Ekonomia

By pass-et e Fierit dhe Vlorës: Kompania italiane shkeli afatet, prishen kontratat e rrugëve

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka anuluar në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”.

Këtë e pohon për Shqiptarja.com drejtori i përgjithshëm i ARRSH, Dashamir Xhika.

Sipas tij, institucioni që ai drejton i ka dërguar një letër shoqërisë në fjalë javën e kaluar, duke e njoftuar se e quan të patolerueshme zgjatjen e mëtejshme të afateve të ndërtimit të dy nga veprave serioze infrastrukturore rrugore, tej çdo limiti të parashikuar në kontratat e nënshkruara nga dy palët. Si pasojë, ARRZH e konsideron nga ana e saj të përfunduar marrëdhënien kontraktore.

Ndërkohë, Xhika sqaron se, duke qenë që projektet po realizoheshin me financim të huaj, konkretisht të dy bankave evropiane: Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), pala shqiptare ka njoftuar njëkohësisht partnerët financues, duke lënë në dorë të tyre fjalën e fundit. Por shpresat për një ‘prapa ktheu’ duket se janë minimale.

Situata

Çfarë ka ndodhur? Në kohën kur “Serenissima” ka aplikuar dhe ka fituar tenderat për ndërtimin e by pass-eve të Fierit e të Vlorës, ajo ka qenë një kompani me një CV të pasur në vendin e saj, degë e “A4 Holding”, që menaxhon një nga autostradat më të rrahura në Itali, si dhe pronare e shoqërisë “Brescia-Padova”. Në të vërtetë, edhe vetë qeveria shqiptare u habit me çmimin çuditërisht të ulët të propozuar nga ajo për të kryer punimet.

Por nuk kishte pse të refuzonte. Kështu, ajo fitoi tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e By Pass-it të Fierit, duke nënshkruar kontratën me Autoritetin kompetent Rrugor më 18 mars 2013, gjatë qeverisë Berisha. Dhe, më pas, me qeverinë Rama, në muajin mars 2015 u nënshkrua marrëveshja mes kompanisë “Serenissima Construction International” dhe Autoritetit Kombëtar të Rrugëve edhe për ndërtimin e By pass-it të Vlorës.

Ka qenë ministri i Financave Arben Ahmetaj vjet që, për herë të parë, hodhi hijen e dyshimit për ofertat e ulta, me të cilat kompania kishte fituar tenderat përkatës. Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ai tha se “një nga problematikat kryesore të By Pass-it të Fierit është edhe kostoja e ulët joreale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dy By Pass-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, deklaroi ministri kur u diskutua Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit.

Në fakt, By Pass-i i Fierit, gjatë projektimit, u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane “Serenissima” ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit.

Një shifër anomalisht e ulët. Më pas, jo vetëm që punimet u bllokuan, në Fier e Vlorë, por dega e kompanisë sipërmarrëse në Shqipëri, “Serenissima Costruzioni Tirana”, deklaroi bilanc me humbje prej 156 milionë lekësh (më se 1.1 milionë euro) për vitin 2015, pasi pati deklaruar humbje prej 166 milionë lekësh të tjera edhe në vitin 2014.

Dy veprat

Drejtori Xhika ve në dukje se, në By Pass-in e Fierit punimet mund të përfundonin në 2-3 muaj, pasi aty pak punë ka mbetur pa u përfunduar. Por në Vlorë punimet ishin në fillimin e tyre.

Çfarë do të ndodhë tani?

“Në rast se hapet proces i ri prokurimi, kjo do ta shtynte shumë në kohë realizimin, pasi do të inspektoheshin kantieret, do të duhej kohë për të shpallur një fitues, etj, sipas ligjit, thekson kreu i ARRSH. “Por ne jemi të vendosur të zbatojmë ligjin”, shton ai.

Për më tepër, që janë krijuar edhe probleme sociale me qindra punëtorë shqiptarë të papaguar për muaj të tërë, ku, në fakt, shteti nuk ka përgjegjësi ligjore, por natyrisht nuk mund të qendrojë indiferent.

Problemet, në të vërtetë, do të qendrojnë përballë kompanisë së huaj, e cila edhe tani është goditur nga përmbarues të ndryshëm, pas gjyqeve të nisura nga nënkontraktorët shqiptarë.

Por, interesi i vendit dhe i gjithë shqiptarëve është të përfundojnë këto dy vepra shumë të rëndëishme të aksit Veri-Jug, që krijojnë një lidhje shumë më të shkurtër dhe shmangin problematikat e trafikut në dy qytete të mëdha, duke lehtësuar trafikut drejt perlave turistike të Rivierës së Jonit. Aq më tepër që paratë janë, çka zgjidh edhe problemin e vështirë të financimit.

Edhe një herë, shteti shqiptar ndodhet përballë një çasti kritik, ku është vënë në pikëpyetje aftësia e tij për të realizuar vepra serioze me financime të huaja, aq të domosdoshme për zhvillimin e vendit.

Shtypi italian: Kanë mbetur pa rroga 650 punëtorë shqiptarë

Gazeta italiane “Vicenza piu’” zbulon se kohët e fundit kompania italiane, dikur shumë prestigjioze, ka patur probleme edhe në vendin e saj. Duke shtuar se për transaksionet e saj të dyshimta është informuar tashmë edhe Prokuroria shqiptare.

“Protestat e qindra punëtorëve shqiptarë që presin të marrin pagën pasi kanë kryer punën për llogari të një gjigandi italian të infrastrukturës, ende nuk gjejnë përgjigje nga autoritetet tona”, shkruhet në artikullin e saj. Edhe kjo gazetë ve në dukje faktin se “Serenissima” i ka fituar tenderat në Shqipëri me oferta të ulta, por më pas situatat financiare janë ngatërruar si pasojë e kalimeve të pronësisë dhe aferave financiare.

Sipas “Verona piu’”, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, duhet parë në Itali. “Serenissima i është shitur një shoqërie nga Pulja, e cila ishte më parë furnizuese e saj, LCI Srl, e urdhëruar kjo ndoshta nga gjigandi spanjoll Abertis, që ka marrë nën kontroll kompaninë-mëmë të Serenissima-s (A4 Holding). Sikurse lexohet në një mesazh dërguar Prokurorisë së Tiranës, operacioni nuk është i pastër, pasi kompania blerëse nuk ka mundësi të mbajë premtimet e asaj që ka blerë. Nga ana tjetër, edhe kjo blerje nuk është bërë publike nëpërmjet dokumenteve.

Por kjo ka vënë në lëvizje kompani të tjera, të cilat, nëpërmjet avokatëve, kanë kërkuar sqarime nga autoritetet mbi blerjen e kuotave të një shoqërie të madhe nga një shumë e vogël, e cila nuk ka qenë në gjendje të respektojë detyrimet”.

“Gjërat nuk janë të qarta, por është evident fakti që në Shqipëri punimet nuk janë kryer, çka dëmton operatorët turistikë në këtë vend me zhvillim të shpejtë. Këto objekte bëjnë më të lehtë udhëtimin e turistëve drejt plazheve.

Me sa duket, kemi të bëjmë me afera të pista të eksportuara jashtë Italisë”, përfundon gazeta e Viçencës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button