Nga Pierre Haski
Funerali shtetëror i Mohsen Fakrizadeh, shkencëtari që konsiderohej si “truri” i programitbërthamor të Iranit, u mbajt të hënën nëTeheran. Fakrizadeh u vra më27 nëntor në mes të ditës në qendër të kryeqytetit iranian.
Autorësia e vrasjes nuk është pretenduar deri tani nga askush, por Izraeli nuk ka bërë shumë për të fshehur rolin e tij si organizator i këtij akti. Nga ana tjetër, të gjithëve në rajon u kujtohet shumë mirë se në vitin 2018 kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu i ftoi pjesëmarrësit në një konferencë shtypi që të ”nënvizonin” emrin e Fakhrizadeh.
Kjo ngjarje nuk është vetëm episodi i radhës në luftën e fshehtë midis dy vendeve. Ajo merr një peshë të veçantë duke marrë parasysh kontekstin, vetëm 7 javë para se të marrë detyrën presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara. Xho Bajden do të donte të ringjallte marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të nënshkruar nga Barak Obama, dhe të luftuar me të gjitha mjetet nga Donald Trump, për kënaqësinë e madhe të Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Vrasja e Fakrizadeh, e vendos Iranin përpara një dileme të madhe:A është vërtet e përshtatshme apo të ndiqet rruga e hakmarrjes, siç po kërkohet nga Garda Revolucionare, tashmë e goditur rëndë në fillim të këtij vitit, nga vrasja e gjeneralit karizmatik Kasëm Sulejmani, i vrarë nga një raketë amerikane në Bagdad të Irakut?
Vrasja e shkencëtarit në qendër të Teheranit, përbën një poshtërim për autoritetet iraniane, dhe dëshmon për një të metë serioze në sistemin e sigurisë, në një vend të kontrolluar në mënyrë rigoroze. Lehtësia përmes të cilës veprojnë agjentët izraelitë në Teheran, të kujton
më shumë një serial të “Netflix” sesa realitetin.
Si pasojë, reagimi në të nxehtë mund të jetë kërkimi i hakmarrjes. Dhe në fakt parlamenti iranian miratoi unanimisht një mocion që kërkon hakmarrje për vrasjen e shkencëtarit. Por në fund qeveria e Teheranit, e vetëdijshme për rreziqet që janë në lojë, ka të ngjarë që të përpiqet të shmangë një përshkallëzim të situatës.
Në fakt, një reagim agresiv nga Irani mund të shkaktojë një sulm nga ana e Izraelit (dhe ndoshta edhe të Shteteve të Bashkuara) kundër objekteve bërthamore iraniane, duke krijuar kësisoj një klimë konfrontimi që do të përjashtonte çdo lloj aksioni diplomatik.
Deri tani, Irani duket se ka zgjedhur që të presë përurimin në detyrë tëXho Bajdenit, për të verifikuar synimet dhe hapësirën manovruese të presidentit të ri amerikan. Por çfarë mund të bëjë Bajden? Aktualisht, dy vende kanë shkelur kushtet e marrëveshjes bërthamore:Shtetet e Bashkuara, të cilat u tërhoqën në mënyrë të njëanshme prej saj, dhe Irani që ka rifilluar programin e tij të pasurimit të uraniumit.
Hapi i parë për ta ringjallur këtë marrëveshje, do të jetë sigurimi që të dyja vendet, edhe pa biseduar drejtpërsëdrejti me njëri-tjetrin, të rikthehen dhe respektojnë kushtet e vendosura nëpaktin e vitit 2015, së bashku me evropianët që e mbajtën marrëveshjen gjallë edhe gjatë viteve të presidencës Trump.
Por pajtueshmëria me marrëveshjen e vjetër nuk është më e mjaftueshme, pasi tani perëndimorët duan gjithashtu të vendosin në tryezën e bisedimeve edhe kohëzgjatjen e marrëveshjes, programin balistik dhe politikën rajonale të Iranit. Vështirë që Teherani t’ipranojë këto të fundit.
Por në diplomaci asgjë nuk është e pamundur, sidomos duke marrë parasysh situatën katastrofike ekonomike në Iran. Mbetet të shihet nëse në klimën aktuale,ka ende vend për diplomaci. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, do të jenë vendimtare 7 javët e ardhshme, në të cilat Donald Trump dhe aleatët e tij do të ndjekin politikën e “tokës së djegur” për të parandaluar një kthim në negociata, ndërsa iranianët duhet që t’i rezistojnë tundimit të hakmarrjes. Megjithatë për momentin, është e vështirë të parashikohet se si do të jetë situata kur Bajden të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. /
“Internazionale” – Bota.al