Buxheti 2015, rriten pensionet 2%, kursime në disa ministri
Miratohen tavanet e shpenzimeve për 2015-2017. Plani: 50 mijë legalizime në vit, kredi 1668 të pastrehëve
Nga Zamir Alushi
Buxhet social, por i kursyer. Kështu mund ta përshkruajmë projektbuxhetin që do t’i paraqesë qeveria Kuvendit në shtator për vitin e ardhshëm, si dhe projektin afatmesëm 2015-2017. Në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale parashikohet rritje 2% e pensioneve në vitin 2015 dhe në vazhdim deri në vitin 2017. Kjo shifër del nga tabela e të dhënave me kërkesat tavan të ministrive dhe institucioneve qendrore të miratuara nga qeveria. Qeveria ka vendosur të ulë investimet për infrastrukturën dhe është përqendruar në përfundimin e disa projekteve të shpallura dhe të papërfunduara nga qeverisja e kaluar. Ndërsa, procesi i legalizimit do të marrë më tepër se tre vjet për të përfunduar.
Pensionet
“Transferimi në buxhetet familjare nga sigurimi shoqëror i detyrueshëm”, kështu quhet zëri në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies që përfaqëson paratë e destinuara për përfituesit e pensioneve. Numri i pensionistëve parashikohet në rritje. Në vitin 2015 do të jenë 606397 persona përfitues, në vitin 2016 llogariten të jenë 622425 vetë dhe në vitin 2017 do të jenë 642123 vetë. Buxheti i llogaritur për vitin 2015 në milionë lekë, është jo pak, por 90 430 993, nga 85 519 860 që është në vitin 2014. Në vitin 2016 janë planifikuar 95 890 843, ndërsa në vitin 2017 ministria parashikon të shtojë fondin në 102 911 842 (milionë lekë). Programi mbulon me fonde dhënien e të drejtave për përfitime personave në lidhje me humbjen e aftësisë për punë për shkak të sëmundjes, barrëlindjes, pleqërisë, invaliditetit, humbjen e mbajtësit të familjes, aksidentit në punë, sëmundjes profesionale dhe papunësisë, gjithashtu realizon kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë nga buxheti i shtetit për pensionistët, invalidët e punës e të luftës, veteranët e luftës. Nga ky zë realizohen transfertat e fondeve nga sigurimet shoqërore suplementare për punonjësit e lartë të shtetit, për ushtarakët e SHIK-ut, të rendit, për familjet e dëshmorëve, për ish-minatorët, ish-punonjësit e industrisë ushtarake,
për punonjësit e policisë. “Politikat e qeverisë synojnë përmirësimin e nivelit të jetesës së përfituesve nëpërmjet rritjes së përfitimeve nga sigurimet shoqërore me një ritëm mesatar rritjeje prej 2% në çdo vit, në mënyrë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore të sigurojnë një nivel mesatar jetese”, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria për tavanet e shpenzimeve buxhetore 2015-2017. Objektivi i shpallur i Ministrisë së Mirëqenies Sociale për këtë periudhë trevjeçare është mbulimi i së gjithë popullsisë me elemente sigurimi. “Masa e pensionit minimal të sigurojë të paktën minimumin jetik dhe shkalla e zëvendësimit për pension mesatar të shkojë mbi 45%. Të realizohet dhënia e përgjigjes së kërkesave për përfitime dhe e të drejtave nga fondet e pensioneve jo më vonë se 45 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës dhe dokumenteve”, theksohet në dokumentin e qeverisë. Rritja e përfitimeve mesatarisht në masën 2% në qytet dhe në fshat do të nisë nga korriku 2015 dhe do të vazhdojë në korrikun e 2016-s dhe 2017-s.
Legalizimi dhe strehimi
Ministria e Zhvillimit Urban me më pak fonde ka marrë përsipër premtimet më të mëdha të qeverisë, siç janë përmbushja e procesit të legalizimit, rritja e turizmit dhe strehimi. Kështu, fondet e kësaj ministrie, nga 2853 (mln lekë) në vitin 2014, ulen në vitin 2015 në 1722 (mln lekë), ndërsa në vitin 2016 mbeten në vend, në 1736, por në vitin 2017 parashikohen më poshtë, në 1438 (mln lekë). Ministria planifikon që të sigurojë deri në vitin 2017 strehim për 45% të familjeve që kanë aplikuar deri në 2010-n, përmirësimin e kushteve të banimit të 700 familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian, përmirësimin e kushteve të 380 banesave në bashkëpronësi me qëllim kursimin e energjisë; hartimin e studim-projektimeve për mbylljen e vend-depozitimeve aktuale të mbetjeve urbane në 10 bashki e hapjen e 2 vend-depozitimeve të reja sanitare rajonale; përfundimin e legalizimit dhe integrimit të zonave informale dhe kryerjen e një procesi të thellë reformues për Rigjenerimin Urban, përmes projektesh pilot për qendrat urbane, mbështetjes së projekteve të zhvillimit e integrimit të zonave informale të reja të propozuara apo të miratuara. Deri në vitin 2015 do të sigurohet strehimi i rreth 50% të familjeve që kanë lidhur kontratë kreditimi me BKT-në (1668 familje çdo vit do të marrin kredinë e lehtësuar në BKT) dhe rreth 658 familjeve (71%) në 922 banesa sociale me qira të ndërtuara deri tani; Do të kryhet procesi i legalizimit dhe përpunimit të informacionit tekniko-ligjor për rreth 50.000 nga 221.900 praktika legalizimi pasuri informale (realizohet 32.4% i totalit) dhe ripërcaktimit të kufirit për 20 vendbanime informale ekzistuese. Këto ritme përcaktohen edhe për vitet 2016 dhe 2017. Kursimet kanë prekur pjesën e ndërtimit të banesave sociale me qira. Për vitin 2014 vazhdon ndërtimi i 10 mijë m² banesa sociale, ndërsa për tre vitet në vazhdim nuk ka asnjë lek të planifikuar për këtë zë.
Pensionistët
Në vitin 2015 do të jenë 606397 persona përfitues, në vitin 2016, 622425 vetë, ndërsa në vitin 2017 do të jenë 642123 vetë
Strehimi
Ministria planifikon që të sigurojë deri në vitin 2017 strehim për 45% të familjeve që kanë aplikuar deri në 2010-n
Objektivi
Masa e pensionit minimal të sigurojë të paktën minimumin jetik dhe shkalla e zëvendësimit për pension mesatar të shkojë mbi 45%
Legalizimi
Çdo vit do të përfundojë procesi tekniko-ligjor i legalizimit për rreth 50.000 nga 221.900 praktika
PBB
Parashikimi i qeverisë, rritet bujqësia dhe ndërtimi
Ecuria e pritshme ekonomike parashikohet me rritje të moderuar. Kështu, prodhimi bujqësor, duke supozuar kushte normale klimatike, është projektuar të rritet çdo vit mesatarisht rreth 4.4% për periudhën e ardhshme 2015-2017. Prodhimi industrial, duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe atë të prodhimit, parashikohet të rritet mesatarisht me 6.1% në vit për periudhën afatmesme 2015–2017. Ndërtimi, për vitin 2014, parashikohet të vijojë me rënie, ndonëse më e moderuar se vitet e shkuara, ndërsa parashikohet të kthehet në norma pozitive të rritjes për vitet 2015, 2016 dhe 2017. Mesatarisht ndërtimi parashikohet të rritet në terma reale me 1.5% gjatë viteve 2014-2017. Skenari bazë i paraqitur parashikon rritje reale të PBB-së prej 2.1% në vitin 2014, 3.3% në vitin 2015, 4.2% në vitin 2016 dhe 4.5% në vitin 2017. Rritja ekonomike është konfirmuar edhe nga parashikimet e FMN-së dhe të Bankës Botërore në raportet e fundit për Shqipërinë.
Kursimet
Shkurtime në disa ministri, nuk ka rritje pagash
Qeveria nuk planifikon rritje pagash, ndërkohë që parashikon të kursejë fonde në disa sektorë që tradicionalisht kanë marrë pjesën e luanit. Kështu, në Ministrin e Energjisë dhe Industrisë, nga 1422 (milionë lekë) në vitin 2014, ulen në 948 milionë lekë në 2015. Megjithatë, sektori i energjetikës ka një numër projektesh që financohen nga Banka Botërore dhe FMN. Me ulje parashikohen edhe buxhetet e Ministrisë së Mjedisit, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë. Buxhete të shtuara, por me masë, kanë Arsimi, Shëndetësia, Kultura, Mirëqenia Sociale, Bujqësia, Integrimi. Bie në sy rënia drastike e fondeve për rrugë të reja. Parashikohet rritje fondesh në vitin 2015, për mbylljen e projekteve të pambaruara, ndërsa në 2016 dhe 2017 jepen më pak para se në vitin 2014 dhe 2015. Fondet e Ministrisë së Brendshme vijnë me rritje të lehtë, nga 17 023 (mln lekë) në 2014, në 18 043 në 2015. Kjo përfaqëson shtesën e pagave që akordoi qeveria për policinë.