Çfarë mësuan SHBA-ja dhe Irani nga pesë javë luftë?
Ambasadori veteran Joey Hood, diplomat karriere, i cili ka shërbyer me fokus në Lindjen e Mesme nën disa administrata amerikane, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nxjerrë mësime të forta nga kapitulli i ri i dhunshëm në dekadat e armiqësisë mes tyre.
Përgjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Hood – i cili shërbeu si zëvendësndihmëssekretar kryesor i Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt gjatë administratës së parë të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe më parë si zëvendësshef i misionit në Irak dhe Kuvajt – tha se Teherani ka mësuar se SHBA-ja mund t’i eliminojë udhëheqësit e lartë sipas dëshirës, një realitet që do ta formësojë vendimmarrjen e ardhshme të Iranit.
Në të njëjtën kohë, ai tha se Uashingtoni ka mësuar se Irani – ose edhe aktorë joshtetërorë – mund ta bllokojnë në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit duke përdorur mjete me kosto të ulët, sikurse dronë, mina, apo edhe kërcënime tjera, pa dislokuar forca detare konvencionale.
Nëse raportimet për pikat negociuese iraniane janë të sakta, Hood beson se hendeku midis palëve do të mbetet i madh. Në mungesë të asaj që ai e quajti një “tërmet politik”, rreziku për përshkallëzim të ri mbetet i lartë, pasi secila palë ende beson se mund t’i shkaktojë kosto të konsiderueshme tjetrës.
REL: Të nisim me mësimet që si SHBA-ja, ashtu edhe Irani, kanë nxjerrë nga ky kapitull konflikti që daton nga viti 1979. Cilat janë ato mësime, sipas jush, dhe si duhet të ndikojnë ato në strategjinë amerikane si në afat të shkurtër, ashtu edhe në afat të gjatë?
Joey Hood: Mendoj se keni të drejtë kur thoni se ky është thjesht kapitulli më i fundit i një konflikti që ka zgjatur tashmë 47 vjet, sepse kemi një histori të gjatë këtu që nisi me marrjen peng të diplomatëve tanë nga ky regjim në Teheran për 444 ditë, në vitet 1979 dhe 1980. Dhe ka kaluar nëpër etapa të tjera, përfshirë luftën e cisternave në fund të viteve 1980 dhe, natyrisht, sulmet e shumta nga milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, Siri dhe Liban kundër forcave amerikane dhe personelit diplomatik.
Sa u përket mësimeve të nxjerra, mendoj se Teherani ka mësuar se Shtetet e Bashkuara mund të eliminojnë pothuajse çdo udhëheqës, në çdo kohë që dëshirojnë ta bëjnë këtë. Kjo, pra, do të duhet të merret parasysh në mënyrën e të menduarit të çdo udhëheqësi iranian që ngjitet në një rol drejtues dhe, rrjedhimisht, edhe në pozicionin e tij negociues – duke ditur se, nëse shkon shumë përtej vijave të kuqe të Amerikës, mund të jenë ata të radhës që eliminohen.
Së dyti, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë mësuar se Irani, ose edhe aktorë të tjerë, mund ta kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit thjesht duke lëshuar disa dronë apo mina të lira, apo edhe vetëm me kërcënimin për t’i përdorur ato. Nuk duhet më një armadë për ta bllokuar ngushticën, madje as fusha të thella me mina. Mjafton që kompanitë e sigurimeve të tremben aq sa anijet të mos lëvizin më – sepse sigurimi bëhet shumë i shtrenjtë, thjesht nuk është i disponueshëm, ose vetë kompanitë detare vendosin se nuk duan ta marrin atë rrezik.
Dhe kjo, në fakt, nuk është diçka që është plotësisht nën kontrollin e Uashingtonit apo Teheranit. Të dyja palët mund të thonë: “Në rregull, kemi një armëpushim të përkohshëm që anijet të mund të lëvizin”. Por, nëse kompanitë e sigurimeve dhe kompanitë detare nuk bien dakord, atëherë anijet nuk lëvizin. Dhe, deri tani, jo shumë anije janë vendosur në pozicion për ta kaluar ngushticën.
REL: Ju keni shërbyer në disa administrata që nga koha e George W. Bushit. Duke pasur parasysh se struktura udhëheqëse e Iranit ka mbetur relativisht e qëndrueshme me kalimin e kohës – dhe njohuritë e reja që SHBA-ja ka fituar për vendimmarrjen dhe tolerancën ndaj rrezikut të Iranit, përfshirë aftësinë amerikane për të eliminuar udhëheqjen e lartë – si mendoni se kjo ndikon në mendësinë e vendimmarrësve iranianë sot, veçanërisht kur hyjnë në negociata ose shqyrtojnë përshkallëzimin?
Joey Hood: Epo, ata duhet ta kuptojnë – dhe jam i sigurt se e kuptojnë – se, nëse nuk arrijmë në një zgjidhje të negociuar, atëherë një rifillim i konfliktit të armatosur mund të nënkuptojë, personalisht, se ata nuk do të mbijetojnë më.
Prandaj, mendoj se kjo u jep atyre një shtysë për të qenë më seriozë, ndoshta për të lëvizur më shpejt sesa do të bënin ndryshe, sepse kemi parë nga përvoja se duhen muaj dhe ndonjëherë vite për të arritur te një zgjidhje me ta. Kthehem te vitet 1979–1980, kur algjerianët na ndihmuan të arrinim lirimin e pengjeve diplomatike – por kjo mori shumë, shumë muaj. Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, e ashtuquajtura marrëveshja bërthamore e vitit 2015, kërkoi vite negociatash.
Dhe mendoj se kjo është një nga gjërat që e shtyu presidentin Trump të niste tani armiqësitë ushtarake, sepse ai nuk ishte i bindur se negociatorët iranianë ishin seriozë. Ai tha se ata po “zvarriteshin”, si kur troket me këmbë vetëm për të mbajtur ritmin e muzikës.
Përpjekje për të ngushtuar hendekun
REL: Duke kaluar te kornizat e raportuara të negociatave: Nëse propozimet iraniane të përmendura në media janë të sakta, ju keni sugjeruar se dy palët mbeten shumë larg njëra-tjetrës. Cilat janë pengesat kryesore përmbajtësore dhe sa e vështirë do të jetë t’i kapërcejnë ato pa atë që ju e keni quajtur “tërmet politik”?
Joey Hood: Duke iu kthyer pyetjes suaj të mëhershme, mendoj se SHBA-ja do të duhet ta përshtatë mënyrën se si mendon dhe planifikon për ta mbajtur të hapur transportin tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo do të përfshijë teknologji të re, aleanca të reja me disa nga shtetet e Gjirit dhe ndoshta konflikt të mëtejshëm, fatkeqësisht, për aq kohë sa regjimi në Teheran nuk e ndryshon në mënyrë thelbësore pikëpamjen dhe strategjinë e tij ndaj pjesës tjetër të botës.
Tani, çfarë duan të dyja palët? Të dyja palët duan të jenë fuqia dominuese në Lindjen e Mesme, dhe të dyja nuk mund ta arrijnë këtë në të njëjtën kohë.
Pra, nëse nuk ndodh një tërmet politik në njërën anë ose tjetrën, ato nuk do të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje të negociuar që përmbush shumicën e – në mos të gjitha – objektivave të tyre strategjikë. Prandaj, fatkeqësisht, nuk mendoj se ka shumë arsye për optimizëm sa i përket këtij armëpushimi të përkohshëm, apo një fundi gjithëpërfshirës të këtij konflikti që ka vazhduar për 47 vjet. /os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.