Bruçaj dëshmon në gjyqin e imamëve të vetëshpallur
Kryetari i Komunitetit Mysliman shqiptar, Skënder Bruçaj ka qenë në cilësinë e e dëshmitarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po gjykohen 9 imamët e vetëshpallur, të akzuar për rekrutim të personave me qëllim për t’i dërguar në luftime dhe akte terroriste në Siri.
Në dëshminë e tij, Bruçaj deklaroi se i kishte vënë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda një listë me 10 xhami në të gjithë vendin të cilat ishin jashtë juridiksionit të Komunitetit Mysliman dhe se imamët që predikonin në to nuk ishin emëruar nga Komuniteti, duke krijuar dyshime mbi frymën e predikimit tek besimtarët. Pikërisht në dy prej këtyre xhamive, në Tiranë vepronin dhe predikonin 9 të pandehurit e këtij procesi, përpara arrestimit.
Ndërkohë që Bruçaj dëshmoi, as më shume as më pak, por thjeshtë letër këmbimin zyrtar me Prokurorinë, të pandehurit që e kishin thirrur, nuk nxorrën asnjë fakt që mund t’u shërbejë pretendimeve të tyre për pafajësi. Përkundrazi, gjatë dëshmisë së tij, kreu i Komunitetit Mysliman është ndërprerë disa herë nga të pandehurit, të cilët nuk kanë kursyer as etiketime, si spiun i dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje gjatë këtyre replikave, trupi gjykues është detyruar të nxjerrë nga salla dy nga të afërmit e të akuzuarve, që flisnin nga publiku, ndërsa i pandehuri Gerti Pashja, e ka pyetur kreun e Komunitetit Mysliman, nëse quhet ekstremizëm të predikosh me një libër të vetë Komunitetit Mysliman dhe përgjigjia e Bruçajt ka qenë, jo nëse predikon në bazë të atij libri.
Ndonëse dëshmia e Bruçajt nuk solli asgjë të re për çështjen, prezenca e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda duket se u shfrytëzua nga të pandehurit për të lëshuar epitete dhe etiketime që nuk kanë lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre.