Nëse i përjeton gjërat më fort se të tjerët, provo këtë hobi

Disa njerëz i përjetojnë gjërat më fort se të tjerët. Një koment i vogël u rri në mendje gjatë, një bisedë analizohet disa herë pasi ka mbaruar dhe emocionet mund të jenë më të forta se sa duken nga jashtë.
Shpesh, këta njerëz rriten duke dëgjuar fraza si “je shumë e ndjeshme”, “po e ekzagjeron” ose “i merr gjërat shumë personale”. Por psikiatrja Sasha Hamdani thotë se kjo ndjeshmëri nuk duhet parë automatikisht si dobësi.
Sipas saj, njerëzit që ndiejnë dhe përpunojnë emocionet më thellë mund të kenë një sistem nervor më reaktiv dhe të jenë shumë perceptues ndaj asaj që ndodh rreth tyre. Kjo mund t’i lodhë, sidomoë kur nuk dinë mënyra për t’i menaxhuar emocionet. Pikërisht për këtë arsye, Hamdani rekomandon një zakon shumë të thjeshtë: mbajtjen e një ditari.
Pse pikërisht ditar?
Sipas psikiatres, ditari i jep emocionit një vend ku të “shkojë” përpara se ai të kthehet në një mesazh të nxituar, një debat, një spirale mendimesh apo një tërheqje të plotë nga situata. Me fjalë të tjera, krijon pak distancë mes asaj që ndien dhe mënyrës si reagon.
Kjo pauzë mund të jetë e dobishme për njerëzit që e analizojnë tepër një bisedë, mendojnë gjatë nëse dikush është mërzitur me ta ose reagojnë fort ndaj refuzimit dhe kritikës.
Shkrimi ndihmon edhe për të dalluar sjellje që në moment mund të mos i shohësh. Çfarë të prek më shumë? Çfarë të aktivizon emocionalisht? Për çfarë ke nevojë realisht në atë situatë? Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, çfarë historie po të tregon mendja jote për situatën që sapo ndodhi?
Kur këto gjëra i sheh të shkruara, bëhet më e lehtë t’i ndash faktet nga interpretimet.
Qëllimi nuk është të bëhesh “më pak e ndjeshme”
Hamdani thekson se ideja nuk është të shtypësh emocionet apo të përpiqesh të bëhesh një person që “nuk e vret mendjen”. Përkundrazi, qëllimi është të mësosh si ta rregullosh përjetimin e emocionit pa mohuar ndjeshmërinë.
Në praktikë, kjo do të thotë të ndalosh për një moment, të emërtosh atë që po ndodh, të kontrollosh faktet dhe më pas të zgjedhësh reagimin tënd, në vend që emocioni ta zgjedhë për ty.
Pra, nëse ke kaluar vite duke dëgjuar se je “shumë e ndjeshme”, zgjidhja nuk është të ndiesh më pak, por të gjesh një mënyrë më të mirë për t’i përpunuar të gjitha ato që ndien.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.