Çmimet e banesave vijuan rritjen me 5.4% në tremujorin e dytë
Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në çmimet e tregut të pasurisë së paluajtshme gjatë tremujorit të tretë janë karakterizuar nga gjallërimi i kërkesës dhe nga rikuperimi i ofertës për banesa. Bazuar në vrojtimin e besimit të ndërtimit, kërkesa në ndërtim ka regjistruar përmirësim. E njëjta prirje konfirmohet edhe nga vrojtimi i aktivitetit kreditues, sipas të cilit bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi hipotekare (megjithëse më e ulët se në tremujorin e dytë të vitit).
Çmimet në prodhim të matura nëpërmjet vrojtimit të biznesit raportohen me ulje të lehtë në tremujorin e tretë dhe gjendja e inventarëve në një prirje të lehtë rënëse.
Këto zhvillime në çmimet e banesave u mbështeten nga zhvillimet pozitive në sektorin e ndërtimit.
Sektori i ndërtimit gjallëroi ndjeshëm performancën në tremujorin e dytë të vitit 2015. Vlera e shtuar e sektorit u zgjerua me 24.5%, duke thelluar tendencën përmirësuese të ecurisë vjetore. Kjo dinamikë u pasqyrua edhe nga rritjet më të larta të shifrës së afarizmit në vëllim, me 11.8%, dhe të indeksit të vëllimit të prodhimit në ndërtim, me 22.7% në terma vjetorë.
Duke gjykuar nga të dhënat e vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, ecuria e mirë e sektorit ka reflektuar kryesisht shtimin e ndërtimeve të reja jorezidenciale dhe të rikonstruksioneve, të nxitura si nga sektori privat dhe nga ai publik. Treguesit e vrojtimeve japin sinjale pozitive lidhur me zhvillimet e pritura në sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015.