Buxheti planifikon fonde për komunitetin LGBT
LGBT futet edhe në programet e PAK, më tepër fonde se për fëmijët dhe gratë e dhunuara
Nga Zamir Alushi
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë paraqet një buxhet gjithëpërfshirës dhe të detajuar, ku kërkohen fonde edhe për komunitetin LGBT. Për këtë grup parashikohen më tepër para sesa për të drejtat e fëmijëve apo gratë e dhunuara dhe të papuna.
Përfshirja sociale
Një nga shtyllat e programit që do të financojë buxheti afatmesëm 2015-2017, është “Përfshirja sociale”. Qëllimi, thuhet në dokumentin e miratuar nga qeveria, është të rritë aksesin dhe pjesëmarrjen në shoqëri të grupeve sociale në nevojë. Ndërkaq, synohet reflektimi i praktikave më të mira ndërkombëtare dhe përafrimi me BE-në në politikat kombëtare për përfshirjen sociale, integrimin gjinor, dhunën në familje, grupet LGBT, romët dhe egjiptianët, fëmijët dhe aftësinë e kufizuar. Përmirësimi i kuadrit ligjor për rritjen e përfshirjes së të rinjve në jetën sociale dhe vendimmarrje, si dhe mbështetja dhe fuqizimi i organizatave rinore, është një tjetër synim i programit. Aktivitetet kombëtare dhe rajonale për të rinjtë marrin pjesën më të madhe të fondeve dhe pas tyre vjen fondi i planifikuar për monitorimin e planit të masave për LGBT-të.
Monitorimi
Produkti i parë i këtij programi është strategjia dhe plani i veprimit për përfshirjen sociale që përfshin edhe ngritjen e mekanizmave monitorues. Për këtë zë janë 41 milionë lekë që jepen për vitin 2015, 36 milionë lekë për 2016-n dhe 25 milionë lekë për 2017-n. Ndërkaq, “Raport Monitorimi, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje”, për 2015-n do të ketë në dispozicion fondin 25 milionë lekë dhe po të njëjtën shumë për 2016-n.
Sensibilizimi për LGBT-të
Komuniteti LGBT është pjesë e të gjitha produkteve të këtij programi. Kështu, në shtyllën “Aktivitete për sensibilizim të komunitetit në lidhje me shërbimet sociale të ofruara për gratë”, parashikohet që këto fonde janë për sensibilizimin për shërbimet sociale të ofruara për gratë e papuna, të dhunuara dhe personat me orientim seksual të ndryshëm. Për 2015-n janë vënë në dispozicion për këtë zë 16 milionë lekë, për vitin 2016, 12 milionë lekë dhe për 2017-n, 700 mijë lekë. Këto para do të përdoren për: 1) Monitorimi i planit të masave për personat me orientim seksual të ndryshëm; 2) Monitorimi i ecurisë së linjës telefonike të këshillimit 24 orë falas për viktimat e dhunës në familje; 3) Monitorimi i ecurisë së linjës telefonike të këshillimit 24 orë falas për viktimat e dhunës në familje. Gjithashtu, në një shtyllë tjetër të programit, sistemi efektiv online i referimit të rasteve të dhunës do të marrë fondin 16.8 milionë lekë për 2015-n, 16 milionë lekë për 2015-n dhe 12.8 milionë lekë për 2017-n.
“Fushata Kombëtare Sensibilizimi” quhet një produkt tjetër i programit që përfshin gjithashtu edhe komunitetin LGBT. Ky fond do të jetë konstant për tre vite rresht nga 21.5 milionë lekë. Edhe në produktin “Raport Monitorimi për Aftësinë e Kufizuar (PAK) sipas Konventës së OKB-së me planin (2012-2021)” është futur komuniteti LGBT. Në këtë ndarje, monitorimi i planit të masave për personat me orientim të ndryshëm seksual është vendosur krahas sektorëve të tjerë të të drejtave të PAK në përputhje me Konventën e OKB-së. Në këtë shtyllë janë edhe monitorimi i Planit të Veprimit për Dekadën Rome dhe hartimi i Planit Kombëtar për romët dhe egjiptianët. Fondet për këtë produkt për vitin 2015 janë 27.9 milionë lekë, për vitin 2016, 24.9 milionë lekë dhe për vitin 2017 parashikohen 32,6 milionë lekë.
Për romët
Për romët do të jepen më pak para. Produkti “Raport Monitorimi për Dekadën Rome” që konsiston në hartimin e raportit sipas fushave përkatëse të mbështetjes për përmirësimin e jetesës së komunitetit rom, do të marrë në vitin 2015 vetëm 1 milion lekë, nga 114.5 milionë lekë që ka ky zë për vitin 2014. Në ulje vijnë fondet për romët edhe në parashikimin për 2016-n dhe 2017-n, përkatësisht në 1.5 milionë lekë dhe 990 mijë lekë.
Fëmijët dhe rinia
Edhe për të drejtat e fëmijëve janë pakësuar fondet thuajse gjysmë për gjysmë. Produkti “Raport Vjetor Monitorimi për të Drejtat e Fëmijëve” në vitin 2014 e ka buxhetin 9.4 milionë lekë, ndërsa për vitin e ardhshëm janë planifikuar 5.5 milionë lekë. Për vitin 2016 për të drejtat e fëmijëve janë kërkuar 6.8 milionë lekë, kurse për 2017-n, 8.5 milionë lekë. Prioritet kanë marrë aktivitetet sociale-kulturore dhe informuese për të rinjtë në nivel rajonal dhe kombëtar. Ky produkt i buxhetit, që përfshin edhe ngritjen e 12 qendrave rajonale rinore, do të marrë për tre vite rresht nga 12 milionë lekë. Në vitin 2014 ky zë nuk kishte fonde të planifikuara.
Plani 2015
Programi “Përfshirja sociale”
1. Monitorimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Përfshirjen Sociale 2014-2020.
2. Monitorimi i Strategjisë për Barazinë Gjinore, Dhunën me bazë Gjinore dhe Dhunën në Familje
3. Monitorimi i Planit të Masave për Personat me Orientim Seksual të Ndryshëm.
4. Monitorimi i Planit të Veprimit në zbatim të Konventës së OKB për Personat me Aftësi të Kufizuar.
5. Monitorimi i Planit Kombëtar për Fëmijët 2015-2020. Forcimi i mekanizmave ligjorë dhe institucionalë.
6. Ngritja e 12 qendrave rajonale rinore për fuqizimin dhe mbështetjen e të rinjve të talentuar.