Ekonomia

Burgjet, 40% e mbipopulluar; të burgosurit flenë në tokë me turne

Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, strukturë pranë Avokatit të Popullit, ka bërë publike këtë të hënë problemet e konstatuara gjatë monitorimit të burgjeve për vitin 2014.

Sipas këtij monitorimi në burgjet tona ka mbipopullim deri mbi 40 % të kapaciteteve dhe se të burgosurit flenë  për tokë dhe me turne.

“Vihej re një gjendje alarmante e mbipopullimit në sistemin penitenciar, me deri 1500 persona mbi kapacitet. Veçanërisht problematike paraqitej situata në institucionet e paraburgimit. IEVP-të Jordan Misja, Fushë-Krujë, Rrogozhinë, Elbasan, Berat, Drenovë, Vlorë, Tepelenë, Sarandë, Durrës e Lezhë funksiononin në pjesën më të madhe të kohës dukshëm mbi kapacitetin zyrtar. Për arsye të mbipopullimit, në disa prej IEVP-ve e më konkretisht në IEVP Jordan Misja, Drenovë e Sarandë nuk realizohej observimi e më pas sistemimi në dhoma sipas kritereve të përshtatshmërisë”, thuhet në draft.

Në morinë e problemeve të konstatuara, Mekanizmi i Parandalimit të Torturës  pranë Avokatit të Popullit vë në dukje mos zbatimin e marrëveshjes ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Drejtësisë për ngritjen e një institucioni  shëndetësor të posaçëm për të burgosurit me probleme mendore, marrëveshje e cila ka mbetur në letër.

“Edhe gjatë vitit 2014, marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, të parashikuar në ligjin Nr. 44/ 2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”, me qëllim strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” nuk ka gjetur zbatim. Trajtimi i kësaj kategorie në IEVP, në kushtet kur në organikat e tyre mungon mjeku psikiatër dhe kur aksesi për konsulta psikiatrike pranë spitaleve psikiatrike rajonale paraqet vështirësi, ose në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve për rastet me episode akute, vijon të mbetet i paligjshëm, duke u reflektuar edhe në problematikën e përgjithshme të mbipopullimit”, vijon drafti.

Drafti i monitorimit  i përgatitur nga Mekanizmi për Parandalimin e Torturës do të konsultohet me shoqërinë civile dhe institucionet shtetërore më parë se të paraqitet para deputetëve në Parlament.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button