Çmimi i biletës, shoqatat dhe bashkia sërish asnjë marrëveshje
Bashkia e Tiranës dhe Shoqatat e Transportit kanë vijuar edhe sot bisedimet për sa i përket çmimit të biletës dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimit urban. Mirëpo, duket se edhe në takimin e sotëm ata nuk kana arritur në një marrëveshje. Shoqatat e Transportit deklaruan edhe njëherë se nëse nuk rritet çmimi i biletës, në data 1 janar ata dorëzojnë licencat dhe në kryeqytet nuk do të ketë autobusë.
“Ne do i qëndrojmë kërkesës sonë për dorëzimin e licencave në 1 janar. Me 1 janar me këto negociata që janë nuk do të ketë shërbim. Ne jemi të hapur, përsëri diskutuam, lamë një dritë për një marrëveshje tjetër nëse do kemi ulje të dyja palët, por nëse nuk do të kemi ndryshim të çmimit është e pamundur”, deklaruan përfaqësues të shoqërive të transportit.
Nga ana tjetër nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku u shpreh se vazhdojnë negociatat me ta, por sipas tij nuk do ketë rritje. Ai bëri të ditur se kjo çështje do të diskutohet edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 30 dhjetor.
“Diskutuam problematikën e tyre dhe i shprehëm gatishmërinë e kryetarit të bashkisë që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak me datë 30. Dhe gjithashtu për të parë dhe eksploruar të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë që nuk përfshin rritjen e çmimit me 70 lekë dhe në këtë pikë nuk do të përfshijë diskutim”, sqaroi ai.
Veç kësaj Mazniku tha se do të gjendet një zgjidhje që të mos bllokohet shërbimi në 1 janar.
“Jemi të bindur që ekzistojnë mënyrat dhe mjetet që të gjejmë një zgjidhje që nuk na çon tek bllokimi i shërbimit me 1 janar. Besoj se mund të gjejmë një mënyrë që dhe shërbimi të vijojë por dhe pa ju bërë barrë qytetarëve. Do vijojmë negociatat në ditët në vijim. Ne do të gjejmë patjetër mekanizmat që këtij qyteti të mos i mungojë asnjë sekondë shërbimi urban”, nënvizoi nënkryetari Mazniku.