me këtë, atëherë përgjigja ime është se fashizmi është një fenomen historik i viteve 20 dhe 30 të shekullit të njëzetë. Ai nuk mund të përsëritet. Kjo nuk do të ndodhë. Ajo që e mban bashkë të djathtën është një mbrojtja kundër migracionit dhe imigracionit, kundër të huajve që hyjnë në shoqëri. Kjo është njëra. Dhe tjetra është reaksioni, unë do thoja, kundër pabarazisë ekstreme ekonomike, pabarazisë financiare e cila po shtohet tani në gjithë shoqëritë perëndimore. Unë mendoj se shumë vetë mendojnë se kjo vjen sepse shtresat e larta globalizohen dhe shtresat e ulta mbeten lokale. Dhe kështu ekziston një lloj neverie, një lloj pakënaqësie ndaj globalizimit sepse në kokat e njerëzve ai është i lidhur me pabarazinë ekonomike. Ata mendojnë se janë bërë të varur.
DW: Deri sa fillojnë emigrimin.
Boris Groys: Njerëzit në Gjermani nuk largohen nga vendi. Ata qëndrojnë në Gjermani. Por ata ndihen të pafavorizuar nga globalizimi.
DW: Ne i kemi përjetuar të dy sistemet, socializmin dhe kapitalizmin dhe automatikisht bëjmë krahasime. A ia vlejti ta shkatërronim një sistem për të kthyer sistemin tjetër në sundim të vetëm? Tani jemi duke parë që e ardhmja nuk është shumë premtuese.
Boris Groys: Pyetja është e gabuar. Puna është se ngjarjet rrodhën kështu.
DW: Po ne e ndihmuam rrjedhën.
Boris Groys: E ndihmuam apo nuk e ndihmuam… kështu rrodhi, socializmi u shkatërrua dhe kapitalizmi fitoi. Kjo është edhe arsyeja pse e majta është dobësuar kaq shumë. Kështu rrodhi dhe tani ne duhet të shikojmë se si të gjejmë veten në këtë konstelacion të ri. Unë mendoj se nuk ka kuptim të vrasësh mendjen çfarë ka qenë më përpara… ç’ka ka qenë më parë nuk ekziston më.
DW: Nuk duhet të mundohemi të kemi në të ardhmen një përzierje të dy sistemeve? Apo nuk ka alternativa të tjera të kësaj natyre? Duhet të mdihemi të kënaqur me këtë çfarë kemi?
Boris Groys: Unë mendoj se zhvillimi shkon gjithnjë e më shumë në drejtim të kapitalizmit. Të pasurit pasurohen edhe më shumë, të varfërit nuk bëhen të pasur dhe konkurenca rritet. Në përgjithësi ne kemi kapitalizëm dhe unë mendoj se në të ardhmen kjo do të forcohet edhe më shumë. Por njëkohësisht ekzistojnë edhe konflikte, për shembull midis Perëndimit dhe Rusisë, konflikte midis Perëndimit dhe Kinës dhe do shohim ku na çojnë këto konflikte. Momentalisht nuk mund të themi gjë.
DW: Që do të thotë se pyetja nuk është më në cilin sistem politik duhet të jetojmë. Për sistemin është marrë vendimi. Pyetja është cilat konflikte ekzistojnë brenda sistemit.
Boris Groys: Sistemet është gjithandej njësoj. Kapitalizëm i njëjtë gjithandej. Por, përveç tij ekzistojnë konflikte nacionale. Ne jemi duke jetuar në kohën e konflikteve nacionale. Si për shembull në fund të shekullit të 19-të, prej të cilave shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Ajo ishte luftë midis vendeve të ndryshme kapitaliste. Praktikisht ne ndodhemi në një kohë të tillë, të luftrave nacionaliste dhe konflikteve nacionaliste. Në këto konflikte është e përfshirë e gjithë bota. Për shembull nëse konflikti midis SHBA dhe Rusis ose midis SHBA dhe Kinës ashpërsohet, atëherë në të janë të involvuar të gjitha vendet. Apo jo? Kjo është një kohë e ngjashme me atë para Luftës së Parë Botërore.
DW: Por pa revolucionin si të thuash…
Boris Groys: Perspektiva për revolucion nuk ekzistojnë. Të paktën tani. Unë do thoja që Kina është bërë si Gjermania në shekullin e 19-të. Një fuqi e re, që rritet shpejt. Kështu krijohen konfliktet. Përveç kësaj ekzistojnë forca të reja dhe forca të vjetra. Këto janë konflikte që ne i njohim. Dhe ato janë konflikte më shumë brenda për brenda sistemit kapitalist.
Boris Groys, filozof, kritik arti dhe teoricien i mediave nga Gjermania jeton aktualisht në Nju-Jork. Ai ka lindur në Berlin dhe ka jetuar në Gjermani, Bashkimin Sovjetik dhe në Shtetet e Bashkuara dhe është profesor i mirëpritur në shumë universitete të botës.