BSH diskuton javen qe vjen raportin e politikes monetare
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë diskuton javen qe vjen raportin e ndërmjetëm të politikës monetare, qe konsiston ne analizen e treguesve ekonomike dhe monetare per t’i paraprire ndryshimit ose jo te normes baze te interesit.
Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një përmirësim progresiv të ritmeve të rritjes. Ky përmirësim pasqyron zgjerimin e kërkesës së brendshme – me fjalë të tjera rritjen e konsumit dhe të investimeve private, – ndërkohë që kërkesa e huaj shfaqet e dobët dhe politika fiskale vazhdon të ruajë një kah konsolidues. Informacioni i ri i përftuar gjatë gjysmës së parë të vitit është në linjë me këtë gjykim.
Intensiteti i goditjeve të ofertës, të cilat sollën rënien e shpejtë të inflacionit në pjesën e parë të vitit, duket se po zbehet. Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajin maj, duke arritur vlerën 0.7%. Kjo ecuri konfirmon gjykimin tonë mbi natyrën kalimtare të goditjeve të sipërpërmendura. Megjithatë, analizat konkludojnë se balanca e presioneve inflacioniste është ende e dobët. Aktiviteti ekonomik mbetet nën potencial, çka sugjeron se rikthimi i inflacionit në objektiv do të jetë një fenomen gradual dhe afatmesëm.
Sipas BSH-se, politika monetare ka marrë një natyrë më të fortë stimuluese gjatë vitit 2016. Pas dy uljeve të njëpasnjëshme në muajt prill e maj, norma bazë e interesit ndodhet aktualisht në nivelin 1.25%. Forcimi i stimulit monetar ka sjellë uljen e normave të interesit në të gjitha segmentet e tregut financiar, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve private. Banka e Shqipërisë gjykon se ambienti financiar – i karakterizuar nga norma të ulëta interesi dhe nga likuiditet i bollshëm – duhet të inkurajojë një qasje më pozitive të bankave ndaj kreditimit.