Ekonomia

Cani: Aksioni kundër informalitetit do të sjellë 9,3 miliard lekë të ardhura në buxhet

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani raportoi në Komisionin e Ekonomisë mbi të ardhurat e vitit 2016 për tatimet dhe doganat.

Cani theksoi se të ardhurat që priten nga tatimet dhe doganat vitin e ardhshëm do të jenë 8% më shumë se viti aktual. “Burimi i të ardhurave shtesë në 2016 do të jenë 1miliard lekë nga politikat fiskale, nga politikat makrofiskale 5.9 miliard lekë, nga aksioni kundër informalitetit 9,3 miliard lekë”, tha ministri.

Nga ana tjetër, ministri paralajmëroi se viti 2016 do të jetë viti i reformave të thella. “Do të vijojë aksioni kundër informalitetit, duke ndryshuar dhe plotësuar disa aspekte të administratës fiskale dhe biznesit. Do ndërmerret reformë e thellë në administratën publike. Gjithashtu, sistemi i ri i IT në tatime dhe dogana do të sjellë ndryshime rrënjësore për procesin e kontrollit dhe verifikimit”, tha Cani.

Ministri, tha se të ardhurat jotatimore në 2016 vlerësohen 28,7 miliard lekë, por 2 miliard lekë më pak se 2015. Të ardhurat nga dividenti pritet të sjellin në buxhet 5 miliard lekë në 2016, ndërkohë që këtë vit ishin vetëm 1miliard lekë. Të ardhurat nga tarifat dhe shërbimet mbeten në të njëjtat nivele, 4.3 miliard lekë.

Opozita tha se vitin e ardhshëm qeveria do ta përkeqësojë sërish mbledhjen e taksave. Deputeti i opozitës Sherefedin Shehi, akuzoi ministrin që për dy vite nuk ka arritur të sjellë të ardhura më tepër, ndonëse u rritën taksat. Ai tha se parashikimi për të ardhurat vitin e ardhshëm nuk është përpiluar drejt, duke theksuar se vetë raporti tregon që 12 miliard lekë do të jetë mosrealizimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button