Çfarë paralajmëroi Dolly Parton pa e ditur, vetëm pak ditë para vdekjes
Vetëm katër ditë para se të ndahej nga jeta, Dolly Parton foli publikisht për problemet shëndetësore që, sipas saj, i kishte lënë pas dore gjatë viteve kur kujdesej për bashkëshortin e saj, Carl Dean.
“Po trajtohem për disa probleme shëndetësore të cilave nuk u kushtova vëmendje kur kujdesesha për Carl-in”, tha ajo në një nga intervistat e fundit.
Deklarata u anashkalua, por pas vdekjes së artistes është rikthyer në vëmendje si pjesë e një diskutimi më të madh: çfarë ndodh me shëndetin e njerëzve që kalojnë vite duke u kujdesur për një partner, prind apo familjar të sëmurë?
Në tetor 2025, Parton gjithshtu pranoi se gjatë sëmundjes së Carl-it dhe pas vdekjes së tij “nuk ishte kujdesur për veten” dhe kishte lënë shumë gjëra pas dore. Disa muaj më vonë, në mars 2026, ajo tha se ndihej “e rraskapitur dhe e lodhur”, ndërsa në gusht përsëriti edhe një herë se kishte neglizhuar problemet e veta shëndetësore.
Studime të mëparshme e kanë lidhur kujdesin afatgjatë ndaj një personi të sëmurë me nivele më të larta stresi, tensioni, ankthi, depresioni dhe dobësim të përgjigjes imunitare. Një studim i publikuar në JAMA në vitin 1999 zbuloi se te bashkëshortët e moshuar që kujdeseshin për partnerin dhe raportonin stres të lartë, rreziku i vdekshmërisë gjatë katër viteve ishte 63% më i lartë krahasuar me bashkëshortët që nuk kishin rol kujdestari.
Edhe të dhëna të tjera tregojnë se ata që kujdesen për familjarët e sëmurë kanë mesatarisht shëndet më të dobët dhe nivele më të larta të problemeve si hipertensioni, depresioni dhe ankthi.
Thënë këto, persona të tillë duhet të monitorohen më mirë nga sistemi shëndetësor, të pyeten rregullisht për gjendjen e tyre fizike dhe mendore dhe të kenë më shumë mbështetje praktike. Dhe për njerëzit pranë tyre, këshilla është po aq konkrete: në vend të “më thuaj nëse të duhet gjë”, më mirë vepro me diçka konkrete dhe praktike: mund të çosh ushqim, të marrësh përsipër kujdesin për disa orë apo thjesht t’i japësh personit mundësinë të pushojë, të shkojë te mjeku ose të flejë.









Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.