Borxhet e energjisë, jo titull ekzekutiv
Kuvendi miratoi të enjten ne seancë plenare me 76 vota pro ndryshimet në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”, i cili parashikon heqjen e së drejtës prodhuesve të vegjël të energjisë dhe kompanive të përmbarimit të ngrijnë llogaritë e kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore.
Fatura e energjisë elektrike u kthye në vitin 2011 në titull ekzekutiv, ndërsa ky vendim vuri në vështirësi kompaninë KESH, pasi nuk pagoi në kohë energjinë e blerë nga HEC-et vogla.
Ky zinxhir i borxheve të krijuara e ka fillesën nga konsumatorët fundorë, që nuk paguajnë furnizuesin me pakicë dhe si rezultat, furnizuesi nuk ekzekuton detyrimin ndaj shoqërisë së shpërndarjes, shoqërisë së transmetimit dhe furnizimit me shumicë, ndërkohë që furnizuesi me shumicë (KESH) nuk paguan prodhuesit privatë të energjisë apo shoqëritë tregtare, të cilat i shesin energji elektrike nga importi.
Operatorët privatë përdorën mekanizmin e përmbarimit privat, i cili bëri ekzekutimin e faturave në kurriz të shoqërive të shtetit. Kjo i kushtoi KESH mbi 260 milionë lekë pagesa ndaj përmbaruesve.
Duke qënë se KESH-i s’ka mundësi financiare për të paguar faturat e prapambetura, përmbaruesit e aktivizuar nga kompanitë koncesionare mbajnë të bllokuar llogaritë bankare të KESH-it e për rrjedhojë, nuk lejojnë ushtrimin e aktivitetit normal të kësaj shoqërie.
Për të shmangur këto pagesa por edhe bllokimin e llogarive të KESH, ministria e Energjetikës hartoi ndryshimet ne ligjin që e shfuqizon faturën e shitjes së energjisë si titull ekzekutiv.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, tha gjate seances se sotme ne Kuvend se kjo është një masë e përkohshme, që kërkohet si pasojë e gropës financiare në sektorin energjetik, pavarësisht rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet.
Vetëm për vitin e kaluar janë paguar 276,8 milionë lekë në favor të shoqërive përmbarimore private.
Borxhi në total kap shifrën e 1.1 miliardë dollarëve, ndërsa deri tani kjo shifër është ulur me 150 milionë dollarë, si pasojë e masave të ndërmarra. Borxhi ndaj HEC-eve, rreth 30 milionë dollarë planifikohet të shlyhet në masën 100% brenda 6 muajve që vijnë. Ndërkohë, Qeveria ka bërë të ditur se po kryen në afat pagesat e faturave korrente për çdo muaj të këtij viti.