Çështjet e pronësisë, ja si janë larguar në vite investitorët e turizmit nga Shqipëria
Në memorien e shumëkujt janë ende projektet për resortet e mëdha luksoze turistike në zonën e Kavajës, por sot kur punimet duhet të ishin në kulmin e tyre, fushat gjenden të shkreta para rrugëve të reja bosh, të bëra posaçërisht për zhvillimin e tyre.
Në gusht të vitit 2011, qeveria autorizoi ndjekjen me prioritet të ndërtimit të resorteve turistike në Synej dhe Gosë të Kavajës, bashkë me portin e jahteve, me vlerë të përbashkët investimi më shumë se 1 miliard euro. Burimet pranë projektit, thanë se, korniza ligjore dhe problemet me pronësinë, kanë lënë ende sot e kësaj dite të paangazhuara këto investime në turizëm. Prezantimi i projekteve me lejet përkatëse në prag të zgjedhjeve të 2013-s duket se kanë lënë në pritje disavjeçare investitorët, të cilët me ndryshimin e qeverisë duhet të përshtaten me rregullat e reja.
Në një gadishull kodrinor, të paprekur nga turizmi, rreth 20 kilometra në jug të qytetit turistik të Durrësit, kompania Finsec AG planifikon që të ndërtojë një port jahtesh me 800 vende parkimi, dhe një resort me 150 apartamente bashkë me një hotel veçmas që do të kushtonte 85 milionë euro. Gjithsej vlera e investimit përllogaritet në 200 milionë euro, duke përfshirë edhe portin. Por, për të zhvilluar fshatin turistik, investitorët zviceranë e kanë pasur të pamundur të sigurojnë lejet vendore dhe gjithashtu pronësia problematike e tokës i ka penguar ata.
Tërhiq e mos e këput është çështja e projektit tjetër për fshatin turistik të Vilbashtovës. Ish-ekspertë të atashuar pranë çështjes që në vitin 2011 pohojnë se, kompania është në pritje të ofertës shqiptare, pasi disa pengesa në lidhje me pronësinë e tokës dhe në marrjen e lejeve kanë penguar projektin. Projekti është gati, por për të njëjtat arsye që kanë lidhje me pronësinë dhe statusin e paqartë të koncesioneve në zonat turistike, investimi nuk ka vijuar më tej. Vilbashtova është një nga zonat më të bukura bregdetare të Adriatikut. Natyra është e paprekur dhe si rrallëkund mund të gjesh zambakë në rërë. Projekti britanik parashikonte ndërthurjen e disa elementeve, si shfrytëzimin e pjesëve më panoramike të zonës, ndërtimin e mjediseve sportive me një kapacitet më shumë se 30,000 pushues. Investitori në faqen e tij zyrtare njofton se “kthehemi shumë shpejt”. Qeveria e para vitit 2013, në mbështetje të këtij projekti, ndërtoi edhe rrugën e re nga aksi nacional në Vilbashtovë.
Kakomeja është padyshim një nga projektet më të përfolura në Shqipëri. Në fillim u mendua se do të ishte një projekt që do të mbante firmën e Club Med, por kompania u tërhoq nga investimi pak kohë më parë. Tani janë shqiptarët ata që po e ndërtojnë. Bëhet fjalë për fshatin turistik në zonën e Kakomesë. Është një ndërtim që synon thithjen e turistëve të huaj. Parashikohet që ky ndërtim të shtrihet në dy zona bregdetare. Ai do të njihet me emrin “Vendqëndrimi i ri i Robinsonëve”. Ndërtimi llogarit një sipërfaqe prej rreth 700,000 metër katrorësh. Vilat do të jenë një ose dykatëshe.
Rasti më tragjik i dështimit të investimeve serioze në fushën e turizmit është largimi i OMNIX Albania. I vetmi projekt që pas përpjekjeve disavjecare mundi të nisë punën për ndërtimin e një resorti luksoz, dje i dha fund investimeve në Shipëri për shkak se pak ditë më parë aksioneri kryesor i saj, Fadi Mitri, u dhunua rëndë.
Përfaqësuesi zyrtar i kompanisë OMNIX njoftoi dje se biznesmeni libanez, Fadi Mitri, tërhiqet nga të gjitha investimet në Shqipëri. Ai dha si shkak sulmin barbar të datës 10 shtator kundër tij dhe familjes.
OMNIX Albania, përgjatë këtyre viteve të fundit, ishte në përpjekje për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milionë USD në Gjirin e Lalëzit. Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, 370 dhoma me të gjithë elementet e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, park ujor, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.” – thuhet në reagimin zyrtar të OMNIX.
Ky projekt gjigant do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan, është shprehur përfaqësuesi zyrtar i kompanisë. Me këtë investim, OMNIX Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë”.
Si konkluzion, OMNIX Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për çdo shqiptar. Duke filluar nga dje, OMNIX Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë. “Falënderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta”,- referohet më tej në deklaratën zyrtare të largimit.
Përpjekjet e OMNIX për të investuar në Shqipëri në zonën e Gjirit të Lalëzit kanë nisur 8 vite më parë. Por vetëm në vitin 2013, kompania mundi të marrë lejen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për zhvillimin e investimit. Por me rrotacionin politik të 2013-s, projekti u ngri. Vetëm tani, muajt e fundit, qeveria Rama vendosi të hapë dritën jeshile për projektin, duke miratuar edhe shpyllëzimin e zonës ku do të ndërtohej resorti.