Cili duhet të jetë “protektori” i Shqipërisë?!
Deklarata e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 1997 se e shihte Italinë si një “protektor” të Shqipërisë pati një ndikim jo shumë të madh në atë kohë. E lidhur me qëndrimet disi jashtë protokollit të kryeministrit, që kishte kaluar vitet e fundit në burg, ajo tregonte se Shqipëria pas çrregullimit social, kishte probleme edhe me identitetin shtetformues të liderave të saj. Në fakt, Shqipëria e drobitur nga përplasjet e mëdha sociale dhe nga kriza që desh e rrënoi e kish çuar shpesh në vëmendje këtë fakt përmes individëve të ndryshëm. Analistë të ndryshëm të huaj, por edhe shqiptarë të kthjellët kishin kuptuar se diçka më e madhe nuk shkonte mes nesh. Dhe futja nën një ombrellë të huaj përkundrejt ndonjë zgjidhje ndërkombëtare ishte zgjidhja më e mirë për zhvillimin. Pak e harruar në 20 vitet e fundit, paçka se nënzë është pëshpëritur dhe herë të tjera, atë do na e sillte ndërmend Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, që shkoi në një ekstrem tjetër edhe më fatal, duke revokuar Shqipërinë e fillim shekullit të shkuar. “Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-’20, ky qytet me rendësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të Fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën.
Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ evropian, besimplotë te vullneti i tyre demokratik derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese”. Përgjigjen e parë dhe të fundit zyrtare zonja Ademi do e merrte nga ambasadori austriak, përfaqësuesi i një vendi që ka investuar shumë për pavarësinë e vendit tonë: Shqipëria nuk është më ajo e atyre viteve, i tha ai me pak fjalë. Kuptohet se nga partia e saj nuk pati asnjë reagim, por më e çuditshme është se ky qëndrim mungoi dhe institucionalisht.
Po pse u kthehemi vazhdimisht të huajve dhe ombrellës së tyre?! Ka një histori të gjatë por më së shumti ajo lidhet me atë që ende mungon tek ne: mosbesimi ndaj kolektivitetit, arritjes së përbashkët historike, sakrificave të mëdha dhe interesi meskin i shumë prej individëve tanë. Me këtë të fundit lidhen shumë nga përçartjet tona, që datojnë shekuj të shkuar dhe nuk janë argument shtesë për këtë shkrim.
Shqetësimi më i madh në këtë artikull është se pse Homo Albanicus nuk e pjek idenë se çfarë realisht na duhet si komb. Rilindasit e vërtetë në shekullin e XIX dhe në kapërcyell të XX, që vunë gjithçka për identitetin dhe zgjimin kombëtar, besonin se detyra e asaj që na duhej si komb mund të vinte me ndriçimin dhe zgjimin kulturor të popullit. Njerëzit e Viteve ’30 me Universitetet publike, përmes shpalosjes së ideve bashkëkohore. Komunistët e bënë me disiplinën dhe homogjenizimin, porse eksperimenti i tyre në inxhinierinë sociale dështoi me një ndikim, që me sa duket do duhen dekada paqtimi. Kjo është arsyeja që në demokraci, ku mendimi ka qenë më i lirë, çdo forcë politike që ka ardhur në fuqi ka hartuar strategjitë e saj në fusha të ndryshme, që janë shprishur nga pasardhësit. Të gjithë kundër të gjithëve! Pa pasur një ide të përbashkët për zhvillimin e vendit.
“Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve”,thoshte Faik Konica, duke lënë në mes të hapur atë problem të madh që ekziston mes nesh, kërkesën e vazhdueshme për të shprishur edhe fatalisht atë që mezi e kemi ngritur për shekuj.
Në kohët e reja, të themi që gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria gati i është vetëdorëzuar të huajve. Të habit raporti i auditimit të Forcave të Ëehrmacht, që thonë se shqiptarët na i lenë ne shumë punë të tyre administrative, paçka se gjatë të gjithë luftës do të përpiqen të kenë një lloj neutraliteti të pajustifikuar duke bërë dy operacione të frikshme në vend. Koha e Jugosllavisë, pas L2B zgjati pak, por Shqipëria u gjend para katastrofës së liderave të saj që gati e bashkuan vendin me Federatën e Sllavëve të Jugut…Dhe vinë pas vitet ’90, kur Demokracia ka nxjerrë faktin se Shqipëria sensin e aleatit strategjik e konfondon jo pak me atë të përuljes. Ndoshta kaloi me të qeshur, por karikaturat që na paraqisnin si shtet i radhës së SHBA-së në Shqipëri artikulohej normal dhe madje duartrokitej. Shqipëria gati iu fal për ca kohë trendit të miqësive që shkonin pas rendjes për investime ose më saktë kapjen e bisneseve strategjike të vendit mes Italisë dhe Greqisë. Dhe, kjo tendencë mund të kapte rrjedha të tjera, nëse Greqia më parë dhe Italia më pas të mos pllakoseshin nga kriza e vështirë që nuk i ka lëshuar akoma. Në vitet e fundit trendin e kapi Turqia dhe nëse aleatët nuk do t’i kthjellonin zyrtarët shqiptarë për dorëzimet e shumta, ata do bënin gabime ndaj “vëllait të madh”, që na ka marrë shekuj zhvillimi.
Kur ngarkojmë vendin tonë, nuk mund të mos kujtojmë se edhe shtetet e tjera të Ballkanit nuk e arritën dot idealin e një lidhje të qëndrueshme midis unitetit kombëtar dhe atij politik. Ndjenja e të qenit fare i vogël, i pafuqishëm dhe i cënueshëm përzihet me faktin se kemi shumë çështje etnike mbetur në mes tonë, por më shumë ideja se ku duhet të shkojmë për t’u zhvilluar. Kur kujton atë rrugë të gjatë për pavarësinë që nga Berlini e tutje, atëherë duhet të ndalemi dhe të kujtohemi se nuk kemi nevojë për protektor, pavarësisht gabimeve tona foshnjarake dhe zellit për t’i vendosur zjarrin gjithçkaje, por besim. Ky i fundit është dhe duhet të mbetet protektori ynë.
Shqipëria e pavarur është shumë më tepër sesa lajthitjet metaforike të Fatos Nanos dhe karriges së çmuar për Voltana Ademin.