“Çdo marrëveshje duhet të çojë drejt paqes dhe stabilitetit në Ballkan”
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç dje u takua me Komisarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn me të cilin bisedoi lidhur me integrimet e Serbisë, dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe sundimin e ligjit, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisari Hahn pas takimit në llogarinë e tij në Twitter, tha se biseda me kryeministren Brnabiç në Beograd ishte e mirë dhe se ndër të tjera ata diskutuan mbi masat mbrojtëse për çelikun në Bashkimin Evropian.
Ai tha se një grup pune punon lidhur me strategjinë mediatike.
Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se kryeministrja dhe komisari diskutuan mbi domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe se fqinjët çështjet bilaterale duhet t’i zgjidhin me dialog por gjithashtu është e nevojshme përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik si bazë për përparimin e të gjitha vendeve në rajon.
Më tej në njoftim thuhet se Komisari Hahn, kur është fjala për negociatat me Prishtinën, tha se çdo marrëveshje duhet të sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kryeministrja Brnabiç shprehu gatishmërinë e Beogradit për të vazhduar dialogun, por theksoi nevojën për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.
Brnabiç falënderoi komisarin Hahn për ndihmën dhe shtoi se Ministria për Integrime Evropiane ka zhvilluar një sondazh, sipas të cilit 55 për qind e qytetarëve të Serbisë mbështesin anëtarësimin e vendit në BE.