Politika

Cikli i debateve publike “XENOS-Të jetosh e punosh në diversitet”, nis nga Vlora

Në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, startoi të premten iniciativa “XENOS-Të jetosh e punosh në diversitet”, organizuar nga Fate Velaj, këshilltar i Kryeministrit Edi Rama për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane dhe me praninë e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, Ambasadorit të Austrisë në Tiranë, Thomas Schnöll, Konsullit të Përgjithshëm të Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio.

Fate-Velaj-në-konferencën-e-zhvilluar-sot-në-VlorëFoto-H“XENOS – living and working in diversity”, që është një cikël debatesh të hapura, u zhvillua në një mjedis të gjerë me praninë e studentëve e intelektualëve nga qyteti i Vlorës, të cilët u bënë pjesë aktive në një bashkëbisedim që zgjati pothuajse 2 orë.
Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, duke sjellë përvojën e saj nga jeta dhe puna në Francë, theksoi se, “nocioni, koncepti i BE-së, është ndërtuar mbi hapjen dhe pranimin e të tjerëve ashtu siç janë dhe, sigurisht, mbi bazën e disa rregullave të cilat ata i aplikojnë dhe në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE, i aplikojmë edhe ne”. Në këtë kontekst, ajo evidentoi Ligjin “Për Nëpunësin Civil”, që ishte edhe një nga tre ligjet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE dhe që, veç kësaj, mbetet edhe një nga prioritetet që i janë vënë Shqipërisë, në rrugëtimin drejt çeljes së negociatave për anëtarësim në BE. Kjo, sipas Ministres Harito, lidhet me faktin se, përmirësimi i administratës publike, është diçka esenciale për funksionimin e shtetit. Në këtë arsyetim, ajo u ndal tek rregullat e pranimit në administratën publike përmes një procesi të qartë e të saktë konkurrimi, që zhvillohet gjithashtu përmes aplikimit “online”. Ministrja Harito përmendi se, janë rreth 90 mijë vetë pjesë e administratës publike, nga të cilët rreth 35 mijë janë në sistemin arsimor, 10 mijë në strukturat e policisë dhe 10 mijë janë pjesë e shërbimit civil dhe që kanë statusin e “Nëpunësit civil”, përveçse 10 mijë të tjerëve që e kanë këtë status në administratën e qeverisjes vendore.
Nga ana e tij, Fate Velaj, organizator i kësaj nisme, theksoi se, ky aktivitet ishte planifikuar të zhvillohej pas ngjarjeve të “Charlie Hedbo”, por u shty për shkak të situatave që u krijuan pas përmbytjeve në zonën e Novoselës, të cilat sipas tij, u administruan si asnjëherë tjetër më parë, nga Qeveria Shqiptare dhe strukturat në varësi të saj.

Konsulli i Italise ne Vlorë Bergesio sot në konferencëXsenos-Të jetosh e të punosh në diversitet”, është një temë e cila sipas tij, u organizua në Universitetin e Vjenës, fill pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 me praninë e deputetëve, eurodeputetëve, personalitete të kulturës evropiane e më gjerë. Pas asaj ngjarjeje, sipas Velajt, kishte mjaft nga ata që flisnin për luftë e përplasje të civilizimeve e qytetërimeve, deri në ato fetare, ndërkohë që mediat raportonin për masa të shtërnguara të sigurisë nëpër rrugë, aeroporte, stacione metrosh e hekurudhash. Velaj theksoi se, në Evropë kishte edhe nga ata që këto akte terrori i klasifikonin si kryevepra të jazhtëzakonshme arti, apo nga ata liderë të të djathtës ekstreme, si Jorg Haider, lider i Partisë së ekstremit të djathtë në Austri, që kërkonin largimin e të huajve nga Evropa.
“Përse këta persona që kryen këto vepra, sado që ishin arsimuar në “top universitete”, ishin lindur dhe rritur në kryeqytete evropiane, të njohura botërisht për shoqërinë multikulturore dhe hapësirat që krijohen në to për të huajt të paraqesin lirshëm kulturën dhe identitetin e tyre, nuk kishin arritur të gjenin forcën për një dialog e debat në një shoqëri të hapur siç është ajo evropiane e amerikane, për se ata nuk gjetën armën e dialogut e të argumentonin prejardhjen e identitetin e tyre kulturor e të debatonin me qytetërimet e civilizimet e paraardhësve të tyre, por kaluan në terror e akte të lidhura me terrorin, cilat qenë ndryshimet e dallimet mes tyre e vendeve pritëse dhe sa të thella ishin ato në mendjet e tyre”, pyeti Velaj. “Në përfundim të të gjitha debateve të lidhura me këtë temë, qofshin ato që organizova në Vjenë, në Bruksel, në Athinë, Shkup etj, kemi ardhur në përfundimin se mos pranimi me vetëdije i këtyre i vlerave fondamentale të shoqërive në vendet të cilët këta vetë i kishin përzgjedhur për të studiuar e jetuar, apo punuar, përqafimi i doktrinës më të errët të shoqërisë nga ata vinin dhe në veçanti të një pjese radikale religjioze që nuk përfaqëson fenë e tyre, atë islame, e cila në bazë të saj ka dashurinë dhe mirëkuptimin, i ka bërë këta persona të identifikohen me zinë radikale dhe obskurantiste”, argumentoi ai.
Sipas tij, përkundër pritshmërive, pas pasojave që shkaktuan sulmet e 11 shtatorit, duke u bazuar në përvojën e tij në Evropë e vende të tjera, këto vende kanë përfituar nga diversiteti kulturor, nga ardhja e të huajve, sepse brenda këtyre komuniteteve ka patur njerëz me kulturë e identitetin respektiv, që ka nxitur dhe pasuruar jetën. “Evropa zhvillohet nga diferencat e saj dhe lulëzon nga diversiteti i saj”, citoi Velaj një thënie të njohur të Albert Kamy. “Unë që vetë kam përfituar nga diversiteti kulturor në Austri e vende të tjera, në vitin 2002, me ftesë të ministrit të atëhershëm të kulturës së Egjiptit, zhvillova në këtë vend si përfaqësues i qeverisë austriake dhe zhvillova “Ndërmjet Danubit dhe Nilit”.

Ky aktivitet tregoi se dialogu i kulturave funksionoi, aq më tepër që bëhet fjalë për një periudhë menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit. Në këtë kontekst, ai solli shembullin e emigrantëve shqiptarë në botë, të cilët, sipas tij, në vendet ku kanë emigruar kanë ditur të prezantojnë identitetin dhe kulturën e tyre, ndërkohë që janë integruar në jetën e këtyre vendeve sipas formimit të tyre kulturor, apo bindjeve politike respektive. Ai falenderoi qeveritë e vendeve të ndryshme, si Austria , Italia, Gjermania, etj, të cilët u kanë dhënë mundësi emigrantëve nga Shqipëria të prezantohen me pasuritë kulturore, me identitetin e tyre. “Pa një njohje të vlerave, të civilizimit, të historisë së popujve ku shkojmë, ne nuk mund të bëhemi pjesë e dialogut, nuk mund të tregojmë e të prezantojmë vlerat tona”, theksoi Velaj.
“Të jetosh e të punosh në diversitet, do të thotë të jesh i aftë të pranosh të kundërtën e tjetrit e të jetosh me të, duke e marrë atë si rrjedhojë e zhvillimeve të cilat shpesh herë historia i ka mbajtur larg vendet tona. Të jetosh në pluralizëm kulturor, do të thotë të jesh i aftë të tregosh e të paraqitesh me dinjitet prejardhjen tënde, të ndihesh krenar për ato cilësi që ne kemi e që bota na i ka pranuar”, nënvizon Velaj.

Ai shtoi se, të jetosh e punosh në diversitet, do të thotë të pranosh edhe rregullat dhe vlerat fondamentale të vendeve të cilat vetë i ke përzgjedhur për të jetuar. Ne nuk shkojmë në këto vende për t’i ndryshuar ato, për të cilat ata kanë punuar me breza të tëra e me mijra vite, por ne shkojmë për të përmirësuar jetën tonë, për të ndërtuar një të ardhme ndryshe, për pasardhësit tanë”, theksoi Velaj.
Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Thomas Schnöll, theksoi se Shqipëria e meriton dhe nuk do të zgjasë shumë që ajo të bëhet pjesë e familjes evropiane. “Për ne nuk është e rëndësishme data se kur do të fillojnë bisedimet për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, por e rëndësishme është që reformat të cilat kanë nisur të vazhdojnë akoma, sepse ato janë njësia matëse për afrimin në BE”.
Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Stefano Bergesio, u ndal mes të tjerash në rrjedhojat dhe tabloja e re e krijuar pas përmbysjes së Murit të Berlinit, për shoqëritë e vendeve të ndryshme në Evropë me rritjen e forcës së komunikimit, përmbysjes së ideologjive totalitare, por mbi të gjitha ajo ngjarje u shoqërua me zhvillimin e teknologjisë e cila u ka lejuar të rinjve edhe më pak të pasur, të kenë akses në burimet e informacionit, të internetit dhe të mund të përfitojnë nga një kulturë globale dhe pa kufi.
“Italia është e angazhuar në pararojë në Mesdhe për gjetjen e të dëshpëruarve që marrin arratinë nga zonat e luftës dhe kjo përpjekje, na bën krenarë për jetët e shpëtuara, por nga ana tjetër na bën të ndihemi të pafuqishëm përballë kësaj tragjedie njerëzore”, theksoi Bergesio. Ndërkohë, ai solli dy shembuj kuptimplotë për të argumentuar idenë e tij për mundësitë e krijuara dhe për afrimin e Shqipërisë me Evropën.
“Më pëlqen të kutjoj këtu dy shembuj tek të cilat kam qenë dëshmitar së fundi këtu në Vlorë dhe që më kanë bërë përshtypje të veçantë. Së pari është Projekti KEPASS mes Italisë, Shqipërisë, Bosnjes, Sllovenisë dhe Malit të Zi, që, këtu në Shqipëri është drejtuar nga AULEDA me sukses te plote dhe që ka përfshirë tre shkolla të mesme të cilat kanë mirëpritur për tre muaj 11 nxënës italianë dhe që ka mundësuar për të dërguar po kaq nxënës shqiptarë në shkollat e mesme italiane. Së dyti, është puna e shkëlqyer e kryer nga “Albanian Excellence”, punë që u ka dhënë shpërblimin e duhur të gjithë shqiptarëve që kanë arritur në botë suksesin e merituar dhe që janë bërë shembuj për shumë të tjerë për të ndjekur rrugën e tyre”, u shpreh Konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button