Bulevardi i Ri, Rama: Do të jetë një standard i ri në hapësirën tonë urbane
Kryeministri dhe kryebashkiaku inspektojnë punimet e Bulevardit te Ri.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektuan të hënën punimet për projektin që po ecën me ritme të shpejta, teksa e vlerësuan ndërtimin e parkingut nëntokësor si një mundësi e mirë për të lehtësuar situatën e parkimeve në kryeqytet.
Kryeministri Rama tha se projekti do t’i japë një vlerë tjetër gjithë kësaj zone. “Besoj se brenda një kohe të arsyeshme, me ritmin e jashtëzakonshëm që bashkia po rimerr, ky bulevard do të jetë një tjetër vlerë e shtuar dhe mbi të gjitha, një standard i ri në hapësirën tonë urbane”, u shpreh kryeministri.
E pse jo, vijoi ai, do të jetë vendi ku do të bëhet “Fan Zone” e finaleve të ardhshme të europianit, që sido që të shkojë, nuk do të kenë shijen e jashtëzakonshme të këtyre të parave historike dhe asaj të mbrëmshmes, që ishte fitorja e parë në historinë e Shqipërisë në një finale të kampionatit europian.
Gjithashtu, kryeministri vlerësoi Bashkinë e Tiranës për ritmin e ri të punëve që ka sjellë në qytet në vitin e saj të parë, pas fitores në zgjedhjet e 21 qershorit. “Unë besoj se skuadra e Bashkisë është në lartësinë e ambicieve të skuadrës sonë kombëtare”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj, tha se Bulevardi i Ri, ka qënë një nga projektet madhore, që bashkia e premtoi në fushatën elektorale dhe që sot po bëhet realitet.
Kur erdhëm në krye të Bashkisë, tha ai, projektin e gjetëm vetëm 2% të realizuar, ndërsa sot kemi avancuar në 1/3 e projektit.
Sipas tij, puna e kryer tregon se projekte të tilla janë të mundura për t’u realizuar në Tiranë, ndërsa shtoi se ai do të lehtësojë parkimin, kryesisht në zonën përreth Bulevardit “Zogu I” dhe te ish-stacioni i trenit.
“306 makinat që sot bllokojnë Bulevardin dhe zonën e stacionit të trenit do të shkojnë nëntokë. Parkingu do të menaxhohet nga Bashkia e Tiranës dhe i hap rrugën edhe ndërtimit të disa parkingjeve të tjera nëntokësore”, u shpreh ai.
Veliaj foli dhe për ecurinë e dy projekteve, atij të Bulevardit të Ri dhe të Lumit të Tiranës, duke theksuar se me ralizimin e tyre, e gjithë zona do të marrë një pamje dhe vlerë tjetër. “Kemi hapur një km të Bulevardit, kemi edhe 600 metra para se ky projekt të takohet me një tjetër projekt, atë të rehabilitimit të Lumit të Tiranës, ku edhe aty kemi ecur në rreth 75% të tij. Të dyja këto projekte do ta bëjnë këtë zonë edhe më tërheqëse”, tha Veliaj.
Përfaqësuesi i firmës nënkontraktore për projektin e Bulevardit, Pëllumb Beta, theksoi se parkingu do përfundojë brenda këtij viti, ndërsa Bulevardi i Ri brenda vitit tjetër.
“Me ardhjen e stafit të ri gjërat ndryshuan. Tashmë, jemi në nivelin e 30% të punimeve në Bulevard, e po ashtu edhe në parking. Deri në fund të vitit, parashikojmë të kemi gati 700-800 metrat e parë”, tha ai.
Parkimi nëntokësor do të ketë një kapacitet prej 306 vendparkimi të shpërndara përkatësisht: 152 parkime në katin e parë dhe 154 në katin e dytë. Sheshi i parashikuar mbi mbulesën e parkimit do të jetë zonë pedonale, me sipërfaqe 7000 metër katror. Struktura e parkingut, për shkak të gjatësisë së tij të madhe, është i ndarë në tre blloqe, përkatësisht A, B dhe C.
Bulevardi i Ri ka një gjatësi prej 1.600m dhe një gjerësi prej 70m, ku përveç 6 korsive të makinave, ka dhe nga një park linear të gjelbër në të dyja anët e tij. Gjithashtu, ai parashikon një infrastrukturë moderne nëntokësore, ku përfshihen kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, rrjeti drenazhimit dhe galeritë nëntokësore