Politika

Çfarë parashikon pr/ligji “Për hapjen e dosjeve”

Projektligji “Për hapjen e dosjeve”, një nismë e shoqërisë civile, e mbështetur nga një grup deputetësh, është depozituar tashmë zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë.

mersila-doda-dosjet-5-Foto-AMesila Doda, deputete e Partisë Demokratike, që së bashku me deputetin Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dorëzoi draftin në parlament, gjatë një intervistë për “Top Channel’ shpjegon se pr/ligji ka të bëjë me hapjen e dosjeve, një çështje që do pasohet me pjesën e lustracionit ose me largimin e personave që i kanë shërbyer diktaturës në role të ndryshme.
Sipas Dodës janë disa kategoritë që prek drafti, si funksionarët e lartë të partisë dhe levat e tyre apo ata të Sigurimit të Shtetit, ku do të shikohet aktiviteti i tyre gjatë asaj periudhe.
“Mbi të gjitha janë trajtuar të gjithë personat që janë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të cilët nuk mund të vazhdojnë veprimtarinë në këto funksione të parashikuara në ligj, në rast se kanë një të kaluar problematike në aktivitetin e tyre, si për Sigurimin e Shtetit, ashtu edhe në pozicionet e larta të Partisë së Punës”, shpjegon Doda.
Sa i takon personave që janë pjesë e politikës, deputetja e PD-së sqaron se do të pritet fundi i mandatit të tyre kushtetues, pasi kjo ka qenë dhe një nga vërejtjet që Gjykata Kushtetuese ka bërë rreth 3 vite më parë kur e ka hedhur poshtë ligjin.
“Kjo ka të bëjë me gjetjen e të gjithë bazës së veprimtarisë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i kanë futur brenda këtij rrjeti, të cilët edhe mund t’i kenë kërcënuar këta persona. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të flasim për historinë me një zë të vetëm, të argumenteve që na ofrohen nga aktiviteti i dikurshëm i zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, por edhe i mjeteve të dhunës që regjimi kishte në atë kohë. Në këto raste, dosjet e personave që kanë bashkëpunuar apo kanë pasur rol të veçantë në mjetet e dhunës do të bëhen publike”, tha Doda. Megjithatë, shton ajo, nëse këta persona do të japin dorëheqjen, do të evitohet pjesa e bërjes publike të dosjes, por kjo është diçka që mbetet në vlerësimin e parlamentarëve. Ky është vetëm hapi i parë, pasi procesi do të jetë relativisht i gjatë deri në miratimin e ligjit.
Nisma ligjore, e propozuar nga shoqëria civile, nuk është e para në 23 vite pluralizëm në Shqipëri.
Shqipëria i ka hedhur hapat e para në drejtim të verifikimit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë në vitin 1995, vit në të cilin Partia Demokratike, atëhere në pushtet, adaptoi ligjin e zbatuar në Çeki, një tjetër vend post-komunist. Në bazë të këtij ligji, u ngrit një komision që bëri një punë serioze për sa i përket verifikimit të figurave.
Ndërkohë me ardhjen në pushtet të PS-së ky ligj nuk u miratua, por u ngrit sërish një komision verifikimi që funksionoi për verifikimin e të zgjedhurve në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura (1997 dhe 2001). PD nuk iu bashkangjit asnjëherë këtij komisioni që kryesohej nga socialistët.
Një tjetër nismë e ngjashme u miratua mes debatesh në parlamentin shqiptar më 22 dhjetor 2008, vetëm me votat e maxhorancës së djathtë, ndërsa u kundërshtua fort nga opozita e majtë, e cila e konsideroi projektin antikushtetues, duke e ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.
Më 16 shkurt 2009 Kushtetuesja vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit të mësipërm, duke çmuar se kjo mund të sillte pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit.

-Hapja e dosjeve në vendet e tjera post komuniste-

Sot ka një arkiv të pasur lidhur me qëndrimet e adaptuara nga vendet post-komuniste ndaj kësaj çështjeje. Në tërësinë e tij, ky arkiv ka si pikë të përbashkët hapjen e dosjeve, një tipar ky që bashkon të gjitha ligjet e Europës ish- komuniste. Megjithatë, këto ligje kanë edhe dallime serioze mes tyre.
Në Poloni, hapja e dosjeve është shoqëruar me procese gjyqësore ndaj gjithkujt që ka ndikuar në dënimin, ndëshkimin apo internimin e qytetarit për bindje politike apo raciale. Ligji polak dënon jo vetëm krimet e kryera nga komunizmi, por edhe krimet e kryera nga nazizmi dhe fillon veprimet e tij nga dita e pushtimit të Polonisë.
Në Gjermaninë Lindore procesi i hapjes së dosjeve është kryer menjëherë pas bashkimit të ish-RDGJ-së me RFGJ-në dhe sot në Gjermani arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit (STAS-it) janë të hapura edhe për publikun.
Ndërkohë, vende të tjera kanë preferuar të hapin dosjet dhe të bëjnë transparencën, por nuk kanë shkuar më tutje në vendimmarrje, ashtu sikurse disa vende të tjera hapjen e dosjeve e kanë shoqëruar me largimin nga detyrat e fituara me zgjedhje, emërim apo caktim në administratën publike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button