Ekonomia

Çmimet, si “mbrohen” pensionet

Viti 2016 parashikon me ndarjen e buxhetit një fond prej 1.1 miliardë lekësh për politikën e re të pensioneve, çka do të thotë se për moshën e tretë do të ketë rritje të masës së shumës mujore. Por, dy reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë dy viteve të fundit, nuk kanë mundur të japin rezultate efikase në skemën e subvencionimit, duke i marrë buxhetit të shtetit miliarda lekë. Në sallën e komisionit të Ekonomisë, deputeti i djathtë, Dashamir Shehi, ka kërkuar shpjegime nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, teksa ka ngritur shqetësimin për vlerën e lartë të subvencionit që për vitin e ardhshëm arrin në 45 miliardë lekë.

“Ne këtu po shohim që subvencioni për pensionet është 45 miliardë lekë. Dhe ju e dini se për sa kohë do të jenë subvencionet nga buxheti qendror, sigurisht që ky do të jetë një buxhet fukarenjsh. A ka ndonjë linjë afatgjatë se si do të ulen subvencionet, siç u ndoq politika e energjisë. U bë skema e re dhe kur do të shihen rezultatet e kësaj skeme, sepse bilanci është përkeqësuar këto dy vjet”, pyeti Shehi. Nga ana e tij, ministri i Financave, foli për dy tregues, të cilët nuk mundësojnë një bilanc përmirësimi të shpejtë, por që në periudhë afatgjatë, do të ketë përmirësime të dukshme.

“Reforma në pensione ka dy momente. Në afatin e gjatë, ashtu siç është parashtruar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të japë efektet e veta pozitive, në kërkesë relativisht më të ulët të fondeve të buxhetit të angazhuar ndaj pensioneve. Por, ndërkohë kemi dhe një presion që duhet ta përballojmë, një presion të natyrshëm të kërkesave në rritje, në zbatim të ligjit për kompensim të lëvizjes së çmimeve (inflacionit) në pensione”, u përgjigj Cani, duke argumentuar edhe pasojat. “Këto të dyja shkojnë në kah të kundërt me njëra-tjetrën dhe shpresoj që në të ardhmen do të japin rezultate pozitive dhe do të çlirojnë sa të munden buxhetin nga kjo kosto e lartë e subvencionimit të pensioneve”, tha ai.

Buxheti

Duke bërë një pasqyrim mbi të ardhurat dhe investimet që parashikohen në çdo sektor, ministri i Financave tha se buxheti duhet të lexohet si, buxheti i uljeve të taksave dhe uljes së borxhit, çka do të nxitë mirëqenien e familjeve shqiptare dhe do të nxitë ekonominë. “Është i orientuar në sens rritje reale ekonomie. Kemi rritje të të ardhurave për 93 mije familje dhe ulje taksash. Reforma e taksës zero për biznesin e vogël nxit punësimin. I jep prioritet edhe bujqësisë, pasi janë parashikuar 1.8 miliardë lekë fond garancie për fermerët.

Nga ana tjetër do të rritet edhe fondi për buxhetin vendor, 8 miliardë lekë më shumë se në 2015. Shpenzimet kapitale për herë të parë përmbysen, pasi janë parashikuar më te mëdha se shpenzimet korrente; 58 për qind për investime dhe 42 për qind për shpenzime, të ardhurat e bashkive”, deklaroi ai. Këto shifra janë kundërshtuar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili akuzoi se buxheti është më i ulëti i viteve të fundit, madje duke sjellë në vëmendje vitin 1997 për vëllimin e investimeve që do të ndërmerren.

“Ky buxhet bazohet dhe konfirmon një rrënim të disiplinës fiskale. Buxheti program një rritje simbolike të ardhurash dhe është nën nivelin e rritjes nominale të ekonomisë. Nëse rritja reale dhe deflatori shkojnë në nivelin 6 për qind, rritja që programon qeveria në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2015 është vetëm 4.9 për qind. Ky buxhet ka taksa të reja me një vlerë që shkon 27 milionë dollarë. Kjo qeveri ka rritur në 3 vite, 430 milionë dollarë taksa që nuk i shohim të materializuara në buxhet”, tha Bode, duke hedhur akuza se administrata nuk do të ketë asnjë përfitim në nivelin e pagave. “Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliardë, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind”, tha Bode.

Pensionet

Në zërin “Politika të reja Pensionesh”, qeveria parashikon fondin prej 1.1 miliardë lekësh, i cili parashikon rritjen e pensioneve sa për të mbuluar zhvleftësimin e lekut si rezultat i inflacionit vjetor. Ndërkaq, shpenzimet për sigurime shoqërore janë rritur me 5.4 për qind. Megjithëse skema deficitare e pensioneve është përmirësuar vitin e fundit (raporti përfitues kontribuues për herë të parë në 2014 u barazua), sërish në buxhet parashikohet një rritje prej 6.5 për qind (9.3 miliardë lekë) e shpenzimeve për fondet speciale.

Citime

Cani: Ky është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqenieje për qytetarët. Rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind. Është i treti vit radhazi me rritjen reale ekonomike.

Bode: Vetëm viti ’97 ka pasur atë vëllim investimesh që do të ketë buxheti i vitit që vjen. Lumë unë ç’më dëgjojnë veshët, mjerë unë ç’më shohin sytë.

Angjeli: Është e vërtetë se nuk ka një shpallje të rritjes së pagave dhe pensioneve, ndërkohë që shtetet që u preken nga kriza kanë pasur ulje të pagave. Për pensionet, është parashikuar indeksimi i tyre në buxhetin e ministrisë së punës me rreth 1.2 miliardë lekë.

 Neritan Gjergo/Shekulli

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button