Politika

Bushati në Çeki: Rivitalizim dhe përforcim i marrëdhënieve

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Republikën Çeke. Gjatë kësaj vizite, ai pati takime me personalitetet më të larta çeke ku u takua me Kryeministrin Sobotka, Kryetarin e Parlamentit, Hamaçek dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Zaoralek.

Bushati-5Gjatë takimit me homologun e tij Lubomir Zaoralek dy ministrat diskutuan mbi perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE, duke u fokusuar në avancimin drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Në këtë kuadër, Ministri Bushati falënderoi Ministrin Zaoralek për mbështetjen e Çekisë ndaj proceseve integruese dhe parashtroi përpjekjet e Shqipërisë për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe drejt hapjes së negociatave. Ministri Bushati theksoi se ndihma çeke do të ishte frytdhënëse në këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Ministri Bushati falënderoi homologun çek për ndihmën që vendi i tij dha gjatë situatës së përmbytjeve në Shqipëri. Duke u fokusuar tek bashkëpunimi dypalësh, në takim u theksua nevoja për intensifikimin dhe rritje të mëtejshme të këtij bashkëpunimi, veçanërisht atij ekonomik. Potencialet e bashkëpunimit midis dy vendeve janë tepër të mëdha ndaj dhe bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë më intensiv, duke sjellë qasje dhe projekte konkrete.

Bushati (3)Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe politikat rajonale dhe roli i rëndësishëm konstruktiv i Shqipërisë në rajon. Ministri Bushati vlerësoi rolin dhe kontributin e Çekisë për grupin e Vishegradit (V/4) dhe theksoi se asistenca dhe përvoja e Çekisë në IFV do të ishte tepër e rëndësishme për Shqipërinë për Iniciativën e selisë së WBF, që është ndërtuar duke u bazuar në formatin e V/4-ës.

Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të sigurisë rajonale dhe globale si dhe zhvillimet e fundit në Ukrainën lindore.

Në përfundim të takimit, dy ministrat e jashtëm nënshkruan dy dokumente të rëndësishme, Protokollin e Bashkëpunimit midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme në fushën e integrimit, çka do t`i shërbejë intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në këtë fushë, si edhe Deklaratën Juridike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Bushati (6)Gjatë vizitës së tij në Pragë, Ministri Bushati u prit nga Kryeministri i Çekisë, z. Bohuslav Sobotka. Ministri Bushati falënderoi Kryeministrin çek për asistencën që Çekia dha gjatë situatës së përmbytjeve në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, Ministri Bushati e cilësoi të rëndësishëm bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve veçanërisht në aspektin ekonomik. U nda mendimi se vizita e ardhshme e KM Rama në Pragë do t`i japë një shtysë konkrete këtij bashkëpunimi, me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike dhe me shoqërimin e Forumit të Biznesit.

Gjithashtu, Ministri Bushati bëri edhe një pasqyrë të përpjekjeve dhe reformave të Shqipërisë në përmbushje të plotësimit të 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave dhe mori sigurinë e Kryeministrit Sobotka për mbështetjen e Shqipërisë në këtë rrugëtim të rëndësishëm.

Ministri Bushati u prit edhe nga Kryetari i Kuvendit çek, Jan Hamaçek. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin dypalësh midis dy vendeve dhe perspektivave evropiane të Shqipërisë.

Bushati (1)Një theks i veçantë iu dha bashkëpunimit parlamentar midis dy vendeve. Vizita e Kryetarit të Parlamentit çek në Tiranë në nëntor të vitit 2014 ishte e rëndësishme për intensifikimin e marrëdhënieve të dy parlamenteve tona. Besojmë se vizita e ardhshme e Kryetarit Meta në Pragë do t`i japë një tjetër impakt pozitiv zhvillimit të marrëdhënieve parlamentare.

Palët ndanë vlerësimin se vizitat parlamentare duhet të shtrihen edhe në nivel komisionesh parlamentare, pasi këto takime do të ndikonin së tepërmi në përmirësimin e marrëdhënieve parlamentare.

Bushati (2)Ministri Bushati ishte gjithashtu i ftuar në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, ku mbajti një prezantim me temë: “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në një kontekst gjeopolitik sfidues”. Gjatë fjalës së tij, Ministri u shpreh se:

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për BE-në. Nga pikëpamja e arkitekturës se sigurisë evropiane, kjo nënkupton sigurinë e krahut juglindor ku aktualisht po ndërtohen linja të rëndësishme energjetike. Shqipëria e ka mbajtur pjesën e saj të përgjegjësisë kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në luftën globale kundër terrorizmit, duke treguar se si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor mund të bëhet një kontribuues për sigurinë globale, nëse gëzon mjaftueshëm mbështetje gjeostrategjike nga aleatët kryesorë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë dhe vendeve të Vishegradit. Një produkt praktik i bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Vishegradit ka qenë krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor, i cili do të lançohet së shpejti në Tiranë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button