Bujqësia rritet në kulmin e krizës së pandemisë
Bizneset në zinxhirin e sektorit bujqësor, që nga prodhuesit, grumbulluesit dhe shitësit, kanë siguruar fitime më të larta këtë vit prej sezonit të mbarë bujqësor dhe kërkesës së qëndrueshme për ushqime, e cila nuk u ndikua nga kriza e pandemisë. Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh në 9 grupet e eksportit, duke zënë 14% totalit. Rezultatet pozitive u udhëhoqën nga shitjet e perimeve. Arsye të tjera lidhen me investime në prodhim, magazinim dhe eksport. Pandemia ka rritur hapësirat për tregje të reja dhe partnerë të rinj tregtarë, por karantina e dytë në Europë po sjell sërish probleme.
Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19 ka rezultuar fatale për një pjesë të madhe të aktiviteteve ekonomike në vend, por për disa sektorë ka sjellë mundësi dhe fitime. Frenimi i shpenzimeve për disa mallra dhe shërbime jo jetike e ka çuar cash-in në industrinë ushqimore dhe gjithë zinxhirit të saj.
Përkundër zhvillimeve të përgjithshme ekonomike, shitjet dhe konsumi i ushqimeve janë rritur këtë vit. Kërkesa më e lartë, sidomos për prodhime bujqësore të freskëta, bashkë me një sezon të mbarë, ka rritur fitimet për fermerët shqiptarë në këtë vit të vështirë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se eksporti i ushqimeve dhe pijeve, gjatë periudhës janar-tetor 2010, është rritur me 10% në krahasim me 2019, duke arritur vlerën e 32 miliardë lekëve (257 milionë euro). Ushqimet u renditën si grupi i tretë më i madh në 9 grupet e eksportit, duke zënë 14% totalit të totalit. Rezultatet pozitive u udhëhoqën nga shitjet e perimeve, të cilat shënuan rritje vjetore me 14% në 10-mujor duke arritur vlerën e 7.4 miliardë lekëve, ose 60 milionë eurove.
Përfaqësuesi i kompanisë “Doni Fruits”, eksportuesi më i madh në vend i prodhimeve bujqësore, tha se eksportet ishin më të larta këtë vit. Pas hezitimit që u krijua në karantinën e parë të pranverës, eksporti ka vijuar normalisht në shumicën e vendeve të Europës, i diktuar nga rritja e kërkesës për produkte ushqimore. “Doni Fruits” eksporton në 35 vende të Europës dhe së fundmi, ka nënshkruar një kontratë furnizimi në Arabinë Saudite. Një pjesë e suksesit ka ardhur falë përmirësimit të zinxhirit të vlerës, pasi kompanitë eksportuese po asistojnë me këshilla fermerët dhe po sjellin fara dhe fidanë që të prodhojnë për kërkesën e vendeve partnere.
Por, me rikthimin e valës së dytë dhe masave kufizuese në shumicën e vendeve të Europës, kanë rinisur vështirësitë. Kastriot Gogo, nga kompania “Gogo Eksport”, thotë se në muajin tetor dhe nëntor, kërkesa për produkte bujqësore ka rënë në mënyrë drastike, sidomos në rajon, në një kohë që në vend ka prodhim të mjaftueshëm në të gjitha kulturat e stinës, por edhe në domate dhe kastravecë.
Vendet e rajonit dhe të Europës, ku kompania “Gogo” eksporton, kanë ulur kërkesën sidomos për domate dhe në përgjithësi për prodhimet tona. Rënia e kërkesës lidhet edhe me kulturën e këtyre vendeve që në këto kohë nuk konsumojnë domate, por perime të dimrit, si lakra, patate, spinaq dhe karota.
Ndryshimi është ndier edhe te prodhuesit. Stavri Gjini drejton një shoqatë fermerësh në Myzeqe. Serat janë plot me domate, por në tetor dhe nëntor, i pezulloi shitjet. Prodhimet shpesh po shiten nën kosto, me humbje në tregun vendas për shkak se eksportuesit nuk po kërkojnë më. Zoti Gjini pohon se me gjithë vështirësitë që ka bujqësia shqiptare, ky vit ka qenë më i mirë se 2019-a.
Teksa eksportet e fasonit, mineraleve, materialeve të ndërtimit janë ulur për shkak të pandemisë, nga ana tjetër eksportet e perimeve, peshkut të përpunuar, bimëve mjekësore, frutat dhe zarzavatet e përpunuara kanë shënuar rritje. Shporta e eksporteve shqiptare po pasqyron ndryshimin e sjelljes konsumatore për shkak të pandemisë.
Rritje në kulmin e krizës
Prodhimet tipike të fushës, si domatja, bostanorët dhe kastraveci shënuan rritje dyshifrore të eksporteve gjatë 10-mujorit 2020 në raport me një vit më parë, në kulmin e një krize ekonomike të pashoqe. Në dekadën e fundit, eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me ritme të larta prej bazës së ulët, rritjes së kërkesës në tregjet e huaja dhe prodhimit më të hershëm sezonal në vendin tonë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe këtë vit të vështirë, ritmet e rritjes së eksporteve bujqësore nuk kanë ndalur. Kërkesa për ushqime nuk u prek nga pandemia, përkundrazi ka shënuar rritje dhe, nga ana tjetër, fermerët po rrisin kualitetin e prodhimeve.
Fermeri Stavri Gjini nga zona e Myzeqesë, zona më prodhuese në vend, pohon se pandemia nuk e ka ndërprerë asnjë ditë punën në fushë. Gjini thotë se kualiteti i farave dhe fidanëve, si dhe plehrave është përmirësuar dhe për rrjedhojë, shitjet këtë vit ishin më të larta.
Zoti Gogo, i cili prej vitesh operon në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore, shprehet se, pavarësisht vështirësive është rritur bashkëpunimi në zinxhirin e bujqësisë. “Ne i këshillojmë dhe i asistojmë, madje i furnizojmë fermerët me të cilët bashkëpunojmë me fidanë dhe plehra me qëllim që të përfitojmë prodhimet cilësore që Europa kërkon”, tha ai.
Dy vitet e fundit, cilësia e prodhimeve është përmirësuar dukshëm pas disa incidenteve që u shfaqën vitet e kaluara ku prej dyshimeve, për cilësinë, disa kamionë u kthyen në pikat kufitare. Ky vit ka qenë i mbarë edhe nga kushtet klimatike, të cilat kanë favorizuar prodhimet në fusha përtej sezonit normal. Vitet e tjera nuk ishte e zakontë të rriteshin domate në fushë në tetor.
Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019 dhe me 27% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Me ritme të ngjashme u rritën edhe eksportet e frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019. Përveç frutave dhe perimeve të freskëta, vihet re rritje me ritme të larta edhe në zarzavatet dhe frutat e përpunuara. Ndonëse të ulëta në vlerë, me vetëm 19 milionë euro, eksportet e prodhimeve bujqësore të përpunuara u rritën me 22%.
Pandemia ka nxitur të ushqyerit e shëndetshëm në të gjithë botën. Regjimi i kontrolluar ushqimor me fruta e perime të freskëta dhe çajet janë parë si profilaktike për të forcuar imunitetin. Kjo tendencë e ka mbajtur kërkesën për ushqime të qëndrueshme, në një kohë që kërkesa për mallra të tjerë joushqimore ka pësuar rënie.
Mbështetja me fonde dhe politika rrit eksportet e agroindustrisë në kohë krize
Krahas frutave dhe perimeve të freskëta në këtë vit krize shënuan rritje të konsiderueshme edhe eksportet e frutave dhe zarzavateve të përpunuara. Ndonëse hapësira për rritjen e eksporteve në këtë hallkë të rëndësishme të bujqësisë është ende shumë e madhe, sinjalet e dy viteve të fundit janë pozitive. Në fund të 10-mujorit 2020, eksportet e këtij grupi arritën 2.4 miliardë lekë, me një rritje 22% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s.
Alban Zusi, i cili drejton Shoqatën e Eksportuesve dhe një nga operatorët kryesorë të agroindustrisë, tha se rritja e eksporteve po vjen për dy arsye kryesore. E para, për shkak të politikës fiskale të vitit 2014-2018, me TVSH-në. Agropërpunuesit, gjatë kësaj periudhe, i blenë prodhimet 14% më lirë dhe patën mundësi të bëjnë investime. E dyta, një pjesë e madhe e fondeve të BE-së dhe të tjera janë fokusuar si mbështetje në për agroindustrinë, duke i dhënë asaj një stimul që ka nisur të reflektohet në eksporte. Zusi tha se, ndryshe nga mallrat e tjerë, produktet e agroindustrisë nuk u ndikuan nga ulja e konsumit në BE. Kjo tendencë bashkë me përmirësimin e brendshëm i kanë favorizuar eksportin e produkteve të agropërpunimit.
Me gjithë këtë përmirësim, agroindustria vazhdon të jetë zinxhiri i këputur i vlerës në sektorin e bujqësisë. Prodhimet e fushës, sidomos ato që teprojnë dhe nuk kanë kualitet të lartë, duke u përpunuar do të shiteshin me çmime shumë të larta dhe në këtë mënyrë, do të rrisnin edhe fitimet për prodhuesit. Zoti Zusi thotë se duhen disa investime që nuk kushtojnë shumë, por mund të rrisin ndjeshëm fitimet në këtë sektor.
Për shembull, mollët e dorës së dytë në Korçë, do të mund të shiteshin me vlerë të lartë nëse bëhen reçel, komposto ose lëng, por në fakt shumica e tyre kalben nën pemë. Domatet, kastravecët dhe lakrat që nuk shiten dot në tregje, mund të përpunohen në formën e turshive. Por sektori i agropërpunimit, për shkak kostove të larta që prodhon mungesa e ekonomisë së shkallës, vuan nga fitimet e ulëta.
Altin Hoxhaj, i cili zotëron një fabrikë të prodhimit të salcës në zonën e Fierit, tha se produkti është shumë cilësor, por jo konkurrues në çmim.
“Prodhoj pure domate natyrale, pa konservantë dhe aditivë. Kosto për shishe është 75 lekë, ndërkohë në markete, salca shitet me 65 lekë nga konkurrenca e pandershme dhe produktet nga Kina me shtesa aditivë dhe bojë” – thotë zoti Hoxha, sipas të cilit, edhe kultura e konsumit vendas është drejt më së lirës. Të dhënat e FAO-s, në një vit normal, tregojnë se Maqedonia eksporton rreth 40 milionë euro fruta dhe perime të përpunuara, ndërsa Shqipëria këtë vit eksportoi 20 milionë euro.
Eksportet e peshkut vazhdojnë rritjen, por pengohen nga kuotat e kufizuara
Nga grupi i ushqimeve, eksporti i peshkut vijoi rritjen edhe këtë vit gjatë periudhës së krizës me 12,6% në dhjetëmujor. Zoti Zusi, i cili operon në sektorin e përpunimit të mishit dhe peshkut për eksport, tha se, një pjesë e madhe e rritjes i dedikohet investimeve në teknologji në vitet e fundit. Kompanitë e tij njohën rritje mbi 20% të eksporteve edhe në këta muaj me masat kufizuese të karantinë së dytë.
Operatorë të tjerë të sektorit pohojnë se rritja do të ishte edhe më e lartë nëse qeveria do të negocionte kuotat pa taksa me BE-në. Përfundimi i kuotave të lejuara në shtator për eksportin e açuges pa taksë drejt vendeve të BE-së, po shkakton të njëjtin problem për të pestin vit radhazi për industrinë.
Albi Ndoci, administratori i kompanisë “Mare Adriatik sh.p.k”, përpunuesi më i madh i açuges në vend, tha për “Monitor” se sektori i përpunimit të açuges ka kaluar në kolaps dhe prej shtatorit, malli ka mbetur stok, pa u shitur në magazinë. “Kuotat e lejuara me BE-në kanë përfunduar dhe për të eksportuar mallin, ne duhet të paguajmë 25% të vlerës së produkteve taksë doganore. Kjo është e pamundur financiarisht dhe për këtë arsye, është bllokuar tërësisht eksporti i kompanive shqiptare. Tregu po mbetet pa u furnizuar, ndërsa ne do të presim muajin janar për të nisur punën”.
Kuota e lejuar e eksporteve drejt vendeve të BE-së, pa taksë, është deri në 1,6 mijë tonë në vit, për produktet e përpunuara ‘Made in Albania’, e miratuar që në vitin 2005. Por kapacitetet përpunuese të industrisë, janë shumë herë më të larta se kuota e përcaktuara. Të dhënat zyrtare tregojnë se industria eksporton rreth 6 mijë tonë produkt të përpunuar, ku thuajse gjysma e tyre (2,5 mijë tonë) janë produkt i peshkut açuge.
Zoti Zusi tha se rritja e eksporteve të agropërpunimit u nxit edhe nga një hendek i lënë bosh në BE nga furnitorët spanjollë dhe italianë gjatë karantinës së parë. Kjo u shërbeu për mirë prodhuesve shqiptarë të cilët shfrytëzuan këtë hapësirë të lënë bosh, duke gjetur edhe partnerë të rinj tregtarë.
Përmirësimi dhe rritja e eksporteve të agropërpunimit do të jetë i qëndrueshëm, nëse qeveria nuk shton politikat subvencionuese për mbështetjen e industrisë. Në rajon dhe BE, ky sektor mbështetet fort, ndaj produktet shqiptare në finale nuk janë konkurruese pasi dalin në treg me çmime të larta. Eksporti i peshkut, për nga vlera, është i dyti më i madh në gupet e eksportit të ushqimeve pas zarzavateve, që përfaqësohen nga domatet dhe kastravecët.
Pandemia nxit eksportet e bimëve mjekësore
Ky vit krize ishte i mbarë për eksportuesit e bimëve mjekësore, rritja e kujdesit për shëndetin dhe përdorimi i tyre në farmaceutikë nxit kërkesën për to. Gjatë 10-mujorit, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17%, me vlerë totale prej 4.3 miliardë lekësh. Bimët mjekësore ishin grupi i tretë më i madh në 22 grupet që përfaqësojnë eksportin e ushqimeve.
Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, deklaroi se arsyet e rritjes së eksporteve të bimëve mjekësore në pandemi lidhen me përdorimin e tyre nga kompani ndërkombëtare farmaceutike për ilaçe kundër COVID-19 dhe shtimin e kërkesës në tregjet europiane nga SHBA, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën.
“Shumë kompani të mëdha farmaceutike në botë i kanë kthyer ambientet e tyre në laboratorë kërkimesh për gjetjen e medikamenteve për kurimin e COVID-19 dhe të vaksinës. Një pjesë e bimëve që ne eksportojmë, po përdoren për luftën kundër koronavirusit. Rritja e kërkesës është ndikuar edhe nga acarimi i marrëdhënieve të Kinës me SHBA, dhe një pjesë e mirë e tregjeve të këtij të fundit i janë drejtuar Europës dhe vendit tonë për bimë mjekësore”, thotë Gjoka.
Edhe sasia e bimëve të mbledhura këtë vit ishte më e lartë se vjet pasi shumë banorë të zonave rurale, në pamundësi për të siguruar të ardhurat me punë bujqësie jashtë vendit, u detyruan të punojnë në Shqipëri.
Cikli i mbyllur në bujqësi sinjalizon rritjen e eksporteve
Kompania nga Kosova, “Doni Fruits”, është aktualisht operatori më i madh i eksportit të prodhimeve të freskëta, zarzavateve. Me aktivitet në vendin tonë që në vitin 2013, kompania realizoi të ardhura 7.5 milionë euro vitin e kaluar, teksa aktiviteti është zgjeruar këtë vit për shkak se gjeografia e eksportit përfshin 35 vende. Përfaqësues nga kompania pohuan se, rritja po vjen për shkak të krijimit të ciklit të mbyllur që nga blerja e farave, fidanëve, mbjellja dhe eksporti.
Cikli i mbyllur siguron cilësinë e produktit, lehtësinë në gjetjen e tregjeve dhe çmime më të larta. Kompania po merr toka me qira, të cilat i mbjell me fidanë dhe fara të importuara nga vendet e BE-së, pastaj i depoziton në pikën e grumbullimit me kushte frigoriferike, ndërtimi i të cilës përfundoi këtë vit. Më pas, po vetë siguron edhe eksportet te partnerët tregtare të BE-së. Vitet e fundit, eksportuesit kanë rritur këshillat për fermerët për varietetet që duhet të kultivojnë.
Kompania ka kontrata me më shumë se 1500 fermerë, me afat trevjeçar, të cilat shërbejnë si bazë për kryerjen e transfertave bankare. Pagesat bëhen vetëm me bankë për dy-tri ditë deri në dy muaj. Fermat e mëdha zakonisht presin për periudha më të gjata – ato më të voglat zakonisht kanë nevojë për pagesa më të shpejta. Kompania përdor kreditë afatshkurtra për të bërë pagesat. Ata u ofrojnë farat fermerëve dhe shpesh fermerët i prodhojnë vetë fidanët dhe këto paguhen kur fermerët dorëzojnë produktin. Në këtë formë, ata ofronin edhe plehrat, por kanë pasur probleme me pagesat, prandaj tani ofrojnë vetëm farat.
Në zonat më prodhuese në vend janë edhe rreth 23 kompani që merren me grumbullimin dhe shitjen e perimeve të serave në qarqet e Fierit dhe Beratit. Ekspertët Engjëll Shkreli dhe Drini Imami, në një studim që kanë bërë për fizibilitetin e prodhimit të perimeve së fundmi, raportojnë se perimet e serrës janë produktet e vetme, ose të paktën kryesore që eksportohen. Investimi tipik i eksportuesve janë magazinat dhe mjetet e transportit.
Shumica prej tyre nuk kanë magazina frigorifer dhe linja seleksionimi, pastrimi dhe ambalazhimi, me ndonjë përjashtim. Fermerët e intervistuar ankoheshin se eksportuesit u imponojnë atyre çmime shumë të ulëta. Fermeri Stavri Gjini pohoi se shpesh eksportuesit koordinohen duke ju ofruar atyre çmime të ulëta me qëllim që të rrisin fitimet, ndërsa fermerët duke qenë të vegjël dhe të paorganizuar në kooperativa/grupe, nuk kanë fuqi të negociojnë për çmimin. Vetë eksportuesit shpjegojnë se ata blejnë nga fermerët me çmime të ulëta, për shkak se në tregjet e eksportit shesin me çmime të ulëta zakonisht pa kontrata paraprake.
Studimi për zinxhirin e vlerës, sugjeron investimet në sera
Ekspertët Imami dhe Shkreli kanë bërë një studim për zinxhirin e vlerës së prodhimeve e perimeve, në të cilin sugjerohet se, investimet në serrat (e thjeshta) pa ngrohje për prodhimin e perimeve sigurojnë fitime më të larta në zinxhirin e vlerave. Duke rritur investimet, ekspertë thonë se serrat mund të përdoren për më shumë se një cikël prodhimi brenda vitit dhe në disa zona, deri në tre cikle prodhimi. Kjo e bën këtë lloj investimi shumë përfitues.
Përdorimi i bletëve për polenizimin e domates është gjithashtu një tendencë e re në këtë sektor, që mundëson një cilësi më të lartë të produktit. Ka gjithashtu një numër të kufizuar serrash me ngrohje. Pothuajse të gjithë magazinuesit lokalë dhe shitësit e mëdhenj me shumicë kanë bërë investime bashkëkohore në kapacitetet e magazinimit. Qendrat e ambalazhimit, të cilat përfshijnë
linjat e pastrimit, seleksionimit dhe ambalazhimit janë gjithashtu një tendencë e re, veçanërisht për eksportuesit e mëdhenj. Kjo kategori eksportuesish kanë investuar edhe në dhoma frigorifer, megjithëse kjo nuk paraqet një investim tipik për eksportuesit. Vlerësimet e ekspertëve tregojnë se ka ende mundësi të mëdha për të rritur sipërfaqet me serra. Me qëllim që Shqipëria të shfrytëzojë potencialin e saj, sipërfaqja me serra duhet të rritet në 5000 hektarë nga rreth 1500 ha që kultivohen aktualisht. Serrat me ngrohje qendrore kanë treguar se janë më pak rentabël se serrat e thjeshta me ngrohje diellore, veçanërisht për shkak të kostos së lartë të lëndës djegëse.
Kështu që, instalimi i sistemeve të ngrohjes me biomasë në serrat me ngrohje qendrore përbën një mundësi që mund të shqyrtohet për financim. instalimi i sistemeve automatikë të kontrollit të temperaturës/klimës në serat me ngrohje qendrore për të përmirësuar retiçencën e energjisë mund të merret gjithashtu në konsideratë për financim nga bankat raportojnë ekspertët.
Sektori e perimeve të serrës është i orientuar drejt eksportit. Për momentin, shtrirja gjeografike e eksporteve është përqendruar në vendet e rajonit (Kosovë, Serbi, Bullgari, Bosnjë-Hercegovinë) me çmime të raportuara relativisht të ulëta. Duke qenë se eksportet po rriten shpejt, lind nevoja për të synuar vendet europiane me të ardhura të larta, të cilat janë më kërkuese për sa i përket cilësisë dhe standardeve të produktit. Një tranzicion i tillë do të kërkonte investime në infrastrukturën e marketingut dhe cilësisë, duke përfshirë qendrat e ambalazhimit. Ambientet frigoriferike nevojiten për të ruajtur cilësinë në rast eksporti drejt shteteve të BE-së, me të ardhura të larta.
Nevojiten gjithashtu investime në kapacitetet e magazinimit dhe mekanizimin brenda pikave të grumbullimit. Shërbimet e transportit drejt destinacionit kryhen nga kompanitë e huaja, kryesisht maqedonase, malazeze dhe të tjera. Mbështetja për investime në transport, duke përfshirë transportin frigoriferik, duhet të shqyrtohet gjerësisht duke marrë parasysh nevojën për këtë shërbim, konkurrencën nga kompanitë e huaja të afirmuara të transportit dhe politikat qeveritare fiskale dhe mbështetëse, thonë ekspertët. /monitor