Politika

Buxheti i Mbrojtjes për 2018-n shkon në 1.17% të PBB-së

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018 shkon në 1.17 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shenjuar një prirje rritëse dedikuar ushtrisë.

Duke raportuar në Kuvend mbi buxhetin 2018 për dikasterin që drejton, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u ndal në disa prej aspekteve kyçe, ku pritet të investohet gjatë vitit të ardhshëm.  “Ky nivel i buxhetit të Mbrojtjes prej 1.17 përqind e PBB-së, i përgjigjet plotësisht deklarimit të bërë nga kryeministri Edi Rama, në takimin me krerët e shteteve dhe të qeverive në Bruksel, në fund të majit të këtij viti. Për disa, ndoshta shifrat e mësipërme nuk flasin shumë, por ne e kemi shënjestruar saktë objektivin e vitit 2024, duke qenë ndër vendet e NATO-s që këtë vit shenjojmë prirje rritëse në buxhetin dedikuar ushtrisë. Është kjo prirje rritëse që reflekton një solidaritet më të madh edhe nga ana e shteteve partnere, sikundër është edhe miku dhe aleati ynë strategjik, SHBA, i cili përmes ambasadorit Donald Lu, ka njoftuar alokimin e një fondi të rëndësishëm ndihme parashikuar specifikisht për edukimin dhe trajnimin e ushtarakëve tanë jashtë vendit”, tha Xhaçka.

Sa i përket angazhimit civil të ushtrisë, Xhaçka tha se deri më tani, FA-të janë angazhuar në realizimin e mbi 40 projekteve për ndërtimin e urave që lidhin zonat e mbetura në izolim në të katër anët e vendit. “Fakti që edhe Emergjencat Civile tashmë do të funksionojnë në kuadrin e Ministrisë së Mbrojtjes e bën edhe më të plotë tablonë e angazhimit civil të ushtrisë. Përkujdesi i qeverisë dhe aftësitë tona operative tejet të nevojshme për parandalimin, mbrojtjen dhe administrimin e krizave dhe gjendjeve të jashtëzakonshme, janë shumë të rëndësishme”, tha ajo.

Ministrja u shpreh se investimet për veprimtaritë tona paqeruajtëse, planizimin e stërvitjeve, përditësimin e doktrinës, modernizimin e pajisjeve të armatimit, mbrojtjen dhe drejtimin e hapësirës ajrore dhe detare, të gjitha këto si pjesë e detyrave operative të NATO-s, duhen konceptuar si investime për sigurinë konvencionale dhe kolektive”.

“Mjaft të themi se shpenzimet kapitale për vitin 2018 janë 32 për qind më të larta se vitet paraardhëse dhe kjo është domethënëse. Nëse ka një sektor ku investimi shkon si kontribut i përbashkët, apo i ndërlidhur me të gjitha shteteve anëtare të Aleancës, nën filozofinë e “Smart defence”, ai është buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”, tha Xhaçka.

Mirëadministrimi i zërave të këtij buxheti, sipas saj, kontrollohen nga mekanizma të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, pa përjashtuar edhe auditetet në kuadër të Aleancës.

“Ne jemi krenar për kontributin në të gjitha misionet paqeruajtëse, por kryesisht në Afganistan dhe Detin Egje, duke shpëtuar jetë njerëzish, por edhe duke projektuar siguri, si për vendet e konfliktit ashtu edhe për gjithë Aleancën”, tha Xhaçka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button