IntervistaPolitika

Bushati: Shqipëria as do t’i hapë, as do t’i mbyllë kufijtë për refugjatët

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se Shqipëria as do t’i hapë por as do t’i mbyllë kufijtë në rastin e një vërshimi refugjatësh nga Lindja e Mesme. Ai i bëri komentet në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi në Uashington. Gjatë qëndrimit në SHBA, zoti Bushati pati bisedime në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ishte i ftuar në disa diskutime, mes të tjerash në Institutin Brookings në Uashington. Ai foli për marrëdhëniet me SHBA, masat e Shqipërisë për të përballuar një valë të mundshme refugjatësh, ndikimin rus në Ballkan dhe çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, ju vini në Uashington pas vizitës që bëtë vitin e kaluar, kur u nënshkrua Marrëveshje e Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Vini gjithashtu pas një vizite të rëndësishme që Sekretari i Shtetit John Kerry bëri në Tiranë. Cilat janë temat që diskutohen mes jush dhe zyrtarëve amerikanë më konkretisht?

Ditmir Bushati: Jam i gëzuar të konstatoj që ka një intensifikim të marrëdhënieve tona edhe si pasojë e partneritetit strategjik që ekziston mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Natyrisht që diskutojmë për çështjet e sigurisë, për bashkëpunimin në frontin ndërkombëtar në disa prej operacioneve ku jemi së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe për reformat e shtet-ndërtimit dhe shtet-konsolidimit demokratik në Shqipëri, sepse siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontributorët kryesorë të asaj çka është Shqipëria sot dhe të rrugëtimit tonë në familjen euroatlantike. Kemi një kalendar, i cili shpresojmë që do të vijojë të jetë i ngjeshur.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, kur flisni për bashkëpunim në fushën e sigurisë, çfarë duhet të nënkuptojmë me këtë?

Ditmir Bushati: Në radhë të parë, jemi partnerë dhe aleatë në NATO. Siç e theksuar me të drejtë Sekretari i Shtetit Kerry, Shqipëria ka një rol mentor në Ballkanin Perëndimor edhe për këtë arsye. Jo thjesht për shkak të pozitës gjeografike, por për shkak të angazhimeve të qarta në NATO; kemi qenë së bashku në disa prej operacioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, në Afganistan, në Irak. Bashkëpunojmë për çështje të karakterit humanitar dhe konsultohemi dhe thirremi në konsulta edhe për çështje që kanë të bëjnë përgjithësisht me fatin e shqiptarëve në rajon.

Zëri i Amerikës: Në Tiranë, zoti Kerry falenderoi Shqipërinë për pritjen e një mijë muxhahedinëve iranianë që ndodhen në “Camp Freedom” të Irakut. Dhe Shqipëria ka premtuar për pritjen e dy mijë të tjerëve që do vijnë. Cilat janë modalitetet, në rast se mund të na jepni më shumë hollësi?

Ditmir Bushati: Shqipëria, dhe këtu e kam fjalën për disa qeveri, jo thjesht për qeverinë tonë, por edhe ajo paraardhëse, ka pasur një qëndrim të qartë për sa i përket kësaj çështjeje. Ka kontribuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka bashkëpunuar ngushtësisht me UNHCR-në për të krijuar kushtet e përshtatshme që këta persona të vijnë në territorin e Shqipërisë vetëm për arsye strikte humanitare dhe për asnjë lloj arsye tjetër. Besoj se detajet, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën do të bëhen të ditura në mënyrë më graduale.

Zëri i Amerikës: Ju u pyetët edhe në Institutin Brookings për çështjen në rast se Maqedonia mbyll plotësisht kufijtë dhe në Shqipëri do të ketë një vërshim refugjatësh. Natyrisht deri tani Shqipëria nuk është prekur nga një vërshim i tillë për shkak të ndoshta gjeografisë së saj kryesisht dhe ju thatë që Shqipëria nuk i ka burimet e duhura. Ç’mendoni ju se mund të ndodhte në këtë rast?

Ditmir Bushati: Asnjë vend i Bashkimit Evropian siç duket nuk i ka burimet e duhura njerëzore, financiare apo kapacitetet për të akomoduar një numër të papreçedent të refugjatëve që vijnë kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Por, siç e theksova, është e rëndësishme që të ketë një përgjigje të përbashkët europiane për këtë sfidë, e cila është e përbashkët. Mbyllja e kufijve në mënyrë individuale që mund të kenë bërë vende të caktuara, ndërtimi i mureve, apo i pengesave, barrierave të ndryshme nuk është zgjidhja e problemit, sepse krijon një reaksion zinxhir, efekt zinxhir tek fqinjët e tjerë.

Zëri i Amerikës: Po si do ta interpretonit ju atë që la të kuptohet Kryeministri Rama, i cili tha që Shqipëria nuk ka ndërmend të hapë kufijtë?

Ditmir Bushati: Pikërisht, në këtë që sapo thashë, që Shqipëria as nuk do të hapë kufijtë, as nuk do të mbyllë kufijtë. Shqipëria do t’i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër që në tetorin e vitit të kaluar.

Zëri i Amerikës: A e ka ndryshuar Shqipëria, zoti Bushati, ose shqiptarët në përgjithësi, perceptimin për hyrjen në Bashkimin Evropian pas krizës së refugjatëve?

Ditmir Bushati: Besoj që Bashkimi Europian është ende një pol atraksioni për shqiptarët dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, apo për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, më shumë ndoshta se ç’është për vetë qytetarët e Bashkimit Europian. Është ende një model frymëzimi për mënyrën se si mund të transformohet jo thjesht shoqëria shqiptare, por shoqëritë në Europën Juglindore apo në pjesën e Ballkanit Perëndimor. Dhe gjithmonë kam mbrojtur pikëpamjen që rruga jonë drejt Bashkimit Europian duhet të shihet në këtë optikë, në lidhje të drejtpërdrejtë me sundimin e së drejtës në ekonomi, me transformimin demokratik dhe me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit dhe mundësisht të të gjithë rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, po flitet shumë kohët e fundit për një ndikim në rritje të Rusisë në Ballkan, bile për një kërcënim. A e shihni ju Rusinë si një kërcënim në Ballkan?

Ditmir Bushati: Nuk e shoh Rusinë si një kërcënim në Ballkan, por nga ana tjetër nuk e shoh as komplementare apo përplotësuese me vizionin udhëheqës që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë në një të ardhme jo të largët anëtarë të Bashkimit Evropian,  as përmes praktikave, as përmes politikave të ndjekura, dhe as përmes modeleve që synohen të implementohen.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë deklaruar se përkrahin Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Por, duket se pengesa kryesore në këtë proces është vetë Shqipëria me betejat tejet të zgjatura, tejet të ndezura partiake. Si e shihni ju këtë?

Ditmir Bushati: Është e vërtetë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë avokati kryesor i rrugëtimit të Shqipërisë dhe do të thoja i shqiptarëve në familjen euroatlantike. Nuk janë vend anëtar i BE-së, por janë mbështetës sepse e shohin këtë nga pikëpamja e stabilitetit demokratik dhe avancimit të rajonit. Nga ana tjetër, është fakt që polarizimi i skajshëm i jetës politike në Shqipëri, për fat të keq e pengon vendin tonë për të rezonuar më shumë se ç’rezonon dhe për të qenë ajo që në fakt Shqipëria e ka potencialin për të qenë.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, ju faleminderit.

Ditmir Bushati: Faleminderit për mundësinë që më dhatë.

Related Articles

Nje koment

  1. Testi psikologjik per punesimin e Stuardesave ne linjen e fluturimeve XY.

    Pyetja: Avioni me te cilin ju po fluturoni bie ne shkretetire. Ju evidentoni se jeni e vetmja qe keni mbijetuar. Njekohesisht shikoni se rreth 20 burra mbi Gamilet e tyre po ju afrohen me galop. Keni vetem disa minuta kohe. C´fare do te vendosni te beni per te shpetuar vehten tuaj?

    Stuardesa e pare: Do te vrapoj sa me shpejt qe te mundem.
    Stuardesa e dyte: Do te luftoj deri sa te vdes.
    Stuardesa e trete: Do te shtirem si e vdekur.
    Stuardesa e katert: Nuk e kuptoj pyetjen. “20 Burra po vijne me shpejtesi tek une. Ku eshte problemi?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button