Borxhi i Shqipërisë, në garë për të kredituar 250 mln euro bankat më të mëdha
“Deutsche Bank” dhe “Credit Suisse” janë dy nga bankat, të cilat kanë shprehur interes për të financuar borxhin prej 250 milionë euro, që qeveria kërkon të marrë me dorëzaninë e Bankës Botërore.
Top Channel ka mësuar se, veç këtyre dy emrave janë dhe një sërë bankash të njohura europiane, të cilat duket se do të hyjnë në garën për të kredituar qeverinë shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar, që Ministria e Financave ka bërë edhe në mediat ndërkombëtare, afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 1 prill. Burime nga kjo ministri shprehen optimistë, se procesi do të përfundojë me sukses, pasi situata në tregje është pozitive. Sipas tyre, kjo do të bëjë të mundur, që vendi të sigurojë borxh me kosto të ulët.
Shqipëria nuk është vendi i parë në rajon, që del në tregjet ndërkombëtare me garanci të Bankës Botërore. Dy vitet e fundit, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë bërë të njëjtën gjë. Më konkretisht, vitin e kaluar, qeveria malazeze mori 100 milionë euro borxh të garantuara nga Banka Botërore me interes 4 për qind.
Banka që fitoi ishte pikërisht “Credit Suisse”, e cila duket se do të garojë edhe për kredinë e qeverisë shqiptare. Ministria e Financave synon, që i gjithë procesi i i dorëzimit të ofertave dhe vlerësimit të tyre të përfundojë brenda muajit të ardhshëm, ndërsa kredia të bëhet efektive që nga muaji maj.
Shuma prej 250 milionë eurosh, që qeveria do të marrë borxh nga privatët përmes këtij instrumenti, do të përdoret për financimin e defiçitit buxhetor. Por, veç 250 milionë eurove të garantuara nga Banka Botërore, qeverisë do t’i duhet këtë vit të rinovojë edhe 300 milionë eurot e tjera eurobond, të marra në vitin 2010.