Sporti

Brazil-Holandë, sfida e lamtumirave

timthumbBrazili dhe Holanda luajnë sonte mes tyre sfidën për vendin tretë, atë që cilësohet si ngushëllimi minimal për dy skuadrat që i shkuan shumë afër finales së madhe të Botërorit. Ndonëse fillimisht pjesëtarë të dy ekipeve deklaruan se për ta do të ishte më e mirë që kjo ndeshje të mos zhvillohej, në vigjiljen e saj, situata ka ndryshuar, pasi të dyja palët kanë bërë të qartë se synojnë fitore për të mbyllur sa më mirë këtë aventura. Një arsye më shumë janë lamtumirat e shumta që do t’i japin dy kombëtareve jo vetëm trajnerët përkatës, por edhe lojtarë të ndryshëm.

Te Brazili, duket e sigurt lamtumira e Skolarit, edhe pse një vendim për të do ta japë Federata Braziliane pas Botërorit, sepse ai personalisht dëshiron të vazhdojë. Sido që të jetë, pas kësaj sfide, nga ekipi kombëtar do të largohen disa lojtarë të vjetër në moshë, si Xhulio Cesar, Maksuell, Maikon e Fred, të cilëve mund t’u bashkohen Hernanes, Dani Alvesh e Fernandinjo, që do të zëvendësohen me futbollistë më të rinj në përgatitjen për edicionin e ardhshëm të Botërorit. Kjo është arsyeja pse dje, Skolari ka punuar gjatë me ekipin për të përgatitur ndeshjen kundër Holandës në qendrën stërvitore në Teseropolis me idenë për t’u bërë vend lojtarëve më të rinj. Kësisoj, formacioni pritet të shohë mes titullarëve emra si Uillian, Ramires dhe Xho, ndërsa lojtarët që zhgënjyen ndaj Gjermanisë do të ulen në stolin e rezervave. Duket se ndryshimet i janë kërkuar trajnerit nga drejtuesit e Federatës Braziliane, të cilët nuk duan të humbin kohë dhe që ndaj Holandës do të fillojnë punën për ciklin e ri, i cili ka për detyrë që në Botërorin e ardhshëm të ngrejë përsëri lart imazhin e Brazilit në botë. Sigurisht që lideri i kësaj skuadre do të vazhdojë te jetë Niemar, që dje i është bashkuar ekipit për të mbështetur shokët e tij para sfidës me holandezët. “Fitojmë bashkë, humbim bashkë”, ishte mesazhi i qartë që sulmuesi dha para mediave në konferencë për shtyp, duke treguar se pavarësisht mungesës në sfidën ndaj Gjermanisë, e kishte përjetuar atë ndeshje sikur të kishte qenë në fushën e lojës.

Por edhe holandezët duan ta mbyllin sa më mirë këtë edicion, ku numri i titujve botërorë për ta mbeti përsëri zero. “Mund të mos jemi ekipi me cilësinë më të madhe teknike, por jemi ekipi më i vështirë për t’u mundur. Tani duam vendin e tretë dhe të largohemi nga turneu pa humbuar asnjë ndeshje. Më mirë të kishim humbur 7-1 sesa ashtu, me penallti, pasi nuk shkuam në finale edhe pse kundërshtarët nuk u treguan më superiorë ndaj nesh”, ishin fjalët e Van Gal, i cili që nga e hëna është zyrtarisht trajner i Mançester Junajtid, duke i dhënë lamtumirën Holandës. Atij do t’i bashkohet edhe Dirk Kajt, ndërsa në dyvjeçarin e ardhshëm, nën drejtimin e Dani Blind, pritet të ketë më pak hapësira edhe për 30-vjeçarët Van Persi e Huntelar, për t’i bërë vend një brezi të ri me emra si Depai e Lens që treguan se kanë shumë të ardhme. Ndonëse Van Gal nuk e ka bërë të ditur formacionin titullar për këtë sfidë, pritet që ai të bëjë shumë ndryshime, duke lënë pushim titullarët për të aktivizuar kryesisht këta lojtarë të rinj.

Skolari – Personi që do të marrë drejtimin e Federatës Braziliane në vitin 2015, Marko Del Nero, ka çuditur të gjithë duke deklaruar se pret që Skolari të qëndrojë

Van Gal – Trajneri holandez ka shmangur polemikat në distancë me Skolarin. “Kur kam folur për favorizimin e Brazilit, e kam bërë me fakte”, ishte komenti i tij

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button