Christos Stylianides: BE, solidaritet i plotë me Shqipërinë, veprime konkrete për të dalë nga kriza e zjarreve
“I kuptoj mirë sfidat e mëdha për t’i ndalur zjarret”, thotë Christos Stylianides, komisioneri i BE. Rreziku i zjarreve që po u afrohet shtëpive është i madh. Greqia dërgoi dy avionë të tjerë zjarrfikës të tipit PZL.
“I kuptoj mirë sfidat e mëdha për t’i ndalur zjarret”, thotë Christos Stylianides, komisioneri i BE. Rreziku i zjarreve që po u afrohet shtëpive është i madh. Greqia dërgoi dy avionë të tjerë zjarrfikës të tipit PZL.
Deutsche Welle: Z. Stylianides, BE po mbështet Shqipërinë në situatën shumë të vështirë të shuarjes së zjarreve në pyje, që kanë përfshirë pothuajse gjysmën e territorit të saj. A do të vazhdojë mbështetja e Komisionit Europian kur beteja me zjarrin nuk është e lehtë dhe zjarret mund të shtohen në ditët në vijim?
Christos Stylianides: Vij nga Qipro, vend që gjithashtu ka vuajtur nga zjarret shkatërrimtare në pyje dhe e di drejtpërsëdrejti, jo me të treguar, sesa të rrezikshëm dhe të vështirë mund të jenë zjarret. Kuptoj shumë mirë sfidat e mëdha për t’i ndalur apo fikur ato. Dëshiroj të jem i qartë: Ne jemi angazhuar të bëjmë gjithçka për të ndihmuar Shqipërinë. Për aq kohë sa ajo ka nevojë dhe me aksione konkrete. Në vijim të kërkesës së Shqipërisë për ndihmë, këtë javë ne menjëherë vumë në lëvizje Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE që iu përgjigj pa asnjë vonesë kërkesës së Shqipërisë. Po e mbështesim Shqipërinë në dy mënyra kryesore: para së gjithash kemi mobilizuar aeroplanët zjarrfikës që u ofruan nga Greqia përmes Mekanizmit tonë Europian të Mbrojtjes Civile, që filluan të funksionojnë javën e kaluar dhe kanë vazhduar gjithashtu edhe këtë javë- pikërisht dje (11/08/2017) dy aeroplanë Canadair vepruan në bashkinë jugore të Dropullit.
Përfitoj nga rasti për të falenderuar Greqinë për bujarinë e saj. Ky është një shembull i prekshëm i solidaritetit europian. Së dyti: po u dërgojmë autoriteteve shqiptare të mbrojtjes civile harta satelitore përmes sistemit Kopernikus, të cilat ndihmojnë shumë personelin e mbrojtjes civile për të identifikuar frontet e zjarrit dhe fokusuar me efektivitet përpjekjet për të luftuar dhe shuar zjarret. Në të gjithë Europën, shumë vende të tjera si Italia, Franca, Portugalia dhe Mali i Zi, këtë verë, kanë aktivizuar gjithashtu Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për të shuar zjarret në pyje. Ne u jemi përgjigjur me shpejtësi. Është një situatë e vështirë por po bëjmë gjithçka që mundim për të ndihmuar në kapërcimin e saj.
A po bashkëpunon intensivisht Mekanizmi i Ndihmës Humanitare dhe Menaxhimit të krizave të BE me autoritetet e Mbrojtjes Civile në Shqipëri për të menaxhuar kësaj vere situatën kritike të zjarreve massive ne pyje?
Christos Stylianides: Sigurisht. Qëndra jonë e Emergjencave Civile, që punon 24 orë në 7 ditët e javës, është në lidhje të vazhdueshme me autoritetet shqiptare të Mbrojtjes Civile. Janë ata që na informojnë ku duhet të dërgojmë mbështetjen tonë dhe për ҫfarë lloj ndihme kanë nevojë: deri tani kanë kërkuar aeroplanë zjarfikës që janë dërguar menjëherë. Përgëzoj përpjekjet e punonjësve shqiptarë të emergjencës civile dhe ata të Greqisë që punuan së bashku pa u lodhur për t’u përleshur me zjarret.
Z. Komisioner Stylianides, cilat janë parimet kryesore që zbaton BE në menaxhimin e rreziqeve e fatkeqësive natyrore për popullsinë civile në vendet që nuk janë anëtare, si është rasti i Shqipërisë?
Christos Stylianides: Para së gjithash le të them që të parandalosh është përherë më mirë se të kurosh. Prandaj, si një parim i përgjithshëm, ne punojmë me shtetet brenda dhe jashtë Evropës për të rritur kapacitetet parandaluese. Kur është fjala për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësi natyrore, parimet janë të njëjta për vendet brenda dhe jashtë BE-së. Ne inkurajojmë partnerët tanë në Europë dhe në vende të tjera të botës të investojnë në masat parandaluese për të zvogëluar rreziqet në të ardhmen. Për shembull të përmirësojnë sistemet e alarmit dhe shkëmbimin e informacionit kur shfaqet një krizë. Në këtë mënyrë reagimi, përgjigja ndaj saj mund të jetë më e shpejtë, më efikase. Në vendet fqinje me BE ne japim gjithashtu fonde.
Albanien Waldbrände (European Commission)
Greqia dërgoi avionë zjarrfikës të shtunën (12.08) për të ndihmuar Shqipërinë
Vitin e kaluar u dhanë 20 milion euro për aktivitete të zvogëlimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në rajonin e fqinjësisë. Kemi disa programe në Shqipëri dhe gjithashtu ofrojmë kurse treinimi përmes Mbrojtjes Civile të BE. Dëshiroj të shtoj se një nga përparësitë e mia si Komisioner për Menaxhimin e Krizave është të forcojë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile dhe të rrisë bashkëpunimin që të jemi të aftë t’u përgjigjemi edhe më mirë fatkeqësive natyrore. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE është një manifestim i solidaritetit europian. Ai demostron në mënyra konkrete se ҫfarë mund të arrijmë kur punojmë së bashku.
Christos Stylianides është anëtar i Komisionit Europian, i ngarkuar për Ndihmat Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave. Mekanizmi i BE për Mbrojtjen Civile është një rrjet autoritetesh të mbrojtjesh civile që mund t’i dërgojnë njëri-tjetrit mjete si aeroplanë zjarrfikës ose zjarrfikës. Komisioni Europian koordinon ofertat vullnetare të shteteve pjesëmarrëse edhe pse ky mekanizëm mund të bashkëfinancojë transportin e mjeteve dhe ekspertëve të ndihmës në vendet përkatëse.