ParlamentarePolitika

CEZ-i/ Debate për mungesën e Berishës, Ristani: Shpifarak, Balla: Burgaxhi

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur në mbledhjen e sotme të komisionit hetimor për CEZ-in.

Dy javë pasi braktisi punimet e këtij komisioni me pretendimin se kreu i tij, Taulant Balla, është në konflikt interesi, i njëjti argument është përdorur nga Berisha për të refuzuar edhe mbledhjen e kësaj të premte.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, tha se Balla është dënuar nga gjykata për shpifje ndaj ish-kryeministrit. Sipas tij, Berisha do vijë në seancë sapo Balla të ketë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i komisionit.

Nga ana e tij, kryetari i komisionit të hetimor i kërkoi opozitës që t’i drejtojë kërkesë Kuvendit për pretendimet e saj.

“Këtu nuk është ngritur komision hetimor për Argitën dhe as për Shkëlzen Berishën. S’është ngritur komision hetimor për familjen e Sali Berishës. Komisioni është ngritur për hetuar marrëveshjen e privatizimit të OSHEE te CEZ. Nuk tërhiqem nga hetimi i kësaj çështje. Ky komision do të vijojë në drejtimin tim sa kohë Kuvendi më ka besuar këtë detyrë. Ju keni të drejtë t’i drejtoheni Kuvendit me kërkesë”, u shpreh Balla.

Duke iu referuar mungesës në komision të ish-kryeministrit Berisha për të dëshmuar, Balla tha se do t’i kërkohet, përmes një shkrese, Policisë së Shtetit, për ta sjellë atë me forcë.

Mbledhja e komisionit hetimor për CEZ-in u shoqërua me debate dhe akuza mes deputetëve Taulant Balla dhe Arben Ristani.

Debati Ristani-Balla:

Arben Ristani: Ju jeni shpifarak i dënuar nga gjykata, i konfirmuar me vendim gjyqësor. Gënjyet javën tjetër se s’ka një dënim të tillë, gënjyet edhe sot kur thatë se këtë e ka në dorë gjykata. Jeni dënuar si shpifës me vendim gjyqësor. Dhe kjo është e mbyllur.

Taulant Balla: Ti ke qenë në burg apo jo? Ke qenë në burg me urdhër të Sali Berishës. Shko shlyej dënimin.

Arben Ristani: Je mashtrues dhe shpifës i dënuar nga gjyqësori. Mos shpif, jep dorëheqjen.

Taulant Balla: Këtë çështje e vendos kryetari i Kuvendit. Ti zotëri ke vendim të Gjykatës së Lartë, shko shlyeje atje.

Arben Ristani: Gënjen dhe je mashtrues.

Taulant Balla: Gënjen ti. Kërkesën tuaj drejtojani kryetarit të Kuvendit. Kjo është një kërkesë e ulët për të shmangur dëshmitarin nga llogaridhënia. Ky komision thërret dëshmitarë dhe për fat të keq jo të pandehur. Dëshmitari do të merret me forcë dhe do të vijë në këtë komision.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button