Britani, Cameron zyrtarizon fitoren; krerët e opozitës japin dorëheqjen
David Cameron është rikthyer në Downing Street, tani me fitoren e zyrtarizuar në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar.
Konservatorët kanë fituar terren kryesisht në Angli dhe Uells dhe nga të dhënat e fundit të BBC rezulton se kanë siguruar 331 vende në Parlament, duke gëzuar një mazhorancë të lehtë.
Ndërkohë, burime të afërta nga Ed Miliband deklarojnë se lideri i laburistëve ka dhënë dorëheqjen pasi partia e tij dështoi në këto zgjedhje, edhe në Skoci përballë SNP-së.
Edhe liberal-demokrati Nick Clegg ka njoftuar një veprim të tillë, pasi partia e tij doli shumë e tkurrur nga këto zgjedhje, nga 57 në 8 ulëse në Parlament.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe lideri i UKIP, i cili në disa zona që konsideroheshin bastione të tij humbi përballë konservatorëve.
Zoti Cameron ka deklaruar se ai do të vazhdojë me synimet e tij për të mbajtur një referendum mbi qëndrimin ose jo të Britanisë në Bashkimin Evropian dhe për të përmbushur planin ekonomik të konservatorëve.
“Synimet e mia mbeten të qarta, të qeveris në bazat e qeverisjes për këdo që jeton në Mbretërinë tonë të Bashkuar. Sepse unë dua ta mbaj vendin të bashkuar, duke implementuar sa më shpejt ato premtime për të cilat u bashkuam me partitë e tjera në Uells dhe Skoci”, tha Cameron.
Zoti Cameron u kthye në Downing Street i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Samantha dhe në ditët e ardhshme pritet të mbajë një seancë me mbretëreshën.
“Unë e dua partinë time dhe shpresoj që qeveria që do të doja të udhëheq të ruajë mantelin e fitores, mantelin e Një Kombi, Një Mbretërie të Bashkuar. Kjo është mënyra se si do të qeveris nëse do kem fatin të formoj një kabinet në ditët e ardhshme”, shtoi ai.