Carl Sagan kishte të drejtë. Astronomët konfirmojnë: Jemi krijuar nga substanca yjore
Një grup astronomësh të projektit “Sloan Digital Sky Survey” (SDSS) që ka për qëllim ndërtimin e një harte të detajuar të Universit, ka siguruar të dhëna se njerëzit dhe yjet ndajnë të njëjtat elemente kimike.
Me ndihmën teleskopit ARC të Observatorit “Apache Point” në Nju Meksiko (SHBA), që është i pajisur me instrumente që masin gjatësitë e valëve infra të kuqe, u analizuan rreth 150 mijë yje në të gjithë galaktikën me qëllimin për të mësuar elementet kimike me të cilët këta trupa qiellorë përbëhen.
Nëpërmjet analizës spektroskopike u përcaktua se këta trupa qiellorë janë të përbërë nga gjashtë elementet më të zakonshëm të jetës në Tokë, që përbëjnë edhe 97% të trupit të njeriut: karboni, hidrogjeni, oksigjeni, azoti, fosfori dhe squfuri (të njohura me akronimin CHONPS).
“Drita infra e kuqe përmes pluhurit ndëryjor na lejoi të vëzhgonim disa gjatësi vale në detaje, duke arritur kështu të masnim modelet e krijuara nga dhjetëra elementë të ndryshëm”, tha John Holtzman, i Universitetit Shtetëror të Nju Meksikos.
Ai gjithashtu tregoi se përqindja e çdo elementi është e ndryshme tek yjet dhe tek njerëzit.
Për shembull, ndërsa oksigjeni përbën 65% të atomeve të organizmit njerëzor, ai është vetëm 1% e masës së gjithë elementeve në hapësirë që përbëhen kryesisht nga hidrogjeni.
Studiuesit zbuluan gjithashtu një përqendrim më të madh të këtyre elementeve në qendrën e Rrugës së Qumështit se sa në pjesën e jashtme të saj.
Rezultatet ndihmojnë astronomët të kuptojnë ndryshe strukturën e galaktikës. Ata konfirmojnë “lidhjen e qartë të njerëzve me Galaktikën, ashtu si dhe frazën e astronomit të famshëm Carl Sagan: Azoti i ADN-së tonë, kalciumi i dhëmbëve, hekuri në gjak, janë krijuar në brendësi të yjeve në procesin e kolapsit. Pra jemi të krijuar nga substanca yjore”.