Bushati: Fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, si rezultat i punës sonë, jo historisë
“Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan. Është para së gjithash një bashkësi vlerash. Dhe vlerat nuk arrihen me plan as 5-vjeçar e as 10-vjeçar. Ato mbruhen dhe mëkohen. Nuk thuhen me fjalë, por tregohen me vepra. E them këtë sepse jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës tonë”.
Kështu deklaroi sot kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati në aktivitetin e organizuar në Ditën e Europës në Tiranë, me temë: “Trashëgimia kulturore shqiptare – një vlerë në rrugën europiane”.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se ekspozita e çelur sot është një dëshmi e rrugëtimit të ndërprerë të europianizimit tonë që pas dekadash humbjesh e kemi gjetur sërish.
“Këto fotografi hedhin sado pak dritë në themelet tona dhe në përpjekjet për shtet formim. Kjo ekspozitë dëshmon lidhjet tona me Europën e lashtë, kur paraardhësit tanë, nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë europiane. Skënderbeu shënjoi politikisht shprehjen e përkatësisë tonë europiane. Më pas ishte një plejadë e tërë nga De Rada, vëllezërit Frashëri, Ndre Mjeda që në shembullin e rilindasve europianë shpallën përkatësinë europiane për Shqipërinë. Alfabeti me gërma latine dëshmon qartë drejtimin tonë drejt Europës. Lidhja jonë me europën ka qenë dhe mbetet organike”, tha Bushati.
Por, u shpreh ministri, “Sot në Ditën e Europës, çdo kush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti Europian teksa një pjesë organike e tij, Ballkani Perëndimor, mbetet ende jashtë? Përgjigja është natyrisht jo! Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit Europian. Mbase te e pandehura qëndron edhe gabimi ynë sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata. E pikërisht kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se e meritojmë automatikisht anëtarësimin në BE”.
“Ne shqiptarët, jemi një nga popujt më euro-entuziastë. Dhe teksa lëmë pas historinë dhe hidhemi në ditët e sotme, ne shqiptarët mbetemi një nga popujt më euro-entuziastë. Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve 90’-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht. Në kohën e lajmeve të rreme, të shpërthimit të mediave sociale dhe të të gjitha fenomeneve që lidhen me to, Shqipëria ka nevojë si kurrë ndonjëherë për t’u njohur nëpërmjet kulturës së saj”, tha Bushati.