Opinion

Çizme të përbaltura

FATOS BAXHAKU

fatos_baxhakuMe ndrojtje vërtet, por ama balta ka nisur ca të thahet mbi çizmet e të gjithëve, të përmbyturve, politikanëve punëshumë, vullnetarëve, bamirësve të bujshëm apo të heshtur, ushtarëve, policëve, zjarrfikësve, fëmijëve, pleqve, burrave me lot të tharë… Bën ende ftohtë, fort ftohtë në Jug të Shqipërisë. Kallkani bëhet edhe më i padurueshëm ndër shtëpitë që ngjasojnë si çorape të stërmëdha që nuk duan të thahen. Pellgje të stërmëdha uji erërëndë vazhdojnë të mbajnë peng krahina të tëra, ndërsa sytë e tërëve mbeten të gozhduar nga qielli. A do të na fshikullojë Zoti sërish këto ditë, apo do të na lërë të lëpijmë plagët tona të thella? Kjo është pyetja. Çdo rreze e ndrojtur dielli, çdo vezullim sadopak i ngrohtë, çdo erë e butë që vjen nga ndonjë cep kodrine, madje edhe një buzëqeshje e thjeshtë njerëzore është e mirëpritur atyre anëve të fshikulluara keq nga moti.

Përmbytja më e fundit e Shqipërisë i nxori edhe më në pah aktorët që luajnë në skenën tonë në raste fatkeqësish natyrore. Shqipëria jetë e mot ka qenë zonë e rrezikuar nga natyra. Së pari, dihet nga të gjithë që ne jetojmë bash e në kurrizin e një çarjeje të madhe tektonike që përfundon diku larg andej nga India. Tërmetet (të vjetrit tanë i cilësonin me emrin osman “zerzele”) kanë qenë aq prezentë në jetën e paraardhësve tanë saqë kanë rrafshuar qytete të tëra, kanë devijuar rrjedha lumenjsh (Drini është njëri syresh), kanë zhdukur apo krijuar kodra, gjire, fshatra, fate njerëzore po se po. Dy nga tërmetet më të rënda kanë rënë pikërisht në kohë moderne. Ai i 1967, pikërisht ai që rrafshoi treçerekun e Shkupit të vjetër, dëmtoi shumë fshatra e krahina nga Peshkopia në Elbasan e më tej. Në prill të 1979 jo vetëm Veriu, por krejt vendi u trondit thellë kur një tërmet tjetër iu vërsul Shkodrës dhe rrethinave të saj. Shumë shtëpi në Bahçallëk apo Lezhë janë ndërtuar pikërisht në atë kohë.

Le të mbërrijmë tash te përmbytjet. Shqipëria është një vend ku pjerrësia nga Lindja në Perëndim është ajo që dërgon lumenj të furishëm nga malet drejt e në fushë e më pas në det. Këta lumenj kryeneçë malorë, të ushqyer nga dëbora e maleve, janë të paparashikueshëm. Janë inatçorë njësoj si një adoleshent ballkanas. Nga të mirë, të pashëm, fisnikë, frymëzues të poetëve, mund të shndërrohen befas, vetëm për një tekë të njeriut, në hakmarrës të mëdhenj. Nganjëherë shkëndijën e nxirosjes së tyre të egër e jep vetë Perëndia, porse njerëzia jo gjithnjë ka qenë e gatshme të përballojë furinë e tyre. Rasti i fundit në Jugun tonë qe shembulli më i trishtë i kësaj që porsa thamë. Përmbytjet nuk është se janë një gjë e re për qindra mijëra fshatarët tanë. Pa pyesni një herë në Shkodër e rreth e rrotull? Sa kohë që ishim cepi më i fundit i Perandorisë Osmane ishim në dorë të Allahut. Por megjithatë dora e rëndë e njeriut nuk kishte mbërritur deri atje sa që të priste pyjet shekullorë, të dhunonte shtretërit e lumenjve, apo më keq akoma për veten e tij, të ndërtonte shtëpi në fushë në mëshirë të lumenjve që hera-herës çmenden. Kështu vazhdoi gjatë. Zogu I, mbret i shqiptarëve kishte ndërmend që bashkë me tharjen e kënetave të disiplinonte edhe disa prej lumenjve më dinakë si edhe të thante disa këneta. Ngërçi historik e zu ngushtë. Çuditërisht idetë e tij u vazhduan nga kundërshtarët e tij më fanatikë, nga komunistët. Si të gjitha diktaturat edhe sistemi komunist i drejtuar nga PPSH, sigurisht me punën e njerëzve të thjeshtë edhe të dënuarve politikë, arriti të sfidojë deri diku natyrën. Lumenjtë u sistemuan, pyjet u ruajtën, shumë këneta u thanë. Por kjo kohë i përket të shkuarës. Njësoj si njerëzit, si ne, edhe lumenjtë nuk dinë të sillen mirë në liri.

Personazhet e tragjedisë që sapo përcollëm këto ditë mund të ndahen në disa kategori. Më e para prej tyre janë viktimat fshatare të kësaj historie, ata që humbën thuajse çdo gjë përgjatë një jave të vetme. Rreth tyre u mblodh një rrjet i tërë solidariteti që nga Prishtina e deri në Tiranë. Shumë nga këta fshatarë të pambrojtur, jo të gjithë, por shumë syresh, janë nga ata që kanë ndërtuar në fushë, shtëpi që tani bëjnë pjesë në angazhimin e madh politik të legalizimit të shtëpive pa leje. Çdo tragjedi e rëndë e ka edhe nga një pyetje. A u ka thënë njeri këtyre njerëzve që të ndërtosh nën nivelin e lumit, apo edhe të detit qoftë është një punë me rrezik jete? Shteti sot u ndan makarona, vaj luledielli, ujë, ushqim për bagëtitë, dhe mirë bën, por a do të ishte më mirë që t’u kujtonte këtyre njerëzve pafat e padije se ku i ndërtonin më parë shtëpitë paraardhësit e tyre? Është një nga detyrat e shtetit që të shpëtojë njerëzit nga vetëvrasja edhe kur ata këtë e dëshirojnë me gjithë shpirt. Pastaj është kollaj të bësh të mirin, por ama është tepër vonë.

Një tjetër gjë që nuk u përmend në këto kohë kur të gjithë bëjnë të mirin: deri në 1990 të paktën një sistem i tërë kullimi ishte në eficiencë në tërë territorin e  Republikës së Shqipërisë. Vetë ne e ndërtuam me sakrifica të pashoqe dhe me punë të papaguar, pastaj vetë ne e shkatërruam njësoj sikur të donim të mallkonim veten dhe filluam pak nga pak t’u afroheshim tinëzisht lumenjve duke e ditur fare mirë edhe vetë se lumi është ku e ku më tinëzar sesa vetë qenia njerëzore. Qeveritë që shkuan dhe erdhën, ose bënë një sy qorr, ose bënë djalin e mirë duke premtuar legalizim të shpejtë.

Të tjerë aktorë të kësaj tragjedie ishin policët, zjarrfikësit, ushtarët, vullnetarët, njerëzit që shpëtuan me qindra jetë njerëzore. Me gjithë heroizmin e tyre të pashoq pyetja që del e ridel është ngaherë e njëjta: A na duhet që, duke qenë një vend i prirur për fatkeqësi natyrore, të kemi struktura më të forta, më të pavarura, më të pasura të emergjencave njerëzore sesa ato të brishtat që kemi deri më tani? Në vend që të diskutonte për këtë politika edhe një herë a nisi nga shou i saj propagandistik. Njëra palë deklaroi me siguri se situate është nën kontroll me qenë se shumë prej ministrave ndodheshin në terren duke veshur të njëjtat çizme të përbaltura si ato të viktimave të përmbytjes. Mirë bënë xhanëm. Sikur të mos e bënin do ishin kritikuar se nuk po bënin punën e duhur dhe se ishin larguar nga njerëzit e kështu me radhë. Mirëpo do të kishte qenë shumë herë më mirë sikur ato çizme t’i kishin veshur kur ishin të thata. Tani, në ujë të shkuar sa para bën? Edhe opozita i përveshi qafat e çizmeve. Nga një anë ishte kurioze t’i shikoje veshur si ne ata, që puna ua do të rrinë gjithë ditën të shtrënguar nën kostum e kollare. Ca nga fytyrat e nxirosura, ca nga luhatja në të ecur përmes baltës ngjasonin njësoj si ne, njerëzit e thjeshtë. Nuk e dimë ende se sa ky shou i përbaltur politik me akuza dhe kundërakuza ia ka arritur qëllimit të tij, por një gjë qëndron, me gjithë telashin e madh që i zuri si pozitën ashtu edhe opozitën ishte një rast i mirë për të bërë një parafushatë elektorale. Dhe këtë bënë.

Të vijmë te pika e fundit se mbase u zgjatëm ca si tepër. Qeveria ka thënë se do të paguajë të gjitha dëmet që fshatarët kanë pasur ndër shtëpia e ndër gjë të gjallë. Bukur, shumë bukur. Një hap vërtet prekës, mbresëlënës, zemërmadh. Do Perëndia ta mbajë fjalën. Por nga ana tjetër çdo hap qeveritar e ka edhe një pyetje nga pas, një përse. Më e para nga të gjitha është përse qeveria premton të paguajë dëmet? Përse përdoret termi legal “dëmshpërblim”? Është në vetvete një pranim i fajit që në këtë përmbytje ka faj edhe shteti? Dëmshpërblim paguan një palë kur i ka bërë dëm një pale tjetër. E pranon këtë edhe qeveria e sotme? Apo është thjesht një qeveri bujare që kërkon me çdo kusht t’u qëndrojë qytetarëve pranë? Edhe më tej akoma, ku do gjendet kjo shumë kolosale parash që të mund të bëjmë të gjithë djalin e mirë? Po sikur, larg qoftë, të digjet një bllok banesash në ndonjë qytet, apo ndonjë lagje në ndonjë fshat të vjetër? A do të ishte e gatshme qeveria që të paguante edhe në këtë rast? A nuk do të ishte më mirë që qeveria të favorizonte, të propagandonte, të ndihmonte, të merrte pjesë në një fushatë të përgjithshme sigurimi të pronës dhe të jetës, sikurse ndodh në të gjithë botën së cilës tentojmë t’i afrohemi? Sikur kjo të ndodhte të gjithë do ta kishin më të lehtë, edhe fshatarët e mardhur nga i ftohti edhe qeveritarët, që numërojnë para tv, thasët me miell e shishet me ujë në Novoselë. Po sigurisht që historia nuk bëhet me “sikur” dhe derisa të ndodhin plot gjëra që përmendëm çizmet e gjithkujt do të jenë përbaltur e tharë sa herë të duash, aq sa do të kemi jetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button