Cila është filozofia dhe pedagogjia e arsimit tonë?
MAKSIM ÇELA
Komunistët e kishin të drejtë që thoshin se ne kemi një bosht ideologjik dhe filozofik në arsimim, dhe kjo ishte filozofia M-L, por kush mund, në këta 25 vjet, të më thotë çfarë filozofie kemi në edukimin e njerëzve të brezit të ri? Edukim tallava nuk mund të ketë. Ato përcaktohen nga dy faktorë: gjendja sociale, ekonomike dhe politike e vendit dhe nga trashëgimia që ke pasur nga e kaluara.
Pas viteve ‘90 u hodh ideja e “depolitizimit” të arsimit, por le të shohim nëse është vërtet edukimi apolitik apo kjo është, si shumë të tjera, një shpikje e teoricienëve shqiptarë?
Ky është përkufizim i edukimit sipas Richard Shaull, Noam Chomsky etj. Po e citoj në origjinal.
“There is no such thing as a neutral education process. Education either functions as an instrument which is used to facilitate the integration of generations into the logic of the present system and bring about conformity to it, or it becomes the ‘practice of freedom’, the means by which men and women deal critically with reality and discover how to participate in the transformation of their world.”
“Nuk ka dhe nuk ekziston një proces neutral ose i paanshëm i edukimit. Edukimi dhe funksionet e tij ose do të përdoren si instrument për të lehtësuar integrimin e gjeneratave të njerëzve në logjikën e sistemit aktual politiko-ekonomik, duke sjellë një konformitet me të, ose ai do të bëhet një praktikë e lirisë, e cila nënkupton që burrat dhe gratë veprojnë në mënyrë kritike me realitetin dhe zbulojnë rrugë si të marrin pjesë aktive në transformimin e botës”.
Ata që qeverisën Shqipërinë pas viteve 1992, në vend që të kërkonin një filozofi dhe pedagogji tjetër të edukimit të shqiptarëve, e cila do të ishte pika e kthesës reale drejt lirisë dhe demokracisë, hodhën përrallat e depolitizimit të shkollës dhe edukimit, duke marrë shabllon modelet më të këqija të vendeve fqinje, që ishte shumë e vështirë të përdoreshin në një terren shqiptar të mbarsur me dogmat komuniste. Në terrenin shqiptar filloi të zënë rrënjë koncepte të fajdeve, të pasurimit brenda natës pa punë, por me mashtrime, të pasurit një mik politikan i cili do të të punësonte e ndihmonte të bëje karrierë, futjen te njerëzit kulturën e heshtjes e të indiferencës, ndaj një tabori të fenomeneve negative të jetës shoqërore. Kjo u arrit në dy mënyra: me shkollën dhe edukimin gjoja “apolitik”, dhe e dyta, me një cunami mediatik, gazetash, analistësh, që kishin funksion vetëm një gjë, të shpëlanin sa më shumë trutë e shqiptarëve, duke u thënë se keni vetëm këto alternativa që shikoni në media, ai që ka këmishë blu ose mavi. Pavarësisht se të dyja palët janë përgjegjëse direkt për gjendjen katastrofë ku është Shqipëria, kërkojnë të mbajnë këtë filozofi, sepse duke e mbajtur sa më injorant këtë popull (duke marrë eksperiencën e komunistëve), do t’i marrin lehtësisht votën ose duke e blerë. Kujdes të veçantë iu kushtua kulturës së heshtjes, sidomos te brezi i ri. Shtrohet pyetja: a ka alternativa të tjera apo jemi vetëm ne unikalë në botë që po e pësojmë në këtë fare derexheje? Natyrisht nuk jemi vetëm ne; po si ne kanë qenë vendet e Amerikës Latine, si vende të varfra dhe me diktatura fashiste. Duke përdorur pas diktaturave një filozofi dhe pedagogji ndryshe, arritën të bëheshin vende të zhvilluara si Brazili dhe Kili. Le ta shohim më tej, natyrisht shkurt, se çfarë përfaqëson kjo filozofi dhe pedagogji. Një nga figurat e para shkencore të kësaj filozofie është Paolo Fraire, me librin e tij të famshëm “Pedagogy of oppressed”, 1968, që shumë studiues e quajnë, “Critical pedagogy-pedagogjia kritike”. Kush janë ndryshimet e kësaj teorie dhe ku ndryshoi nga ajo që përdoret sot në botë. (Për më hollësira mund të shkoni në web dhe të shikoni impaktin e përhapjen e saj jo vetëm në Amerikën Latine, por në Europë, USA, Kanada etj.)
Ajo që është esenciale dhe ndryshon nga ato filozofi, pas Platonit dhe të tanishmet, është fakti se Fraire futi përdorimin e dy koncepteve të reja në edukimin e popullatës:
- Fraire ishte kundër konceptit të deritanishëm që e konsideronin studentin si një “llogari bankare” dhe këtë llogari duhet ta mbushte mësuesi. Kjo të çon në kontrollin e të menduarit dhe veprimit të njerëzve, duke penguar mendimin krijues te nxënësit e studentët. Në fakt, kundër këtij koncepti kanë qenë me kohë Rousseau, Fraire dhe pak më vonë Henry Giroux në USA e Peter McLaren, që formuluan tezat ose një set të rregullave të asaj që quhet “pedagogjia kritike”
- Kundërshtimi i kulturës së heshtjes, Fraire dhe pasuesit e tij janë të mendimit, se kjo kulturë e krijua nga klasat që dominojnë shoqërinë në shumë drejtime dhe që janë direkt të interesuara që kjo kulturë të rrënjoset te masat. Fraire thotë se nxënësi, studenti duhet të krijojë, të zhvillojë në ndërgjegjen e tij, se kjo kulturë është krijuar që ta shtypë atë (oppress). Kjo kulturë u jep mundësi individëve të caktuar ose një klase të caktuar të ushtrojë me lehtësi shtypjen dhe dominimin e tyre. Pra kjo kulturë duhet të kundërshtohet.
Çfarë impakti pati kjo filozofi e edukimit botëror?
Të jashtëzakonshme. Së pari në Amerikën Latine, vende që dolën nga diktaturat fashiste si Brazili dhe Kili, filluan të aplikojnë këtë filozofi, patën ato rezultate që dihet sot si është zhvillimi dhe progresi në këto vende. Bile edhe në Amerikën e Veriut, Henry Giroux, Peter Maclaren. Në Europë të gjithë na kujtohen thirrjet e Tony Blair “education, education” në fushatën e tij të vitit 1996, qeveria e tij krijoi Institutin PAULO për nder të Fraire, i cili ka më shumë se 300.000 pjesëmarrës në gjithë UK, në Francë. Po kështu, nën presidencën e Miteranit, u hapën disa shkolla sipas kësaj filozofie. Pra kudo në botë është përqafuar kjo lloj filozofie e edukimit të masave ose ajo që quhet pedagogjia kritike.
Po tek ne çfarë po ndodh? Asnjë qeveri nuk e ka marrë seriozisht arsimin, (për arsyet që përmenda më sipër, asnjë qeveri nuk ka interes ta bëjë). Disa nga politikanët tanë që kanë drejtuar këtë vend kanë preferuar të ruajnë statuskonë, kupto këtu lavazhin e trurit, se arsimimi duhet t’u përshtatet dogmave dhe mashtrimeve të pushtetarëve të radhës, duke krijuar një rrjet të gjerë trushpëlarje (veç shkollës), të mediave. Duke pasur një eksperiencë të gjatë në arsim rreth 30 vjet, më vjen keq që rinia universitare (kam parasysh Fakultetin e Mjekësisë, si një fakultet i madh dhe ku vjen, ajo që quhet “elita e shkollës mesme” është për të ardhur keq për formimin e mangët që kanë në fushat e biologjisë, fizikës dhe letërsisë, kurse në planin social janë të çimentuar me kulturën e HESHTJES të fshehjes së shtypjes që ushtrohet për ditë tek ata nga pedagogë të ndryshëm që ju kërkojnë para në këmbim të notës, apo nga pedagogë që nuk bëjnë fare mësim dhe i lënë nëpër klubet rreth spitalit…
Shpesh kam dëgjuar se zgjatja e tranzicionit është si pasojë e politikanëve të korruptuar që në mënyrën më të pandërgjegjshme kanë parë vetëm interesin e tyre për pasurim të shpejtë, kjo është një pjesë e së vërtetës, por është po kaq e vërtetë që këta politikanë nuk kanë ardhur nga hëna, ata kanë dalë nga gjiri i këtij populli, janë edukuar po me këtë frymë dhe që megjithëse i kanë shkaktuar kaq andralla dhe tragjedi këtij populli, vazhdon t’i votojë dhe do t’i votojë përsëri po nuk ju “hapën sytë”, dhe sytë hapen duke u arsimuar, dhe duke u edukuar siç kanë bërë vende të tjera që kanë kaluar para nesh këto situata. Po nuk u arrit kjo, kjo lloj specie kolltullofagësh politikanësh do të jenë të përjetshëm.
Kjo nuk arrihet me arnime të sistemit të edukimit siç kërkojnë ta paraqesin ligjin e ri të ARL në Shqipëri, sepse ne nuk kemi qenë keq për ligje, por për zbatimin e tyre. Zbatimi i ligjeve nuk mund të bëhet në një ambient social ekonomik të ulët me kryefjalë kulturën e heshtjes ose indiferencës, por mbajtja gjithmonë në fokusin e kritikës, shtetin, shoqërinë, për gjithçka që nuk shkon mirë. Unë nuk kam shpresë se kjo qeveri (megjithëse e majtë dhe kjo filozofi i takon së majtës) do të dojë të bëjë një reformë të tillë, por kam shpresë se në Parlamentin shqiptar ka individë (nga dy krahët e politikës) që i kuptojnë mirë këto punë dhe kanë ndjenjën e përgjegjësisë ose së fundi i kuptojnë “gabimet” që kanë bërë në të shkuarën, si edhe OJQ të panumërta që janë interesuar për arsimin, edukimin, edhe individë të caktuar nga media që e kanë vërtet një shqetësim të tillë, për t’i bërë presion shtetit të fillojë këtë reformë dhe të mos humbasë kohë duke bërë show mediatik dhe demagogji me modele që vendet nga janë huazuar po largohen. Të krijohet “parlamenti i arsimit ose edukimit” ku të diskutohet e debatohet, sepse jam i bindur se ka akoma njerëz që i kuptojnë dhe i dhimbset ky vend. Duhet sa më shpejt të fillojë kjo reformë, e cila nuk arrihet pa ndërhyrjen e shtetit dhe pa një kompromis me opozitën. Unë e di se do të ketë kundërshtarë, ata që janë kundër “educatione populare te Fraire”. Kjo teori, që nuk është aspak e imja, por e një sërë filozofësh bashkëkohës dhe për më tepër e aplikuar praktikisht, që ka dhënë rezultate. Kundërshtarëve të kësaj filozofie do t’u bëja një pyetje të thjeshtë: Nga kush presin të kemi njerëz me tru të kultivuar e me IQ të lartë, ose gjeni të llojit shqiptar: kur trajnojmë dhe edukojmë 500 apo 50000 njerëz??? Natyrisht, me probabilitet matematikor i takon shifrës së fundit. Me mjaft modesti, një këshillë mjaft dashamirëse për Kryeministrin, në Europë nuk shkohet, as me rindërtime në qendrat e qyteteve të Shqipërisë, as me mbledhje me forcë të detyrimeve të ujit, elektrikut e taksave, por me ndërgjegjësimin dhe edukimin e tyre pse duhet t’i paguajnë taksat, elektrikun, ujin e pse duhet të jenë qytetarë në radhë të parë, pse nuk duhet të jenë indiferentë dhe të heshtin, pse duhet të mos shesin votën, pse duhet të refuzojnë të votojnë udhëheqës të korruptuar e gënjeshtarë dhe pse nuk duhet të heshtin kur shikojnë një padrejtësi? Mendoj se kjo është sfida më e fortë që duhet përballësh dhe mendo se këtë situatë e kanë kaluar edhe vende të tjera dhe ia kanë dalë ……Uroj sukses, po fillove ta bësh këtë reformë, vërtet që nuk do harrohesh nga historia e këtij vendi!