Kosova

Çollaku: Do të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz Gallucci, të cilën e ka informuar për reformat që po bënë Kosova në drejtim të avancimit të agjendës evropiane.

Çollaku e ka njoftuar se Qeveria e Kosovës po bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Njëkohësisht e ka informuar edhe me ecurinë e dy prioriteteve të sivjetme përkitazi me agjendën evropiane që janë procesi i liberalizimit të vizave dhe nënshkrimi i MSA-së. Miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ditë më parë në Kolegjin e Komisionerëve, i ka hapur rrugën nënshkrimit të kësaj marrëveshje së shpejti”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Çollaku, ka potencuar se institucionet e Kosovës janë duke punuar për të përmbushur kriteret e fundit teknike lidhur me këtë proces që do të pasohen me dërgimin e raportit përfundimtar në Bruksel gjatë këtij viti.

Kurse shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Isabelle Servoz Gallucci, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen dhe bashkëpunimin konform prioriteteve të Qeverisë së Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button