Mediat serbe: Ja çfarë “humbëm” e çfarë “fituam” nga sulmet e NATO-s!
Edhe mediat serbe kanë “përkujtuar” fillimin e sulmeve të NATO-s ndaj forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, 16 vjet më parë. Sipas vlerësimeve të dala nga to, në 11 javë sa zgjaten sulmet, janë vrarë 1200 deri në 4000 persona.
Sipas portalit serb Telegraf.rs, bombardimet, të cilat pa ndërprerje zgjatën 78 ditë, kishin dëmtuar rëndë infrastrukturën, objektet industriale, shkollat, institucionet shëndetësore, shtëpitë mediale, monumentet,…
Mediat serbe gjithashtu rikujtojnë se sulmi ndaj Serbisë apo RFJ-së është bërë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që vlerësohet si një precedent, transmeton Telegrafi.
“Urdhri për sulme, ish-komandantit të forcave aleate, gjeneralit Wesley Clark, i ishte lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana”, shkruan Telegraf.rs.
Gjithashtu Telegrafi.rs, shkruan se RFJ u sulmua pas “supozimit se Serbia ishte fajtor për katastrofën humanitare në Kosovë (shkaku i menjëhershëm ishin ngjarjet në Reçak) dhe dështimi i negociatave për statusin e ardhshëm të krahinës që u zhvilluan në Rambuje dhe në Paris”.
“Pasi Kuvendi i Serbisë kishte konfirmuar se nuk do ta pranonte vendimin rreth futjes së trupave të huaja në territorin e saj dhe sugjeroi se forcat e OKB-së të mbikëqyrin një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë, NATO, më 24 mars 1999, në 19,45, filloi sulmet ajrore, në shumë vende në Serbi dhe Mal të Zi”, shkruan Telegraf.rs.
Gjithashtu, shtohet se “sipas të dhënave të publikuara kohët e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë flet rreth 1008 ushtarë dhe policë të vrarë”.
“Dëmi i përgjithshëm është vlerësuar të jetë rreth 100 miliardë dollarë”, shtohet më tej.
Përveç humbjeve, mediat serbe kanë shkruar edhe për “fitoret”.
Po sipas tyre, duke cituar Agjencinë ruse APN, NATO ka humbur mbi 400 ushtarë dhe më shumë se 60 aeroplanë.
“Ndërsa presidenti amerikan Bill Klinton tha në një fjalim më 10 qershor 1999 se NATO nuk ka pasur ‘ndonjë viktimë’”, shtohet më tej.
Për të ilustruar fitoret, mediat përmendin mbetjet e aeroplanëve F-117 DHE F16, fluturake pa pilot…, të cilat ruhen në Muzeun e Aviacionit në Beograd.
Pas sulmeve ajrore, mediat vlerësojnë se si rezultat I presioneve diplomatike, u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor 1999, pas së cilës edhe u ndërprenë sulmet ajrore ndaj RFJ-së.
“Më këtë rast, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, dhe atje u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 vende, me detyrën e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe të sigurojnë kthimin e refugjatëve derisa të mos përcaktohet statusi i mëtejmë i Krahinës autonome”, përfundohet në përshkrim.