Ekonomia

Rriten normat e interesit për kreditë në lekë

Për bizneset, që kanë marrë kredi në banka në janar, huaja ka qenë më e shtrenjtë, si në lekë, ashtu dhe në euro.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit e huave të reja në lekë për korporata jofinanciare publike dhe private në lekë ishte 7.51%, nga rekordi minimal i 5.32% që kishin zbritur në dhjetor.

Rritjen më të madhe e ka shënuar kredia për blerje pajisjesh nga 6.52%, në 7.94%.

Pozitiv është fakti që huatë e reja për çelje biznesi gjatë muajit janar kanë rënë në 6.8%, nga 7.47% një vit më parë.

Në rënie të ndjeshme ka qenë dhe huaja për biznese për pasuritë e paluajtshme, nga 6.04% në 5.45%.

Edhe për kreditë për biznesin në dollarë ka pasur një rritje të të interesave, nga 5.69% në dhjetor në 6.95 në janar.

Në euro interesat janë ulur lehtë, nga 4.98 në 4.72%.

Ndonëse interesat, sidomos ato në lekë janë afër minimumeve historike, kredidhënia për ekonominë mbetet e dobët.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë, në fund të dhjetorit ishte 546.7 miliardë lekë, nga 567.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Janari ka vijuar me tkurrje, teksa stoku ka zbritur në 545 miliardë lekë.

Reduktimi i huasë rezulton të ketë ardhur tërësisht nga valuta, e cila është kryesisht në euro. Sipas statistikave, stoku i kredisë në valutë në janar 2017 ra me 6.3% në 286 miliardë lekë.

Në të kundër huaja në lekë është gjallëruar.

Kredia në lekë është rritur me gati 9% me bazë vjetore në janar, për të arritur në 258.7 miliardë lekë. /Monitor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button