☁️
Tiranë 20°C · Vranët 11 Tetor 2026
S&P 500 7,812 ▲0.59%
DOW 51,655 ▲0.83%
NASDAQ 27,366 ▲0.64%
NAFTA 91.85 ▲0.39%
ARI 4,216 ▲1.43%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1205 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9308 EUR/ALL 91.7722 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3988 EUR/TRY 55.2498 EUR/JPY 177.33 EUR/CAD 1.5964 EUR/USD 1.1205 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9308 EUR/ALL 91.7722 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3988 EUR/TRY 55.2498 EUR/JPY 177.33 EUR/CAD 1.5964
₿ CRYPTO
BTC $83,068 ▲ +0.25% ETH $2,504 ▲ +0.31% XRP $1.3939 ▼ -0.88% SOL $109.5500 ▼ -0.19%
S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 % S&P 500 7,812 ▲0.59 % DOW 51,655 ▲0.83 % NASDAQ 27,366 ▲0.64 % NAFTA 91.85 ▲0.39 % ARI 4,216 ▲1.43 %
EUR/USD 1.1205 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9308 EUR/ALL 91.7722 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3988 EUR/TRY 55.2498 EUR/JPY 177.33 EUR/CAD 1.5964 EUR/USD 1.1205 EUR/GBP 0.8471 EUR/CHF 0.9308 EUR/ALL 91.7722 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3988 EUR/TRY 55.2498 EUR/JPY 177.33 EUR/CAD 1.5964
11 Tet 2026
Breaking
Opinion

Braçja duhet t’i bëjë PS-së dhe Ramës ato që s’ua bëjnë dot ata që e kanë për detyrë…

Nga Ylli Manjani

“Të flasë…”, “Të ikë nga PS-ja…”, “Të godasë Ramën…”, “Të bëjë parti të re…”, “Të përçajë socialistët…”, “Të bëjë këtë…”, “Të bëjë atë…”

Hahahahahahah!

Janë sulur të gjithë t’i tregojnë Erion Braçes se çfarë duhet të bëjë. Madje ia kanë bërë edhe planin politik, strategjinë elektorale, itinerarin e largimit nga PS-ja dhe, po të jetë nevoja, edhe fjalimin e lamtumirës!

Të gjithë duan që Braçja të bëjë atë që ata vetë duhej ta kishin bërë prej kohësh, por që nuk dinë, nuk munden ose nuk kanë takat ta bëjnë.

Domethënë, tani na doli që Erion Braçe është zgjidhja për paaftësinë politike të opozitës shqiptare!

Kjo është vërtet madhështore!

Opozita, e cila mban përgjegjësinë kryesore politike për faktin që Rama dhe PS-ja qeverisin prej tre mandatesh pa pasur nevojë për të, ka zbuluar më në fund strategjinë e fitores, “të largohet Braçja nga PS-ja”!

Se çfarë duhet të bëjë vetë opozita, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të bëjë diçka Braçja!

Madje Braçja duhet të zvogëlojë edhe shumicën prej 85 mandatesh që opozita ia dorëzoi Ramës me fjongo, pas një tjetër disfate elektorale.

Duhet të dalë nga partia e vet, të prishë marrëdhëniet me grupin e vet politik, të hedhë në erë karrierën e vet dhe, mundësisht, të bëhet edhe kamikaz politik për kokrrën e qejfit të një tufe parazitësh dhe të paaftësh që nuk prodhojnë dot as alternativë, as besim, as vota.

Posi, posi!

Po përse duhet t’i bëjë Braçja të gjitha këto?!

Që të gëzojë kush?!

Populli?!

Hahahahahahah!

Ah, po! Harruam formulën magjike: Në emër të interesit publik!

Se këtu çdo budallallëk politik, sapo i vendos sipër etiketën “interes publik”, merr menjëherë pamjen e një akti heroik.

Po cili është ky interes publik, more aman?!

Interesi i publikut për të parë një sherr tjetër? Për të pasur një lajm më shumë? Për të dëgjuar një ish-socialist që del çdo mbrëmje në televizor dhe shan socialistët?!

Kjo është ajo që i mungon Shqipërisë?!

Apo ndoshta ia panë hajrin ata përpara Braçes, që menduan se duke u larguar nga grupi i tyre politik po i shërbenin interesit publik?! Disa dogjën karrierat, disa u shndërruan në personazhe të përhershme studiosh televizive, disa humbën çdo ndikim real politik.

Ndërkohë Rama dhe PS-ja vazhduan të qetë rrugën drejt një pushteti gjithnjë e më të pakonkurrueshëm.

Pushteti nuk rrëzohet duke prodhuar të pakënaqur për ekranet televizive. Pushteti sfidohet duke ndërtuar forcë politike, besim dhe alternativë.

Por këto kërkojnë punë. Dhe puna, siç duket, është një sakrificë tepër e madhe për ata që kanë zgjedhur profesionin e opozitarit të përjetshëm.

Jo, ore, jo! Braçe do të bënte një gabim të madh nëse do të largohej nga ai grup politik.

Politika nuk është sport individual. Është veprimtari kolektive. Për të ndryshuar diçka duhet të kesh ndikim, mbështetje, organizim dhe mundësi reale për të ndikuar në vendimmarrje.

I vetëm mund të bësh zhurmë. Brenda një grupi mund të bësh politikë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kritikat e Braçes nga brenda PS-së kanë shumë më tepër vlerë sesa do të kishin po të dilte jashtë saj. Kur një njeri i atij grupi thotë publikisht se diçka nuk shkon, ai na jep një informacion politik që nuk mund ta japë me të njëjtën peshë një kundërshtar i zakonshëm.

Ai na tregon se gjërat brenda pushtetit nuk janë domosdoshmërisht aq të bukura, aq harmonike dhe aq të përsosura sa na i paraqet propaganda.

Dhe kjo është e dobishme për publikun!

Po iku Braçe nga PS-ja, nesër do të jetë thjesht një tjetër i pakënaqur, i ftuar nëpër studio, që do të bëjë “llapa-llapa” për Ramën dhe socialistët. Një tjetër zë në korin e madh të atyre që flasin për pushtetin, por nuk ndikojnë dot mbi të.

Çfarë fituam?!

Një opozitar më shumë në televizor dhe një zë kritik më pak brenda pushtetit!

Urime për strategjinë gjeniale!

Madje, unë mendoj se edhe vetë PS-ja ka nevojë për Braçen. Dhe, nëse është e mundur, për disa të tjerë si ai. Sepse një parti që qeveris gjatë, që fiton vazhdimisht dhe që nuk ka përballë një opozitë serioze, rrezikon të humbasë aftësinë për të dëgjuar, për të reflektuar dhe për të korrigjuar vetveten.

Kritika e brendshme nuk është domosdoshmërisht dobësi. Shpesh është mekanizmi i fundit që e mbron një organizatë politike nga vetëkënaqësia dhe arroganca. Prandaj, Braçe bën mirë të flasë. Të kritikojë. Të kundërshtojë kur mendon se ka arsye. Dhe ta bëjë këtë aty ku fjala e tij ka ende peshë politike.

Nuk ka asnjë detyrim moral, politik apo publik të vetëshkatërrohet për t’u krijuar të tjerëve iluzionin e një fitoreje që nuk janë në gjendje ta arrijnë vetë.

Se, në fund të fundit, çfarë logjike është kjo:

Ik ti nga grupi yt, që të kënaqem unë!

Prish ti karrierën tënde, që të kem unë një lajm!

Lufto ti Ramën, se unë nuk e mund dot!

Bëj ti opozitën, se unë kam punë të merrem me opozitarizmin tim!

Hahahahahahah!

Kjo nuk është as strategji politike, as interes publik, as thirrje për demokraci. Kjo është thjesht një formë masturbimi publik politik, ku të paaftët fantazojnë se si një tjetër duhet t’ua realizojë dëshirat që ata vetë nuk kanë zotësinë t’i kthejnë në realitet.

Dhe pjesa më qesharake është se, edhe sikur Braçe t’ua plotësonte dëshirën, të nesërmen po këta do të kërkonin një Braçe tjetër brenda PS-së.

Në fakt, problemi i tyre nuk është se çfarë bën Braçja. Problemi është se nuk dinë çfarë të bëjnë vetë!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.