Bylykbashi: Ndryshimi i Kodit të bëhet me konsensus
Deputeti i PD-së paralajmëron krizë politike për çdo teknikalitet të ligjit zgjedhor
“Ndërhyrja e mazhorancës në ndryshimin e Kodit Zgjedhor rrezikon zgjedhjet”, është qëndrimi i deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashit, njëherësh edhe bashkëhartues i dy kodeve zgjedhore së bashku me ekspertët e PS-së. Domosdoshmëria e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, pas miratimit të reformës administrativo-territoriale sipas demokratëve, duhet të bëhet me konsensusin e palëve, pasi në të kundërt do të kthehet në një krizë tjetër politike. “Reforma territoriale nuk mund të bëhej pa u kombinuar me reformën zgjedhore dhe vendosën ta bëjnë vetëm dhe për rrjedhojë do të ndërhyjnë mesa duket në Kodin Zgjedhor për të ndryshuar të gjithë ato elemente që duan ata që të kapin procesin zgjedhor. Asgjë teknike dhe e vogël nuk ekziston në Kodin Zgjedhor, çdo teknikalitet i kodit nesër mund të kthehet në potencial për një krizë politike, e cila do të cenojë themelet e standardit të procesit zgjedhor”, thekson Oerd Bylykbashi. Në një intervistë për “Albania Screen”, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve thotë se deri më tani nuk ka asnjë kontakt nga mazhoranca në lidhje me ndryshimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor, teksa shtoi se nuk mund të veprohet me Kodin Zgjedhor, ashtu siç u veprua me reformën administrativo-territoriale. “Nuk kemi asnjë lloj informacioni dhe kontakti. Sigurisht që kjo nuk ndodh në këtë formë, nuk mund të ndodhë siç bëri qeveria me reformën territoriale, ku me një draft të bërë gati nga qeveria ngritën një komision vetëm që t’i vënë vulën, dhe nuk mund të jetë as kësaj radhe. Ky është një proces që kërkon konsensus politik dhe sipas së gjithë traditës së derisotme shumë e shëndoshë. Është një proces që mund të bëhet në Parlament dhe nuk mund ta bëjë qeveria. Nuk ka për detyrë të ndërrojë rregullat në interes të saj, për të kapur më pas procesin e për t’i garantuar vetes një fitore”, tha Bylykbashi. Duke sqaruar hartën e re territoriale me 61 bashki, deputeti i PD-së argumenton edhe ndryshimet që prekin Kodin Zgjedhor. “Komunat dhe bashkitë janë sipas Kodit Zgjedhor zona zgjedhore e, për rrjedhojë, ajo ndërhyrje që u bë nuk mund të mos kishte ndikim të menjëhershëm me mënyrën si organizohet procesi zgjedhor, sesi zgjedhësve u jepet e drejta për të qenë në listë, se si kandidatëve u jepet e drejta për të konkurruar në zgjedhje, se si do të nxirret rezultati, e për rrjedhojë, do të pranohet nga të gjithë legjitimiteti i zgjedhjeve”, thotë Bylykbashi. Në korrik të 2012-s, PD dhe PS ndryshuan për herë të fundit Kodin Zgjedhor. Megjithatë, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, palët nuk arritën të gjenin konsensusin për rishpërndarjen e numrit të deputetëve nëpër qarqe, në bazë të ndryshimeve të popullsisë, duke shkuar në zgjedhje me të njëjtën shpërndarje si në 2009-n. Pak ditë më parë, demokratët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të shpallë të papajtueshme me Kushtetutën ndarjen e re administrativo-territoriale. Trupës së gjyqtarëve të drejtuar nga Bashkim Dedja i kërkohet që të pezullojë efektet e shpërndarjes së re të bashkive deri në marrjen e një vendimi. Sipas argumentimit që shoqëroi padinë, qeveria, në mënyrë të pabarabartë, ka shpërndarë më shumë bashki në Jug sesa në Veri, i njohur si bastion i të djathtëve. Vetëm në Jug do të ketë 31 bashki, ndërsa Shqipëria e Mesme së bashku me Veriun, 30. Partia Demokratike, paralelisht po përgatit referendumet lokale kundër kësaj ndarjeje territoriale. Sipas demokratëve, edhe shpërndarja e mandateve të deputetëve ose drejtuesve vendorë, nuk shkon në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me popullsinë, siç e kërkon Kodi Zgjedhor, çka për PD-në përkthehet në manipulim zgjedhjesh.