Buzëqeshja e Mona Lizës
Besimi se pasjeta vjen e përsosur nëpërmjet edukimit, përbën gjendjen dhe moralin e të gjitha fabulave të çfarë do lloj historie të pështjelluar më pas. Kjo do të thotë që besimi nuk është gjë tjetër veçse edukim për të bërë atë për të cilën lindëm, për të jetuar duke pasur një shpirt dhe një fizik më të mirë. Nëpërmjet këtij elementi përparues si edukimi vjen më pas rrjedha e ideve, të cilat do të reflektohen si ideologji të një njeriu universal, i cili do të jetë i aftë të bëjë histori nëpërmjet sjelljes njerëzore
Rijeta e shekullit të 14-të, e më tej deri në shekullin e 17-të, përfaqëson një kalim të pakthyeshëm drejt një historie të re arti, njerëzimi. Drejt një lëvizje kulturore, e cila do të ishte fillesa e së panjohurës. Dhe kjo e panjohur, fshihet në vepra arti. Mënyra e të menduarit ndryshoi vetvetiu mënyrën e të jetuarit. Njerëzit filluan të praktikonin më së shumti intelektin e të mësuarit si një formë për të cilën do të ishte thuajse e pamundur të mësoje dhe njëherë të jetoje pa të. Zhvillimi i zakoneve përkrah kësaj reforme edukimi, që ndodhi gjatë kësaj periudhe, solli zhvillimin e ideve, qëllimeve dhe arratinë e injorancës, për t’u përafruar me një rritje të vazhdueshme të njerëzve, të cilët kërkonin dije nga njerëzit më të ndritur të kohës, diplomacia e të cilëve fliste gjuhën e fshehtë dhe misterioze të artit. Deshifrimi i së cilës kërkon të kalosh nëpër të gjitha njohuritë që inspiruan krijesat më të strukturuara, dhomat e të cilëve do të përbënin origjinën dhe thesarin e ideve fillestare, të cilat fshihen nën dritën e diellit. Kontributi i këtyre mbretërve të kohës, i dha jetë shtimit të kuriozitetit dhe të përfitimit prej njohurive që përmbanin. I dha kuptim lidhjes njeri-jetë, qëllimi i të cilëve kishte ngelur pa objektiv. Qëllimi, i cili mbetet i fshehur, për të qëndruar të gjallë, për të horvatur në ditët e ardhshme të gjithë emblemën dhe logjikën e pagabueshme me të cilën ata u kapën,- zgjatja e dijes nëpërmjet masës së njeriut te mjetet. Ç’ka është një humanist përveçse një gjeni? Një qenie, i cili ka një aftësi të jashtëzakonshme për të kontrolluar dhimbjen e tij dhe për ta kthyer atë në art, në shkrim, në gramatikë, në filozofi, në një gjendje të mirëqenë dhe të mirënjohur, për ta kthyer atë në një rrjedhë, tek e cila vërshon lëvizshmëria e dijes që do të përfaqësojë të nesërmen, dhe kjo falë kësaj gjendjeje gjeniale, e cila zbulon aftësitë e fshehura gjatë procesit të vështirë të punimit në gjendje fizike dhe mendore të vështira.
Besimi se pasjeta vjen e përsosur nëpërmjet edukimit, përbën gjendjen dhe moralin e të gjithë fabulave të çfarëdo lloj historie të pështjelluar më pas. Kjo do të thotë që besimi nuk është gjë tjetër veçse edukim për të bërë atë për të cilën lindëm, për të jetuar duke pasur një shpirt dhe një fizik më të mirë. Nëpërmjet këtij elementi përparues si edukimi vjen më pas rrjedha e ideve, të cilat do të reflektohen si ideologji të një njeriu universal, i cili do të jetë i aftë të bëjë histori nëpërmjet sjelljes njerëzore. Ç’mënyrë më të mrekullueshme sesa të fshehësh të vërtetën nga kundërshtarët e dijes dhe edukimit të saj, ajo e pikturave, ajo e letrave, bukuria e të cilave përfaqëson bukurin natyrore të dëshirave të këtyre rijetuesve të aksiomave anatomike, duke përfaqësuar teknikën e hijeve, të dritës, të trupave njerëzor, nëpërmjet të cilëve dilte në pah shpirti i një buzëqeshjeje, i një nëne të lodhur, i luftërave, i kishave, i xhamive. Dhe vaji i tyre përsëri rrjedh nëpër venat tona. Ne jemi vazhdimësia e gjenezës së tyre, të rilindur. Ne zotërojmë dijen, sepse me ne u mat ajo. Perfeksioni i këtyre veprave është kaq i madh saqë të vendos në dyshime, se si ka mundësi?! Por, talenti si një gjendje hipnoze, vjen pa kufij. Dhe nëse i gjen, i kalon, sepse është i etur për elementin e panjohur. Arsyeja pse veprat e tyre realizohen në një përsosmëri të vazhdueshme, është se ata gjetën çelësin e bravës për të kaluar në gjendjen tjetër. Dhe ky çelës e ka emrin, shkencë. Nëpërmjet së cilës vjen propaganda e ideve. Përdorimi i filozofisë dhe i matematikës së zbatuar, ndryshuan pikëpamjet se si ne do ta shikonim universin. Sa shkojnë arti me shkencën?
Për këtë ka vetëm një përgjigje, Leonardo da Vinçi. Babai i shkencës moderne, paraqet para nesh lëvizjet aerodinamike, principet e anatomisë, se si natyra funksiononte. Doktrinë e gjallë e prezantuar në veprat e tij, të cilat fokusohen drejt një vizioni çlirimprurës, ashtu si rrjedha e ujit që ai studioi. Dija, rrjedhë dhe pastrohet si uji. Çdo herë e më shumë pastrohet, mjafton mos të infektojmë burimin. Ndaj buzëqeshja e Mona Lizës është kaq misterioze, sepse burimi nga i cili rrjedh është i paprekur. Ajo qëndron në Louvre, aty nën dritën e syve tanë. Dhe ne e shikojmë, presim kur ajo do të buzëqeshë. Çfarë na fsheh? A do të na e tregojë ne po e pamë edhe pak më shumë? E vërteta është se ajo pas Leonardos di se çfarë fsheh, i pari e futi brenda kutisë së saj, e dyta është rojtarja e së fshehtës. Ndoshta na fshehin një vend të ri, ndoshta një zbulim mjekësor, ndoshta një ëmbëlsi të thjeshtë, ndoshta gjithçka që mund të na vij në mendje. Por, një gjë është e sigurt, ajo është e qeshur, e gëzuar, sepse fytyra e saj paraqet zotësinë e mjeshtrit të krijimit, emocionet e së cilës po mbajnë pa frymë zbuluesit e gjurmëve të tyre. Ëndrrat përvijojnë të nesërmen me peizazhe të ndryshme. Thua, ajo Mona Liza të ketë qenë një ëndërr përvijuese e një peizazhi që Leonardo ka dashur të na tregojë! Thua, ai po na tregon duke na devijuar përqendrimin, apo ai do thjesht që të shikojmë se si është të buzëqeshësh pa ditur të nesërmen?
Dhe ne vazhdojmë ta shikojmë. Dhe ajo vazhdon të qëndrojë aty, nën efektin e misterit dhe të dashurisë së përjetshme. Si një rilindje e përkrahur nga kompozicioni, elementët e të cilit janë më së shumti shkencorë. Kultura e së nesërmes.
Nga Sokol Thana