Cila do të jetë fryma e re e PS-së në zgjedhjet 2017? Ruçi: Koha të kemi një organizim tjetër!
Në 25-vjetorin e Partisë Socialiste të Tiranës, Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar, foli për një “frymë” të re që i nevojitet kësaj force politike udhëhequr nga Edi Rama.
Ruçi foli këtë të enjte, për një veprim tjetër politik që i duhet partisë, e siç theksoi ai, socialistët do të dinë të ringrihen.
“Si sot një vit më pas ne do të shkojmë në zgjedhjet e përgjithshme, në betejën e ardhshme që është koha e momenti që na duhet një frymë tjetër, një organizim tjetër, një veprim tjetër politik dhe ne socialistët do të dimë siç kemi ditur që të ringrihemi’ u shpreh Ruçi.
Ceremonia u mbajt në ambientet e muzeut Historik Kombëtar pa praninë e kryeministrit Edi Rama i cili është nisur drejt Francës për të ndjekur kombëtaren që për herë të parë është pjesë e kampionatit europian të futbollit.
Ruçi bëri edhe një krahasim të socialistëve me kundërshtarin e djathtë politik, ku nuk la pa përmendur edhe reformën në drejtësi.
‘Mund të thoni gjithçka për socialistët ju vëllezër opozitar. Po në 11 vite pushtet PS nuk ka lyer duart me gjak nga furgjia e kryeministrisë siç i keni lyer ju. Prandaj balta do të vazhdojë, lufta do të vazhdojë, këto janë mjetet e rrugët që ka zgjedhur kundërshtari ynë politik. E rëndësishmja është çfarë kemi zgjedhur ne. Shikoni çfarë po ndodh. 24 orë pas dështimit spektakolar që i bëri PD ecurisë së komisionit për reformën në drejtësi, pikërisht goditet drejtori i përgjithshëm i policisë”, – u shpreh deputeti socialist.
Një nga objektivat e Partisë Socialiste ishte që në 25-vjetorin e themelimit të arrinte 150 mijë anëtarë, çka nuk mundi të realizohej. Mbetet për tu parë se cili do të jetë aksioni i ri që do të ndërmarrë Partia Socialiste për të dalë fitimtare në betejën e radhës elektorale. A do të thotë kjo edhe afrim i figurave të vjetra?
Në kuadër të festimeve për 25-vjetorin, 61 degët e PS në rrethe po zhvillojnë aktivitete të tilla deri në 12 korrik, kur pritet të zhvillohet dhe festa e madhe. Shkak për shtyrjen e saj u bënë pikërisht ndeshjet e futbollit Francë 2016.