Çfarë fshehin dosjet për demonstratat e ’81-shit? Dëshmi të ndryshme për organizimin dhe rolin e Shqipërisë
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë vazhdojnë të shoqërohen me versione të ndryshme për mënyrën se si nisën, kush i organizoi dhe cili ishte roli i organizatave ilegale, Shqipërisë dhe shërbimeve të atëhershme të sigurisë.
Dëshmitë e ish-pjesëtarëve të shërbimeve sekrete dhe veprimtarëve politikë nuk përputhen. Mehmet Haskaj, i cili në vitin 1981 ishte pjesëtar i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav, thotë se demonstratat e gjetën shërbimin “në gjumë”, ndërsa hedh pretendime për përfshirje të qarqeve ruse dhe serbe, pa sjellë prova konkrete për këtë.
“Shërbimin e Sigurimit të Shtetit në Kosovë, ato demonstrata e kanë gjetë në gjumë. Këto që të thashë janë pjesë të shërbimit rus dhe shërbimit serb”, ka deklaruar Haskaj.
Në anën tjetër, Abdullah Prapashtica, i cili thotë se kishte pasur kontakte dhe persona nën vëzhgim brenda Universitetit të Prishtinës, këmbëngul se protesta e 11 marsit ishte spontane. Sipas tij, organizatat ilegale u përpoqën t’i jepnin asaj drejtim politik vetëm pasi protesta kishte nisur.
“Tërësisht spontane. Kjo ka ndodhë në mbrëmje gjatë darkës. Dhe në protestë kanë marrë pjesë të gjithë studentët që kanë qenë të pranishëm në Qendrën e Studentëve”, ka thënë Prapashtica.
Megjithatë, një analizë e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav, e përpiluar në Beograd në vitin 1985, jep një version tjetër. Në dokument thuhet se trazirat e 11 marsit nuk ishin të rastësishme dhe se përbënin fillimin e organizuar të demonstratave që pasuan në Kosovë.
“Ky ishte fillimi i organizuar i demonstratave dhe trazirave që pasuan në Kosovë gjatë pranverës”, thuhet në dokumentin e klasifikuar.
Dokumentet e UDB-së e lidhin gjithashtu veprimtarinë e organizatave ilegale shqiptare me një periudhë më të gjatë, ndërsa pretendojnë se synimi përfundimtar i tyre ishte krijimi i kushteve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Por ky interpretim bie ndesh me deklaratat publike të Enver Hoxhës. Ai në atë kohë kishte thënë se demonstruesit kërkonin statusin e Republikës brenda Jugosllavisë dhe kishte mohuar se kërkesa e tyre ishte shkëputja nga Federata apo bashkimi me Shqipërinë.
“Ata nuk kërkuan as shkëputjen nga Federata, as bashkimin me Shqipërinë”, kishte deklaruar Hoxha.
Në dokumentet shqiptare ndërkohë regjistrohej një tjetër shqetësim: përmasat e represionit jugosllav. Një dokument i datës 2 prill 1981 flet për përdorimin në masë të forcave të ushtrisë dhe mjeteve ushtarake kundër demonstruesve.
Po ashtu, dosjet tregojnë se Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte ndërmarrë masa të veçanta për të mbikëqyrur ambasadën jugosllave në Tiranë, përfshirë survejim me tri turne dhe regjistrimin e bisedave me diplomatë.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me rolin e organizatave ilegale. Sabri Novosella e pranon se në një kabllogram të diplomatit shqiptar Bujar Hoxha, ai dhe Abdullah Prapashtica nuk e kishin marrë përsipër organizimin e demonstratave. Prapashtica, ndërkaq, thotë se Shqipëria ishte njoftuar me shkrim për zhvillimet në Kosovë.
– YouTube www.youtube.com
“Ne e kemi njoftuar me shkrim, jo verbalisht. Me shkrim e kemi njoftuar udhëheqjen e Shqipërisë për krejt rrjedhën që është zhvilluar në Kosovë: para demonstratave, gjatë demonstratave dhe pas demonstratave”, ka deklaruar Prapashtica.
Edhe për rolin e OMLK-së nuk ka një version unik. Saime Isufi thotë se përgatitjen politike të demonstratave e kishte bërë Kadri Zeka dhe OMLK-ja, ndërsa Bajrush Xhemajli pranon ndikimin dhe përpjekjen për orientimin e protestave, por mohon se shpërthimi fillestar ishte organizuar prej tyre.
“Por shpërthimi, si shpërthim, nuk ka qenë i yni. Përndryshe e kemi dhënë kontributin tonë, secili si kemi mundur”, ka thënë Xhemajli.
Në fund, dokumentet dhe dëshmitë e ndryshme nuk japin një përgjigje të vetme për pyetjen se kush i organizoi demonstratat e vitit 1981. Versionet variojnë nga protesta spontane, te ndikimi i organizatave ilegale dhe pretendimet për ndërhyrje të shërbimeve të huaja.
Ajo që mbetet e padiskutueshme është se demonstratat e vitit 1981 shënuan një kthesë të madhe politike në Kosovë dhe ndryshuan rrjedhën e mëtejshme të historisë së saj./Tv Dukagjini



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.